Kjo ceremoni çel edhe siparin e festimeve për nder të shenjtërimin të bamirëses shqiptare “Nënë Tereza” ku ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit Ilir Meta,
Nënkryetari Edmond Spaho, deputetë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, krerë të Kishës Katolike në vendin tonë dhe nga Kosova dhe të bashkësive të ndryshme fetare shqiptare, drejtues institucionesh të artit dhe kulturës, personalitete të artit dhe kulturës, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi se “sot është Dita Ndërkombëtare e Nënës, një ngjarje sa përkujtimore aq edhe reflektuese për pozicionin jetik të gruas në shoqërinë bashkëkohore për sfidat dhe pritshmëritë që e harkojnë atë. Në këtë kontekst ndjeshmërish dhe standardesh shpesh të diskutueshme ka vend për të diskutuar shtruar e gjatë". "Roli i gruas në botën shqiptare, nderimi që duhet t’i blatojmë asaj për sakrificat e pafund që bën, ndjesa për fajet tona të përditshme ndaj tyre, loja retorike për barazinë gjinore më shumë si tis, se sa si realitet, evidentimi i plagëve sociale e kulturore që çojnë te dhuna e pa justifikuar, dramat sociale, papunësia, varfëria, sfidat në familje e karrierë e shumëçka tjetër do të ishin tema të pashmangshme, por lutem të më falin dhe të më kuptojnë pse nuk po ndalem gjatë mbi to”, u shpreh Nishani.
“Në këtë ditë, vijoi kreu i shtetit, kam zgjedhur si referencë një shembull, një model, një histori unike, sintezë shpirtërore e popullit tonë, e cila u shndërrua në vlerë universale e botës dhe humanizmit".
"Pa vështirësi mendja shkon te Nënë Tereza, murgesha shqiptare, e cila më 4 shtator do të kanonizohet si shenjtore në Qytetin e Vatikanit, në atë vend ku Arbërit me Kryezotin Gjergj Kastriot-Skënderbeun farkëtonin aleancat e tyre qytetërimore. Kjo ndodh pas dekretit të Papa Françeskut, Atit të Shenjtë, i cili në pak vjet u dëshmua si mik i madh i kombit tonë duke i ofruar atij mbështetje dhe dashuri pa kushte. Fatmirësisht ne jemi bashkëkohës të një ngjarje të madhe tredimensionale, për historinë tonë kombëtare, për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Në këtë pikëtakim nëpërmjet Nënë Terezës, kësaj lartësie ndërtuar me përvujtni, shqiptaret marrin vendin e merituar në trashëgiminë shpirtërore të popujve. Unë mendoj se çdo shoqëri mund të frymëzohet nga Nënë Tereza e ndoshta pak më tepër çdo grua, nënë a bijë, e mbase disi më shumë, gratë shqiptare, sepse ajo ishte dhe mbetet njëra prej tyre. Pajisur me forcën e besimit si gurrë e dashurisë për tjetrin, për të ndryshmin, për të braktisurin, për të dobëtin pa e përkufizuar atë nga raca, ngjyra, feja, kombi por duke e parë thjesht si krijesë të Zotit, ajo rrëfeu fuqinë mrekullibërëse të dashurisë. Në vetë të parë ajo na tha si mund të mposhtet egoizmi, si mund të sfidohen rrethanat e disfavorshme, si mund të delegjitimohet degradimi i njeriut nga njeriu, si shpresa dhe përpjekja përballen me dorëzimin dhe nënshtrimin duke mbrojtur jetën. Me gjeste të pashlyeshme Nënë Tereza fjalën e Zotit e shndërroi në vepër duke pohuar madhështinë e vetë njeriut. At Zef Pllumi, një ikonë e Kishës Katolike shqiptare po aq një ushtrues i madh i lirisë kundër tiranisë na ka lënë për shenjtoren tonë një përkufizim, të cilin dua ta ndaj me të gjithë ju: ‘Ajo nuk pati kurrë as kapitale, as pushtet shtetnor; kje vetëm shpirti i dashunisë për jetën, për njeriun e për Zotin, që e bani të madhe para njerzve të këtij shekullit’” – u shpreh Presidenti Nishani.
Ai theksoi më tej se Nënë Tereza është emblema e imazhit shqiptar po aq sa shpirti rinovues prej Shën Françesku i Kishës Katolike të përbotshme.
"Ne duhet t’i bindim të tjerët se ajo nuk është një rastësi, se shoqëria jonë e ka këtë fuqi, gruaja shqiptare po kaq. Evenimente të tilla si shenjtërimi i saj duhet të shndërrohen në një procesion të komunikimit me njëri-tjetrin dhe botën. Një rol në këtë drejtim padyshim mund ta luajë edhe Parlamenti dhe Qeveria shqiptare. Identifikimi si vendi dhe populli i Nënë Terezës nuk është një dëshirë folklorike, por një standard për ndërgjegjen tonë, një pasqyrë morale në të cilën duhet të këqyremi çdo ditë me kurajë teksa gruaja shqiptare përpiqet mes shumë vështirësish të gjejë çdo ditë Nënë Terezën brenda vetes” – theksoi kreu i Shtetit shqiptar.
Pas përshëndetjeve të themelueses dhe Presidentes së Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza” zonjës Liri Berisha e të Nuncit Apostolik në Tiranë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Presidenti Nishani vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Don Lush Gjergjin, biografin e Nënë Terezës me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij jetësore në drejtim të nxitjes së tolerancës dhe vëllazërimit ndërfetar në trevat shqiptare; për punën e përkushtuar shumëvjeçare intelektuale për nxjerrjen në pah të historisë, trashëgimisë dhe identitetit të popullit shqiptar dhe figurës së ndritur të Nënë Terezës” si dhe Misionaret e Bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës” me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme, për humanizmin dhe bamirësinë e pakursyer ndaj njerëzve të pamundur. Për kontributin e vyer të motrave misionare, si mishërim i dashurisë dhe mëshirës pa dallim të Zotit për njerëzit në nevojë, nën shembullin e ndritur të Nënë Terezës”.
Në vijim të veprimtarisë solemne, të pranishmit ndoqën me ëndje interpretimin artistik të artistes Roza Anagnosti dhe aktorit e regjisorit nga Kosova, Enver Petrovski të disa shprehjeve të famshme dhe lutjeve të vyera të shenjtores së ardhshme dhe vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast me objekte të bamirëses së madhe shqiptare Nënë Tereza në hollin me të njëjtin emër të Institucionit të Presidentit të Republikës.
Redaksia Online
Shqiptarja.com