Dita Ndërkombëtare e Muzeve u kremtua në të gjithë vendin ku objektet historike mirëpritën mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme të kësaj dite ishte hapja e Muzeut Arkeologjik në Lezhë. I vendosur pranë kalasë së qytetit, muzeu sjell 268 objekte arkeologjike të zbuluara ndër vite e që datojnë nga prehistoria deri në mesjetën e vonë.

“Pjesa më e madhe prej tyre i përkasin fondit që ka zbuluar vetë Frano Prendi, gërmimi që ka zbuluar Frano Prendi nga vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Më pas ka zbulime që janë bërë gjatë kërkimeve arkeologjike, gjatë ekspeditave gjermane, gjatë misioneve të ndryshme, po ashtu kemi edhe disa objekte të tjera se janë gjetje rastësore, se mi kanë sjellë mirëbesim dhe i kanë vendosur këtu”, tha Paul Zefi.

Koleksioni përfshin vegla pune, armë, vepra arti, mbishkrime latine e greke, si edhe artefakte të rëndësishme të zbuluara nga arkeologë shqiptarë e të huaj.

Fier, Dita Ndërkombëtare e Muzeve u shënua me ekspozita, leksione të hapura dhe programe edukative edhe për brezat e reja.

Një nga aktivitetet më të veçanta ishte ekspozita “Thesare të Muzeut Kombëtar Ikonografik Onufri”, e realizuar në bashkëpunim me qendrën muzeore Berat.

Pavijoni i arkeologjisë vijon të mbetet më i vizituari, duke dëshmuar lashtësinë dhe vazhdimësinë e jetës në zonën e Fierit përmes objekteve që lidhen me qytetet antike të Apolonisë dhe Bylisit.

“Kemi kohën që vendbanimet marrin pamjen e qyteteve t vogla dhe themelimin e Apolonisë si një koloni, por që shërbeu edhe si model. Në Apoloni është gjetur një vendbanim ilire të shekullit 12-13. Ne muze shohim objekte nga këto vendbanime ilire, duke bere qe vizitorët që nuk kanë kohë të shkojnë në Apoloni apo në Bylis, ti shikojnë”, tha Bashkim Vrekaj.

Durrës, aktivitetet u përqendruan në muzeun “Peeping Tourists”, një hapësirë muzeale që sjell elemente të historisë së periudhës komuniste, në një koncept të ngjashëm me “Shtëpinë e Gjetheve” në Tiranë. Risia e këtij viti ishte bashkëpunimi me Postën Shqiptare, e cila prezantoi një ekspozitë filatelike me pulla poste dhe vula historike të përdorura nga periudha e pavarësisë deri në vitin 1990.

“Ky ishte një bashkëpunim me Postën Shqiptare që në ditën e Muzeve të pasqyrojë etapat historike të Shqipërisë siç janë shpallja e pavarësisë, koha e mbretit Zog, Paslufta e deri në vitin 1990.Gjithashtu aty janë ekspozuar edhe vulat që ka përdorur posta në gjatë këtyre etapave”, tha Brunilda Liçaj.

Në kuadër të kësaj dite, muzetë në Gjirokastër tërhoqën një numër të lartë vizitorësh, veçanërisht turistë të huaj.

“Ishte shume interesante, historia e Shqipërisë, por posaçërisht e Gjirokastrës me të vërtet shumë interesante”.

“Po me pëlqeu, ishte shume interesante të mësosh gjera të ndryshme për historinë, për kështjellën e Gjirokastrës”, thanë disa prej turistëve.

Vetëm Muzeu Etnografik dhe Muzeu i Armëve u vizituan nga mbi një mijë persona gjatë kësaj dite.

Ndërkohë, në Krujë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” hapi dyert falas për vizitorët vendas dhe të huaj, duke mirëpritur edhe grupe nxënësish që kishin organizuar vizita në kuadër të kësaj dite.

Për vizitorët u çel ekspozita fotografike “Kruja sipas udhëtarëve të huaj”, e vendosur në ambientet e jashtme të muzeut, ku paraqiteshin imazhe dhe përshkrime historike të qytetit ndër vite.

“Java e Muzeve 2026”, e shpallur nga Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit, do të sjellë gjatë datave nga 18 deri 24 maj aktivitete, ekspozita, guida, performanca artistike dhe programe edukative në muze dhe site kulturore në mbarë vendin.