Ditëlindja e Nënë Terezës/ Rama: Shenjtore nga lartësia e qiellit! Basha: Të ndryshojmë të sotmen duke ofruar shpresë

Ditëlindja e Nënë Terezës/ Rama: Shenjtore nga lartësia e qiellit! Basha: Të ndryshojmë të sotmen duke ofruar shpresë

TIRANE-26 gushti është një ditë e rëndësishme për shqiptarët, pasi 110 vite me parë, lindi Shën Nënë Tereza, një nga personalitetet më të njohura shqiptare në gjithë botën. Kryeministri Edi Rama shkruan se ajo vazhdon të sajën si shenjtore nga lartësia e qiellit, ndërsa kujton edhe Migjenin.

"Homazh. Shën Tereza dhe Migjeni lidhen bashkë me këtë datë, 26 gushtin, atë të vitit 1910 kur erdhi në jetë nëna e madhe e të varfërve të kësaj bote dhe atë të vitit 1938, kur ndërroi jetë poeti i madh i grushtit të kësaj toke. Nënë Tereza jetoi gjatë, si një lutje pëshpëritëse, Migjeni pak, si një bubullimë buçitëse. Ajo ishte e bardhë, nuse kokëulur martuar me kaltërsinë e qiellit, ai ishte kryeneç, siluet i zi në këmbët e malit pa zë. Ajo ishte dora e shtrirë në kërkim të dritës së pafundme, ai ishte dora e mbledhur grusht në drejtim të errësirës së padurueshme. Ajo e gjeti qetësinë e pandërprerë, duke ndezur qiririn në vend se të mallkonte errësirën, ai nuk rreshti së mallkuari errësirën pa gjetur dot një dekikë qetësi.

Të dy e donin me përvuejtni Lulin e Vocërr, ajo i fërkonte kokën për t'i lehtësuar dhimbjen, ndërsa atij i ngriheshin flokët përpjetë prej dhimbjes së tij. Të dy e donin me pasion njeriun, ajo e donte atë siç ishte, ai e donte siç duhet të ishte. Të dy e donin botën më të mirë, ajo duke u gjunjëzuar devotshmërisht për ta bërë më të lehtë, ai duke u kryengritur gojarisht për ta kthyer përmbys. Ishin të dy shqiptarë, por Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, atdheu i saj u bë bota ndërsa atdheu i tij poezia. Njëra besonte në një e në të vetmin Zot që e kërkonte lart në qiell, tjetri hahej me Zotat që i shihte nga lart poshtë. Për Shën Terezën, Fjala ishte Zoti dhe Zoti ishte Fjala, ndërsa Zoti i Migjenit ishte vetja dhe Zot i Fjalës ishte ai vetë.

Gonxhe Bojaxhiu u vesh murgeshë dhe u bë Shën Tereza e Kalkutës. Millosh Gjergj Nikolla e flaku veshjen e murgut dhe u bë Migjeni i shqiptarëve. Ajo vdiq 87 duke kuruar sëmundjet e të tjerëve, Ai 27 pa kuruar dot sëmundjen e vet. Por të dy e kapërcyen vdekjen, Ajo me fuqinë e përkushtimit të saj ndaj Zotit, përmes dashurisë qiellore për njerëzit, Ai me fuqinë e përkushtimit kundër të vjetrës, përmes fjalës për Botën e Re. Ajo vazhdon të sajën si shenjtore nga lartësia e qiellit, Ai vazhdon me të vetën si zëri i të resë nga thellësia e tokës" shkruan Rama.

Ndërkohë që Lulzim Basha thotë se mesazhet e Nënë Terezës duhet të jenë frymëzim edhe ditët e sotme.  "E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur ende. Kështu që ka mbetur vetëm e sotmja. Le të fillojmë.” Ky mesazh i mençur nga Nënë Tereza, le të jetë frymëzim për të gjithë ne, të fillojmë të ndyshojmë të sotmen duke ofruar shpresë dhe besim se ditë më të mira do vijnë përmes punës së ndershme, kujdesit për njeri-tjetrin dhe ofrimit të mundësive për një jetë më të mirë për të rinjtë e të rejat, që sot i kanë sytë nga emigrimi. Me fjalët e Shën Terezës: “Disa njerëz vijnë në jetë si bekim, disa të tjerë vijnë si mësim”, është koha ta nxëmë mësimin e hidhur në mënyrë që të mos lejojmë sërish rikthimin në paketimet false që verbojnë nga varaku fals, por që në thelb janë thjesht mashtrime prej të cilave vuajnë sot shqiptarët" shkruan Basha.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë