DIVJAKE- Nga Divjaka ku ka prezantuar kandidatët për deputet, kreu i Partisë Socialiste u ndal tek investimet e munguara, edhe pse sipas tij lekët janë harxhuar. Duke iu referuar akuzave të kryeministrit se mungesa e ujit të pijshëm është për shkak të opozitës, Rama tha se kreu i PD gjen justifikime për premtimet e pambajtura.
 
“I kanë harxhuar lekët e rrugëve, e rrugët kanë mbetur rrugëve, ndërsa lekët kanë shkuar në ‘rrugë’ të tjera. Nuk ka turp më të madhe se pas 8 vitesh t’i dalësh popullit dhe t’i thuash se fajin e ka opozita pse s’ka ujë, pse s’ka vaditje dhe kullim. Ndërkohë që këto i ka premtuar më parë, e s’janë realizuar. Saliu dëgjoi për vaditjen dhe kullimin kur ne filluam të ngremë zërin fort në fushatë”, tha Rama.

Rama akuzoi kryeministrin Sali Berisha se nuk ka bërë asgjë për këtë vend dhe vetëm mashtron lart e poshtë. Sipas tij Berisha është në ditët e fundit dhe pas 23 qershorit ai do të largohet pushteti dhe atëherë do të nisë rilindja për Shqipërinë.

“Mos u merrni me Saliun, ai e di që do iki, ai është në ditët e fundit të një pushteti që e rrënoi Shqipërinë. Edhe sot ishte në një zonë të fshatit dhe i thoshte, kemi bërë një investim të madh, kemi ndërtuar kanal kullues, nga Peqini në Kavajë. U çua një fshatar i cili duket ishte jashtë kontrolli, kë kanal? Berisha tha jo nuk ka mundësi do urdhëroj të kontrollohet kjo punë. Kjo është si puna e 10 mijë e 400 km rrugë, se i kanë nëpër letra, i kanë harxhuar lekët dhe rrugët i kanë në letra kështu del që 1 miliard dollarë kanë dalë nga Shqipëria. Nuk e themi ne. E gjitha vuan Shqipëria nga uji, ai thotë fajin e kanë kryebashkiakët. Po Shkodra që ka kryebashkiak demokrat pse vuan. Jo jo, fajin e ka qeveria, kështu dhe Peshkopia, Kukësi”, u shpreh kreu i opozitës në fjalën e tij.
 
Kryesocialisti u ndal tek problematikat në sektorin shëndetësor dhe atë arsimor. Ndërsa u kërkoi qytetarëve të Divjakës, të ndëshkojnë me votë qeverinë aktuale.
 
“Në shqiptarët e shekullit të ri le ta lëmë deri në 23 qershor katragjyshin aty ku është, dhe me votën e 23 qershor ta çojmë gjyshin në shtëpi, dhe të lexojë përralla për nipërit, jo të çmendi me përralla të gjithë shqiptarët. Shëndetësia e doktor Saliut thotë kush ka lek të sëmuret, e kush s’ka lek le mos sëmuret, ose të kërkojë lekët për t’u kuruar”, tha Rama.
 
Ndërsa shtoi më tej se “qytetarët duhet të zgjedhin të paguajnë për çdo shërbim shëndetësor, apo të votojnë numrin 29 dhe ta përfitojnë atë falas, për të gjithë banorët në fshat e në qytet. Nuk ka turp më të madh për shoqërinë sesa t’i përplaset dera në fytyrë qytetarëve të varfër që nuk kanë të paguajnë. Ky është një turp që do ta zhbëjmë me programin tonë pas zgjedhjeve të 23 qershorit”.
 
RAMA: DO NDALOJME IMPORTIN E PLEHRAVE BRENDA 100 DITEVE TË PARA
 
Problematika e plehrave dhe importit të tyre nga vende të tjera, është një tjetër çështje që zë një pjesë të rëndësishme në programin e Partisë Socialiste. Duke iu referuar ndotjeve që i shkaktojnë këto mbeturina zonave turistike në vend, Rama tha se nëse PS fiton zgjedhjet e 23 qershorit, do të ndalohet importi plehrave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
 
“Saliu përveçse i la plehrat rrugëve, na e mbushi Shqipërinë me mbeturina që kanë rrënuar natyrën shqiptare. Ka vendosur të importojë plehra dhe nga jashtë, se nuk na mjaftojnë plehrat e tij, na duhen dhe plehrat e botës. Në 23 qershor nuk është një betejë gjelash, por është një betejë për të ndalur rrugën e rrënimit, dhe për t’i hapur rrugën rilindjes. Kjo do të bëhet duke ulur taksat. Do të pastrojmë Shqipërinë nga plehrat për një mjedis të pastër. Do të ndalojmë importin e plehrave brenda 100 ditëve të para”, u shpreh kreu i PS-së.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)