Dixhitalizimi i RTSH, qeveria 
pranon gjithë kushtet e kontraktorit

Dixhitalizimi i RTSH, qeveria <br />pranon gjithë kushtet e kontraktorit
TIRANE - Kontrata për dixhitalizimin e Radiotelevizionit Shqiptar u nënshkrua dje nga ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike Milena Harito, drejtori i përgjithshëm i RTSH Martin Leka dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë Rohde&Schwartz Franz Büchsenmeister, në prani të ambasadorit gjerman Hellmut Hoffmann.

Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se, pas një periudhe të gjatë negociatash, kontrata për kalimin  e RTSH në transmetime dixhitale u konkludua me nënshkrimin e saj mes tri palëve, duke nisur kështu puna për ndërtimin e dy rrjeteve të RTSH-së, të cilat do të mundësojnë kalimin e transmetimeve audiovizive, nga analoge, në numerike.

Me fjalën e saj, Harito tha se përfundimi i kësaj etape të rëndësishme mundëson respektimin e afatit botëror për transmetimet audiovizive, duke garantuar për qytetarët shqiptarë TV dixhital pa pagesë.

Ndërtimi i rrjeteve për dixhitalizmin e RTSH, sipas Ministrisë, do të fillojë menjëherë dhe pritet që kompania dhe RTSH të intensifikojnë punën për të realizuar kalimet e transmetimeve nga analoge në numerike, për mbulimin e  popullsisë sipas parashikimit në ligj, duke mbështetur fort edhe operatorët lokalë për të transmetuar në teknologjinë më të fundit të mediave audiovizive. 
 
Kushtet
Publikut të gjerë i janë mbajtur të fshehta kushtet e kontratës. Sipas burimeve të Shqiptarja.com, praktikisht janë pranuar të gjitha kushtet e paraqitura në draftin e palës gjermane. Këto kanë të bëjnë së pari me shumën që duhet të paguhet dhe mënyrën se si do të paguhet.

Shifra është 21.558.341 euro dhe do të paguhet nga shteti shqiptar, duke qenë se vetë RTSH nuk e disponon një fond të tillë. Pagesa, sikurse kërkuan gjermanët, do të kryhet me dy këste. Kësti i parë duhet të paguhet deri 15 ditë nga data e djeshme, pra në formë paradhënieje, në shumën 3.233.753 euro. Ndërsa pjesa tjetër, prej më se 18.3 milionë eurosh, që përbën 85 për qind të shumës totale, do të ndahet edhe kjo në dy nën-këste.

Fatura për çdo mall të vlefshëm për kontratën do të paguhet në masën 65% me të mbërritur ky mall në magazinën e RTSH, ndërkohë që pjesa tjetër do të paguhet kur pajisja të vendoset në vend e të dorëzohet.

Pala gjermane ka vendosur kushtin, e pranuar nga shteti shqiptar, që qeveria të vendosë garanci shtetërore për shumën e kërkuar, duke garantuar kështu marrjen nga RTSH të një huaje në një nga bankat e njohura evropiane.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në SHBA, mbyllen qendrat e para të votimit

Zgjedhjet në SHBA, mbyllen qendrat e para të votimit