Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e AMA-s për të shtyrë me katër muaj procesin e dixhitalizimit për Tiranën dhe Durrësin, pas problemeve që hasën qytetarët me dekoderat. Rama shprehet se zbatimi i normës europiane është një domosdoshmëri, por nuk fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri.
Përshëndes vendimin e autoritetit të pavarur për rindezjen e sistemit të vjetër të transmetimit televiziv. Zbatimi i normës europiane është një domosdoshmëri, por nuk fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri. #EgjithëVëmendjaPërNJERËZIT
Edi Rama
Autoriteti i Medieve Audiovizive vendosi sot që të shtyjë dixhitalizimin me katër muaj pas ankesave të shumta të qytetarëve prej ditës së djeshme kur u fik sinjali në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit. Kreu i AMA-s, Gentian Sala në një konferencë për mediat deklaroi sot se sinjali analog do të rindizet edhe për katër muaj në Tiranë dhe në Durrës, deri në datë 15 janar të vitit 2019. Sipas tij, një vendim i tillë erdhi, pasi pas fikjes së sinjalit analog dje në orën 10:00 ka pasur një numër jashtëzakonisht të lartë ankesash nga qytetarët.