Djali i ish-presidentit të Tiranës flet për Report Tv dhe rrëzon sërish Dukën: Llogaritë e FSHF të bllokuara! Të kalojë lekët ose e çoj në prokurori

Alban Seferi, djali i ish-presidentit të ndjerë të Tiranës në vitet ’90, Metush Seferi, rrëzon edhe një herë pretendimet e Armand Dukës duke thënë se llogaritë bankare të Federatës Shqiptare të Futbollit janë të bllokuara prej datës 10 nëntor 2021.

Në një intervistë për Report Tv Seferi thotë se mbi 1 milionë euro që UEFA akordoi për fitoret e Tiranës sezonin e kaluar nuk kanë kaluar në llogaritë zyrtare të klubit.

“Federata i ka të bllokuara llogaritë që nga data 10 nëntor. Ne federatës nuk i jemi drejtuar si borxhli, por si garant që paratë të kalojnë në llogaritë zyrtare të klubit Tirana. Përshtypjet nuk janë të mira sepse përmbaruesi më ka thënë që FSHF ka kaluar vetëm 290 mijë euro në llogaritë e klubit, ndërsa për pjesën tjetër prej afërsisht 1 milionë euro, ftoj Federatën të më thotë se ku i ka kaluar”, thotë Alban Seferi për Report Tv.

Alban Seferi është përfitues i një shume mbi 600 milionë lekë (të vjetër) që duhet t’ia shlyejë klubi i Tiranës, ardhur si rezultat i fitimit të gjyqit me klubin. Për këtë arsye llogaritë e klubit janë të bllokuara dhe në duart e përmbaruesit privat, në favor të familjes Seferi. Kjo do të thotë se çdo përfitim financiar që klubi merr, duhet t’i kalojë Seferit deri në shlyerjen e borxhit, dhe pikërisht mbi këtë fakt, dyshohet se Armand Duka i ka hedhur mbi 1 milionë eurot e UEFA-s në llogari të dyshimta të klubit.

Në një reagim të dytë, Federata këmbëngul se lekët e UEFA-s janë kaluar në llogaritë zyrtare të klubit të Tiranës, dhe ngre një tjetër pretendim.

“Nëse përmbaruesi nuk i ka marrë dot nga bankat, ky është problem mes përmbaruesit dhe bankës dhe jo Federatës Shqiptare të Futbollit. I gjithë ky proces ekzekutimi është i jashtëligjshëm pasi po përpiqet të ekzekutohet një vendim për një shoqëri që tashmë ka mbetur pa administrator dhe në kundërshtim me ligjin po vazhdon të ekzekutohet”, thuhet në reagimin e Federatës.

Edhe për këtë qëndrim, Alban Seferi e ka një reagim.

“Federata Shqiptare e Futbollit nuk duhet të merret me marrëdhëniet midis ortakëve, por ajo ka për detyrë të dërgojë lekët në llogaritë zyrtare të klubit. Shoqëria “International Trade” funksionon e përsa i përket administratorit nuk është FSHF që duhet të merret, por ortakët. Federata duhet të kalojë lekët në mënyrë ligjore. Kaq”, thotë ai për Report Tv.

Ai kërkon se do ta çojë çështjen deri për ndjekje penale ndaj Dukës.

“Unë do pres që kjo lajthitje të përfundojë dhe t’i kthehemi ligjshmërisë. Pra të zbatohet ligji, asgjë më shumë. Në rast se do vazhdojë përsëri me këto anashkalime të zbatimit të ligjit të gjithë dokumentacionin përkatës që ka zyra e përmbarimit dhe avokatisë do t’ia kalojmë prokurorisë”, thotë Seferi.

Për çfarë gjyqi bëhet fjalë, dhe pse familja Seferi fitoi dëmshpërblimin?

“Ka pasur një marrëveshje midis shoqërisë së babait tim dhe klubit Tirana, ku në rast se gjatë financimit të klubit do kishte fitime do të ndaheshin 51% me 49% në favor të shoqërisë sonë. Në 5 vite presidencë nga ‘93-‘98 u fituan mbi 1 miliard lekë që im ate nuk i preku kurrë”, tregon ekskluzivisht për Report Tv, Alban Seferi.

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim