PD akuzon se djali i kryebashkiakut të Poliçanit Adriatik Zotkaj ka përfituar tenderë pa konkurrencë nga bashkia e Përmetit dhe e Dimalit.
Enno Bozdo në një dalje për mediat përmend rastet e kompanisë "G&M Construction 07," që i atribuohet djalit të kryetarit të Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotka, e cila ka fituar dy tendera publikë brenda katër muajve, në mungesë të konkurrencës dhe me oferta thuajse 100% të fondit limit.
Ai gjithashtu nënvizon kontrastin mes premtimeve të kryeministrit Edi Rama për përdorimin e inteligjencës artificiale për transparencë dhe realitetit të pretenduar të këtyre abuzimeve.
Deklarata e Enno Bozdo në selinë e PD-së:
Vetëm tre ditë pasi Edi Rama deklaroi se do ta bënte Shqipërinë një ‘fanar ndriçues botëror’ në çështjet e prokurimit publik, duke përdorur inteligjencën artificiale, Bashkia e Përmetit ia dhuron prokurimin e radhës kompanisë së djalit të kryetarit të Bashkisë Poliçan, kompanisë ‘G&M Construstion 07’. Prokurimi është mbi punimet për rehabilitimin e rezervuarit Qilarisht.
Kompania ‘G&M Construction 07’ e fiton këtë garë në mungesë të plotë të konkurrencës, madje me ofertë thuajse 100% të fondit limit. Në të njëjtën procedurë, dy kompani me oferta më të ulëta skualifikohen paraprakisht nga gara, duke lënë të vetëm në garë kompaninë e djalit të Adriatik Zotkës, kryetarit të Bashkisë Poliçan.
Neni 2 dhe 3 i Ligjit të Prokurimit Publik kërkon aplikimin në të gjitha rastet të parimit të konkurrencës, pra kërkon garë me më shumë se vetëm një pjesëmarrës! Por kryetarja e Bashkisë Përmet, preferon të shkelë ligjin dhe t`ia falë tenderin djalit të kolegut të saj në Poliçan.
Ajo çfarë e bën këtë skemë korruptive edhe më të rëndë, është fakti se nuk ndodh për herë të parë: në gusht të këtij viti, kryetarja e Bashkisë Dimal i akordon kompanisë ‘G&M Construction 07’, pra kompanisë së djalit të Adriatik Zotkës, një tjetër tender publik- vazhdimi i shtresës së asfaltit në rrugën Drenovicë, përsëri me ofertë gati 100% të fondit limit dhe përsëri në mungesë të plotë të konkurrencë, d.m.th. me një garues të vetëm.
Brenda 4 muajsh pra, djali i Adriatik Zotkës fiton dy tendera pa konkurrencë, me ofertë maksimale thuajse 100% të fondit limit. Për këtë ‘vënë dorën në zemër’ dy koleget socialiste të babait të tij, kryetaret e Bashkisë Dimal dhe Bashkisë Përmet.
Ja pra sesi ligji shkelet haptazi, me të dyja këmbët, në mes të ditës dhe me arrogancën që karakterizon këtë pushtet dhe këtë qeveri të kalbur nga korrupsioni dhe nepotizmi.
Kur i shton kësaj kërdie që i bëhet fondeve publike, talljen e Edi Ramës me shqiptarët mbi përdorimin e inteligjencës artificiale për t`i treguar botës sesi luftohet korrupsioni, merr menjëherë përgjigjen pse shqiptarët janë më të varfër sesa 12 vjet më parë, pse kemi zbritur në fund të Evropës ndërsa vendet e tjera shumëfishojnë paga e pensione, pse pensionistet blejnë më pak me pensioni e tyre sesa 12 vjet më parë, pse të rinjtë braktisin vendin, pse fermerët janë lënë në mëshirë të faktit, pse krimi mbizotëron dhe dikton gjithçka, pse ka pllakosur mungesa e shpresës dhe depresioni. Kjo është Shqipëria e zhbërë 2030, sipas vizionit të vetë Edi Ramës.
Këto fakte të bëra publike dhe të denoncuara nga Partia Demokratike tashmë janë më se të mjaftueshme që SPAK të vihet menjëherë në lëvizje për të hetuar gjithë këtë skemë korruptive. Për këtë nevojitet vullnet i fortë për të goditur korrupsionin, por ndërkaq shumë denoncime të mëparshme nga Partia Demokratike, mbi fakte flagrante, janë lënë në harresë nga SPAK.