Ka ndërruar jetë Presley Gerber, djali i supermodeles Cindy Crawford dhe sipërmarrësit Rande Gerber. Ai ishte 27 vjeç dhe gjithashtu model.

Sipas informacioneve të para të bëra publike nga mjeku ligjor, Gerber ndërroi jetë të dielën në Los Angeles, ndërsa ndodhej brenda një qendre rehabilitimi. Autopsia do të ndihmojë në përcaktimin e shkaqeve të sakta të vdekjes, ndërsa familja ka kërkuar respektimin e privatësisë së saj në këtë moment dhimbjeje të madhe.

Vëllai i madh i modeles dhe aktores Kaia Gerber, Presley e kishte nisur karrierën në modë që në moshën 15-vjeçare me agjencinë IMG Models, duke sfiluar më pas për marka të mëdha si Moschino, Dolce & Gabbana dhe Calvin Klein.

Në të kaluarën, Gerber nuk i ka fshehur asnjëherë problemet e tij personale, duke folur hapur për vështirësitë që lidhen me shëndetin mendor dhe varësinë nga substancat, me të cilat kishte luftuar prej disa vitesh. Në vitin 2019 u arrestua për drejtim automjeti në gjendje të dehur, dhe më pas u lirua pa paguar garanci. Një vit më vonë, u shfaq me një tatuazh në ballë ku shkruhej “misunderstood” (i keqkuptuar), të cilin më vonë e hoqi.

Në një postim në rrjetet sociale të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe më pas të fshirë, Presley kishte renditur ilaçet e ndryshme që merrte për të përballuar sulmet e panikut. Cindy Craëford, në atë rast, i kishte lënë një koment inkurajues: “Presley, të duam dhe nuk je vetëm.”

“Shëndeti mendor është një çështje e rëndësishme dhe është një pjesë themelore e jetës sime”, rrëfente ai 3 vite më parë. “Është një angazhim i vazhdueshëm, 24 orë në 24. Ka shumë më tepër pas kësaj.”

Modeli kishte shtuar më pas se shpresonte të ndihmonte njerëz të tjerë duke ndarë historinë e tij dhe kishte nisur të publikonte në rrjetet sociale video të quajtura “Mental Health Mondays”, në të cilat tregonte përditësime mbi betejën e tij me depresionin dhe rrugëtimin e tij drejt rimëkëmbjes.