Pas më shumë se 30 vitesh në krye të Vogue, një rrugëtim që e ka kthyer në ikonë, Anna Wintour ka pozuar në kopertinën e revistës së modës së bashku me ‘sozinë’ e saj të Hollywoodit, Meryl Streep. Drejtoresha globale editoriale e Vogue është fotografuar nga Annie Leibovitz së bashku me Streep, e cila luan Miranda Priestly në “The Devil Wears Prada” (Djalli vishet me Prada), një redaktore e guximshme dhe e pamëshirshme e një reviste mode, e cila besohet të jetë bazuar te Wintour.

Në një intervistë me regjisoren e Barbie, Greta Gerwig, Wintour tha se ishte “një nder i madh të interpretohesha nga Meryl”, por shtoi se karakteri i Priestly ishte “i largët” nga Wintour e vërtetë. Ajo e quajti karakterin një “dhuratë e jashtëzakonshme”, ndërsa reflektoi edhe për raportin e saj me moshën në këtë industri.

“Më pëlqen mosha ime. Ndihem po aq e gjallë, e emocionuar dhe e vetëdijshme sa gjithmonë, dhe më pëlqen të mësoj nga fëmijët e mi dhe nga të gjitha ekipet e mia në mbarë botën. Gjithmonë është emocionuese. Dhe mendoj se me përvojën, ke një ndjesi të balancës dhe proporcionit, dhe e di që jeta nuk është perfekte, dhe gjërat do të shkojnë keq, dhe ti thjesht do të japësh maksimumin tënd. Por nëse nuk funksionon, duhet të ecësh përpara. Ndihem se mosha është në fakt një avantazh”, tha ajo.

Kur u pyet si do të ndihej nëse do të shkëmbente punën me Streep, Wintour tha:

“Jo, në asnjë mënyrë. Nuk kam aftësi të veçanta. Absolutisht nuk kam aftësi të veçanta. Nuk mund të këndoj, nuk mund të kërcej, nuk mund të aktroj, nuk bëj gjeste me duar, nuk di të gatuaj, sigurisht që nuk di të qep.”

“The Devil Wears Prada” është bazuar në romanin me të njëjtin emër nga Lauren Weisberger, e cila ka qenë asistente e Wintour në Vogue. Filmi ka pasur si protagoniste Anne Hathaway si një gazetare që siguron një pozicion si ndihmëse për kryeredaktoren ‘e hekurt’ të revistës imagjinar Runëay. “The Devil Wears Prada 2”, një vazhdim i filmit origjinal të vitit 2006, do të shfaqet në kinema muajin e ardhshëm.

Wintour tha se filmi i parë ishte edhe një pasqyrë e botës së modës.

“Ajo që më pëlqeu te filmi i parë është se tregoi botës sa i madh është biznesi i modës. Është një forcë e vërtetë ekonomike në nivel global, dhe filmi i parë e pranoi këtë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë. Por më pëlqen të mendoj se po evoluojmë, nuk po shpërbëhemi. Ne jemi ende këtu. Të gjithë po bëjmë punën ton, në mënyra të ndryshme dhe në platforma të shumta, jo vetëm në një, dhe sa e mrekullueshme është kjo? Po arrijmë shumë më shumë njerëz”, tha ajo.

Ndërsa për filmin e dytë, e kishte telefonuar Streep për ta pyetur, por kjo e fundit s’e kishte lexuar ende skenarin. Më pas, e kishte telefonuar sërish për t’i thënë se ishte “në rregull.”

“I besova pa rezerva”, thotë Wintour.

Wintour dhe Streep kanë më shumë të përbashkëta sesa thjesht një film. Sipas Ancestry, ato janë kushërira të largëta.