Heqja e taksave për resortet me 4-5 yje, ‘Djathtas 1912’: Abuzim i mazhorancës afër 11 Majit, i shërben dhe favorizon një grup të vogël interesi!

Heqja e taksave për resortet me 4-5 yje, ‘Djathtas 1912’: Abuzim i mazhorancës afër 11 Majit, i shërben dhe favorizon një grup të vogël interesi!

Drejtuesit e partisë 'Djathtas 1912'

Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, janë prezantuar sot disa ndryshime në ligjin nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku pati edhe debate e diskutime mes kampeve politike, madje edhe brenda mazhorancës.

Sipas këtyre ndryshimeve, hotelet apo resortet me katër dhe pesë yje do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat për një periudhë 10-vjeçare. Partia “Djathtas 1912” i cilësoi “abuzime të mazhorancës që nuk kanë të ndalur” ditën e sotme (22 Janar), në një deklaratë për median.

“Pasojat e vërteta dhe arsyet e miratimit të këtij përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat, po fshihen nga opinioni publik. Menjëherë krijohet një ndarje e padrejtë midis bizneseve të mëdha dhe të vogla. Hotelet e vogla, bizneset familjare, airbnb dhe ato hotele e resorte me më pak burime financiare nuk përfitojnë nga ky lehtësim duke thelluar pabarazinë në këtë sektor. Ky përjashtim favorizon investitorët e fuqishëm duke vendosur një barrë më të madhe mbi bizneset e tjera”, thekson grupimi politik.

Por ata vënë në dukje gjithashtu se një masë e tillë do të thotë një humbje e konsiderueshme në të ardhurat e buxhetit të shtetit, ndërkohë që ato para mund të adresohen për mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorë që kanë nevojë më të madhe, si bujqësia, arsimi, shëndetësia etj. Kjo masë sipas tyre, bëhet për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 Majit.

“Një politikë që mbështet vetëm sektorët e luksit kontribuon në krijimin e një modeli ekonomik që lë mënjanë shumicën e qytetarëve dhe bizneset e vogla. Kjo masë shërben për një grup të vogël interesi dhe nuk reflekton një politikë ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të drejtë. Mbi të gjitha, kjo është një masë që po ndërmerret 4 muaj para zgjedhjeve të 11 Majit, me qëllimin e qartë dhe të vetëm për të favorizuar oligarkët të cilët do të mbështesin blerjen dhe tjetërsimin e votës së qytetarëve në favor të kësaj mazhorance”, vijon deklarata, teksa apelohet të subvencionohen të gjitha bizneset dhe jo vetëm ato preferenciale e të luksit.  

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 21 Janar, 08:38

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Dhuna në Oborrin Mbretëror, Spahia: Princ Leka do ankimojë vendimin, i motivuar politikisht! Çaça: Duhej të ishte dënuar edhe Elia

Dhuna në Oborrin Mbretëror, Spahia: Princ Leka do ankimojë vendimin, i motivuar politikisht! Çaça: Duhej të ishte dënuar edhe Elia