Djegia e "Koha Jonë" Apeli : Qeveria
të ndihmojë gazetarin Zamir Dule

Djegia e "Koha Jonë" Apeli : Qeveria<br />të ndihmojë gazetarin Zamir Dule
Unioni i Gazetarëve të Qarkut të Korçës nëpërmjet një deklarate ka kërkuar nga Qeveria Shqiptare dhe veçanërisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që të marrë masat e duhura për t'i ardhur në ndihmë shëndetit të gazetarit Zamir Dule, për të mos rrezikuar humbjen përfundimtare të shikimit.
 
Zamir Dule u torturua në vitin 1997 pas djegies së redaksisë së gazetës 'Koha Jonë'. "Zamir Dule u bë pre e ekstremizmave politikë të vitit 1997, duke u rrëmbyer dhe torturuar, gjë e cila la pasoja të pariparueshme në shëndetin e tij", shkruhet në deklaratën e Unionit të Gazetarëve të Qarkut Korçë.
 
Unioni i Gazetarëve ka kërkuar gjithashtu nga Ministri i Mirëqenies Sociale e Rinisë, Erjon Veliaj që të shtojë pensionin që merr ish-gazetari i 'Koha Jonë'.

DEKLARATA E PLOTË E UNIONIT TË GAZETARËVE TË QARKUT KORÇË

Unioni i Gazetarëve të Qarkut të Korçës, pasi u njoh me gjendjen e rënduar shëndetësore dhe ekonomike të gazetarit Zamir Dule , iu bën thirrje organizmave shtetërore, veçanërisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, që të ndërmarrin hapat e duhura për kurimin e gazetarit Zamir Dule. Këto hapa duhen ndërmarrë me shpejtësi, për të mos rrezikuar humbjen përfundimtare të shikimit të zotit Dule.

Zamir Dule është një ikonë e gazetarisë së kronikës. Ai mund të quhet me plot të drejtë një prej themeluesve të 'Kronikës së zezë' në gazetarinë e pas vitit 1990. Në faqet e gazetës 'Koha jonë', Zamir Dule pasqyroi me përkushtim dhe profesionalizëm një gazetari të panjohur më parë në faqet e shtypit shqiptar. Zamir Dule, për këtë shkak u bë pre e ekstremizmave politikë të vitit 1997, duke u rrëmbyer dhe torturuar, gjë e cila la pasoja të pariparueshme në shëndetin e tij. Pensioni minimal i tij dhe i prindërve të tij e ka zhytur në varfëri ekstreme atë dhe familjen e tij.
I bëjmë thirrje zotit Erion Veliaj, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, që të rishohë pagesën që merr zoti Dule, duke bërë të mundur shtimin e kësaj page në një masë që ai të mund të kalojë një jetë të qetë dhe normale nga ana ekonomike.

Nisur nga ky rast i bëjmë thirrje Qeverisë Shqiptare, që të kthejë sytë nga gazetarët në përgjithësi. Gazetarët sidomos ata lokalë, punojnë në kushte të vështira, me paga të ulëta, në një pjesë të madhe të tyre pa pagesën e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore.
Gazetarët nuk janë fare të mbrojtur nga shkarkimet e pamotivuara prej pronarëve të mediave ku punojnë. Qeveria duhet të ulet dhe të hartojë ligje dhe mandej t’i zbatojë ato, për të bërë të mundur që edhe gazetarët, këta luftëtarë të informimit dhe fjalës së lirë, të jenë të qetë dhe të pakërcënuar në punën e tyre fisnike.

Për Unionin e Gazetarëve Qarku Korçë
Kryetari Erget Cenolli



Redaksia online
(v.gj/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501