Është një produkt që e përdorim çdo ditë, pothuajse pa menduar fare. Por rezulton se shumë prej nesh po e vendosin gabim anti-djersën.

Ekspertët e International Hyperhidrosis Society thonë se koha më e mirë për të aplikuar antidjersën nuk është në mëngjes, siç besohet zakonisht, por në mbrëmje, para se të flini.

“Për rezultate më të mira, përdoreni antidjersën në mbrëmje. Prodhimi i djersës është më i ulët gjatë natës. Aplikimi në mbrëmje u jep kohë përbërësve aktivë të depërtojnë në poret e lëkurës dhe të bllokojnë djersitjen për ditën tjetër”, shpjegojnë ekspertët.

Sipas tyre, kur e vendosim në mëngjes, efekti mund të jetë më i dobët dhe madje mund të lërë më shumë njolla në rroba.

Ekspertët theksojnë edhe një tjetër dallim që shpesh ngatërrohet: deodoranti dhe antidjersa nuk janë e njëjta gjë.

Antidjersat përmbajnë përbërës me bazë alumini që bllokojnë përkohësisht poret e djersës, duke ulur sasinë e djersës që del në sipërfaqe. Ndërsa deodorantët luftojnë erën, por jo djersën. Ata zakonisht kanë bazë alkooli dhe parfume që neutralizojnë bakteret dhe aromën.

Shumë produkte që gjenden sot në treg janë kombinim i të dyjave, pra luftojnë si djersën ashtu edhe erën.

Një tjetër gabim i zakonshëm është vendosja e disa shtresave. Sipas ekspertëve, mjafton një shtresë e hollë.

“Një lëvizje lart dhe një poshtë është e mjaftueshme. Nuk ka nevojë për më shumë, përndryshe produkti mund të përfundojë në rroba”, këshillojnë ata.

Për ata që djersijnë më shumë, rekomandohet edhe heqja e qimeve në sqetull, në mënyrë që produkti të arrijë më mirë në lëkurë dhe të mos mbeten djersa dhe yndyrnat në sipërfaqe, ku bakteret mund të shumohen.

Në raste kur djersitja është e tepërt dhe shkakton shqetësim, mjekët mund të sugjerojnë trajtime të tjera. Por ekspertët këshillojnë fillimisht të kuptohet shkaku, përfshirë edhe stresin, që shpesh ndikon drejtpërdrejt në djersitje.