TIRANE - Polica e kryeqytetit ka ndaluar 4 të rinj simpatizantë të PS pasi u munduan të ndalojnë Drejtorin e Doganës së Tiranës, Bujar Vukaj dhe mbështetësit e tij teksa po shpërndanin shpërblime në para personave të caktuar në rrugën “Josif Pashko"

Burime nga PS-së thojnë se me Vukajn ishte dhe Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, kandidati për deputet të Partisë Demokratike në Tiranë, Gazmend Dibra dhe se përveç shpërblimeve është tentuar të shpërndahen dhe karta Identiteti. Simpatizantët e aktivistit të kandidatit të PS-së, Rakip Suli kanë parë shpërndarje dhe janë munduar ta ndalojnë, por ka ndërhyrë policia, e cila ishte në anën e personave që bënin shpërndarjen e kartave.

Katër të rinjtë e ndaluar dhe që u mbajtë në ambientet e Komisariatit Nr 3 të policisë së Tiranës, prej më shumë se 12 orësh,  janë Elton Ddoci, Iris Martini,Besnik Marku, Ani Semaj.

AVOKATI NDRECA: KALLZIM PENAL VUKAJT 
Avokati Plarenc Ndreca ka shkuar në ambientet e Komisariatit të policisë për të marrë në mbrojtje të rinjtë. Në një prononcim për A1 Report, jashtë ambienteve të komisariatit,   Ndreca tha se po bën një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës dhe do të kërkojë shoqërimin në polici të drejtorit të Doganës së Tiranës Bujar Vukaj.

Ndreca i cili është dhe koordinator i Çështjeve Ligjore pranë PS-së në qarkun e Tiranës në një prononcim për Tv A1 Report menjëherë pas ndalimit të të rinjve tha:
“Jemi informuar se reth mesnatës, ora 01:00, disa aktivistë të kandidatit të PS-së Rakip Suli janë shoqëruar në rajonin e policisë nr.3. Nga stafi i kandidatit rezulton se një grup i caktuar njerëzish, me në krye drejtorin e Doganës së Tiranës janë kapur nga aktivistët e z.Rakipi, duke shpërndarë shpërblime në para personave të caktuar në rrugën “Josif Pashko”. Për këtë arsye, ata kanë tentuar ta ndalojnë këtë veprimtari dhe në këtë moment janë lajmëruar forcat e policisë që kanë bërë shoqërimin e tyre. 
Tani është ora 3 pas mesnate dhe nuk po na jepet asnjë shpjegim pse ata mbahen për aq orë aty. 
Tani sapo ka përfunduar një kallzim penal i bërë nga njeri prej anëtarëve të stafit, që nuk është shoqëruar, i cili ka informuar organin e procedurës për të nisur procedimin penal për shtetasit që kanë kryer këtë veprimtari të paligjshme dhe konkretisht për drejtorin e Doganës së Tiranës, që ka kryer aktivisht veprime penale.  Janë administruar edhe foto të makinës së drejtorit. Siç duket, Policia e Shtetit ka ndërhyrë për të ndërprerë këtë veprimtari të paligjshme që është konstatuar nga aktivistët e e kandidatit Rakip Suli. Ajo që është për t’u theksuar dhe bën çudi në këtë histori është se janë mbledhur për 10 minuta forca të shumta policie me në krye nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, z.Breçani, fakt ky që tregon që aktivistët e z.Suli kanë ndërprerë një veprimtari që bëhet rëndom, por PS-ja me strukturat e saj do ta ndalojë në çdo cep të Tiranës.”- tha Ndreca.
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)