Një tjetër episod me qëllim shitjen e armëve është goditur nga blutë e komisariatit nr. 4 në kryeqytet. 48-vjeçari i identifikuar si Ligor Mehmeti është arrestuar në flagrancë në zonën e Tufinës teksa po udhëtonte me një automjet ku kishte të fshehura dhe armët.
Në makinë 48-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar 3 armë zjarri, 2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake me qëllim shitjen e tyre në zonën e Freskut dhe të Tufinës.
Sipas raportimeve të gazetarit të Report Tv Sokol Dema, pistoletat do të shiteshin me vlerën 1500 euro secila ndërsa arma taktike për 8000 euro. Mehmeti prej kohësh dyshohet i përfshirë në trafikun e armëve.
“Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Barriera”.
Goditet një rast i tentativës për të shitur armë zjarri.
Sekuestrohen 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake).
Arrestohet 48-vjeçari që i posedonte armët, me qëllim shitjen.
Ai u kap në flagrancë, në Tufinë, duke i transportuar armët, me automjet.
Në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Barriera”.
Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi L. M., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Myslym Keta”, Tufinë, ndërkohë që lëvizte me automjetin e tij.
Nga kontrollet në automjet, u gjetën 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), që dyshohet se ky shtetas i posesonte me qëllim shitjen në zonat “Fresku” dhe “Tufinë”.
Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 krehra me municion, automjetin që drejtonte shtetasi L. M. dhe celularin e tij.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lajmi në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente










