Dalja e Gjermanisë nga Zona Shengen dhe eurozona, mbyllja e kufijve dhe politika shumë më të ashpra ndaj emigracionit. Ky është premtimi i partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila sipas sondazheve të fundit kryeson në nivel kombëtar.

Në një intervistë për televizionin gjerman ZDF, bashkëkryetarja e AfD, Alice Weidel, tha se Gjermania ishte në një gjendje më të mirë ekonomike para futjes së euros. Sipas saj, monedha e përbashkët evropiane ka dobësuar ekonominë gjermane dhe ka ulur pasurinë e familjeve.

Për emigracionin, Weidel ishte edhe më e drejtpërdrejtë: “Do t’i mbyllim kufijtë dhe do të dalim nga Schengeni”, deklaroi ajo. Liderja e AfD kërkoi gjithashtu më shumë dëbime të emigrantëve dhe më pak natyralizime, përfshirë kthimin e shtetasve sirianë, statusi i mbrojtjes së të cilëve nuk është më i vlefshëm.

Weidel sulmoi edhe CDU-në për refuzimin e bashkëpunimit me AfD-në, duke shtuar: “Do të qeverisim fillimisht në landet federale. Dhe do të qeverisim edhe në nivel federal.”

Deklaratat vijnë në një moment kur AfD po forcohet në sondazhe. Sipas ZDF Politbarometer, partia ka 27% mbështetje në nivel kombëtar, përpara bllokut CDU/CSU me 22%. Ndërsa në prag të zgjedhjeve të 6 shtatorit në landin e Saksoni-Anhaltit, AfD mbështetet nga mbi 40% e të anketuarve.

Në maj 2025 Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) e klasifikoi AfD-në si organizatë të konfirmuar të ekstremit të djathtë. Megjithatë, në shkurt të këtij viti, Gjykata Administrative e Këlnit e ndaloi përkohësisht BfV-në ta trajtojë partinë me këtë klasifikim deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Gjykata tha se ka tregues të fortë për prirje antikushtetuese brenda AfD-së, por ende nuk është provuar se ato karakterizojnë partinë në tërësi.