Doganat Shqipëri- Kosovë, Lauka:
S'ka marrëveshje me shkrim

Doganat Shqipëri- Kosovë, Lauka:<br />S'ka marrëveshje me shkrim
TIRANE- Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka deklaron se pala kosovare po fsheh të vërtetën kur fajëson vetëm doganat e Shqipërisë se aplikojnë çmime të referencës. Madje i kërkon ministres kosovare të Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, “Të mos ngutet” kur kërcënon për vendosjen e masës së reciprocitetit, ndaj mallrave shqiptare.

Gazeta Express citon ambasadorin të ketë thënë se gjatë këtij viti, doganat e Kosovës në disa raste kanë aplikuar cmimet e referencës për mallrat e Shqipërisë dhe për këtë është e njoftuar ministrja Kusari-Lila, por nuk janë bërë publike.

Sipas tij, marrëveshja mes dy vendeve për heqjen e këtyre masave asnjëherë nuk ka ekzistuar me shkrim, por ka qenë vetëm një vullnet politik.

“Nuk ka qenë marrëveshje. Ajo ka qenë një shprehje e vullnetit nga ana e kryeministrit në një takim që ka qenë. Kam përshtypjen, vetë Kusari.... Por, mesa duket pavarësisht vullnetit të dy vendeve fqinje dhe vëllazërore, që marrëdhëniet i kemi pa diskutim shumë të mira, ka nevojë që kjo marrëveshje të fiksohet me shkrim”, thekson Lauka.

Dy ditë më parë ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila deklaroi se Shqipëria ka shkelur marrëveshjen e arritur me Kosovën për heqjen e çmimeve të referencës për produktet kosovare, siç janë patatja, qumështi, vera, etj.

Marrëveshja ishte arritur në qershor të këtij viti, por Doganat e Shqipërisë po aplikojnë çmimin prej 18 cent për pataten e prodhuar në Kosovë, si dhe kuotë për eksportin e verës.

“Të dy këto vendime, nga ana e Shqipërisë, janë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur me kryeministrin Berisha në muajin qershor për unifikimin e procedurave fiskale, Kosovë-Shqipëri. Nëse Shqipëria nuk heq taksën e referencës atëherë do të vendosim masën e reciprocitetit”, deklaroi Mimoza Kusari-Lila. Një ditë më pas në një prononcim për mediat numri dy i Financave, Alfred Rrushaj deklaroi se kishim të bënim me një produkt te vetëm, për te cilin po verifikohet nga doganat aplikimi i çmimeve te referencës.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Vazhdon zjarri në fushën e mbetjeve! Pamjet me dron

Vlorë/ Vazhdon zjarri në fushën e mbetjeve! Pamjet me dron