Dokle: Më ‘91, si iu bë
“gjyqi” Byrosë Politike

Dokle: Më ‘91, si iu bë<br />“gjyqi” Byrosë Politike
TIRANE - Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” një nga ish-themeluesit e PS, anëtari i kryesisë së kësaj partie Namik Dokle shprehet se momenti i themelimit të PS në kongresin e vitit 1991, 22 vite më parë, pavarësisht debateve dhe përplasjeve shënoi dhe ndryshimin e kësaj force politike dhe futjen e saj në rrugën e reformimit, duke i bërë dhe anëtare e Internacionales Socialiste.

Madje dhe kryetari i PS, Edi Rama kohët e fundit është zgjedhur në lidershipin drejtues të Internacionales, si zv.President i saj. Dokle thotë se PS do fitojë, dhe bashkimi i së majtës është dhe momenti kulmor që përkon me zgjedhjet e 23 qershorit dhe me bindjen që këto zgjedhje do të fitohen nga e majta.
    
Si kujtoni 12 qershorin e vitit 1991, moment kur mori jetë Partia Socialiste. Çfarë mesazhi përcjell ajo kohë...?
Para se të shkojmë te kujtimet, ajo që mund të them është se më vjen mirë që përvjetori sot është në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, përmes të cilave Partia Socialiste do të vijë në pushtet. PS vjen në pushtet sepse ka një program shumë konkret dhe efikas për rilindjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Eshtë një moment ku shqiptarët zgjedhin midis rilindjes dhe rrënimit. Dhe rilindja do fitojë sepse shqiptarët duan rilindjen e tyre, duan rilindjen e Shqipërisë dhe rreshtimin e saj përkrah vendeve më të zhvilluara të Evropës, dhe janë kundër rrënimit të Berishës e qeverisjes së tij.

Së dyti, mendoj që gjatë këtyre 22 viteve, përpos kujtimeve, është e rëndësishme rruga që ka bërë Partia Socialiste. Një rrugë e vështirë por e bukur që jo vetëm ka reformuar PS, por ka sjellë dhe reformimin e politikës shqiptare.
 
Cilat janë momentet më kulmore që kujtoni nga ai kongres i rëndësishëm që solli themelimin e PSSH...?
Ajo që mund të them është se, realisht kongresi themelues i PS ka qënë një eveniment i veçantë në jetën politike shqiptare, sepse shoqëria shqiptare ishte përgatitur për këtë ndryshim.

Në këtë këndvështrim, nuk mund të mbijetonte një forcë politike apo më saktë një grup politik, duke qëndruar mbi të vjetrën. Por, pavarësisht debateve e përplasjeve, në kongres ishte dominant qëndrimi e vendimi për ndryshimin e kësaj force politike dhe futjen e saj në rrugën e reformimit të plotë e të thellë.

Ky reformim kishte qëllimin final, krijimin e një partie të tipit evropian, anëtare të Internacionales Socialiste sikurse u bë, një partie që kohët e fundit e ka kryetarin e saj të zgjedhur në lidershipin e Internacionales Socialiste si zv.president të saj.

Pa diskutim që ka pasur vështirësi, përplasje idesh dhe debate, por kongresi ku u themelua PS ka filluar me diskutimin primar të tij, “gjyqin” që iu bë Byrosë Politike të PPSH, nga i pari tek i fundit.

Dhe në atë akt politik themeluesit e PS bënë një hap gjigand përpara në reformimin e plotë të këtij formacioni politik për ta vënë në shërbim të shqiptarëve dhe Shqipërisë evropiane.
 
PS ka përshkuar rrugë të gjatë të mbushur me debate, konkurrencë, madje ka ndryshuar dhe kryetarin...?
Ky është një element shumë pozitiv dhe emancipues i kësaj force politike, por një shembull dhe për forcat e tjera politike. Dhe ajo që në këtë rast më duket e çuditshme, por është një realitet, është fakti që ndaj PS bëhen kritika në këtë fushë, që thonë se nga PS presim demokracinë.

Ndërsa gjërat antidemokratike në partitë e tjera politike nuk vihen re, sepse thonë se nuk kanë kapacitete demokratike, janë të pashpresa në këtë drejtim për t’u reformuar dhe për të qënë në nivelin e duhur, ndaj s’ke çfarë kërkon nga këto parti të këtij niveli.
 
Partia Socialiste vjen në këtë 22 vjetor dhe në këto zgjedhje e bashkuar si e majtë. Por ish-kryetari Fatos Nano...?
Në formacionet politike, në përkujtimet politike të ngjarjeve të tilla politike të një force politike, mendoj se shumë më i rëndësishëm është bashkimi i së majtës. Aq më tepër që ky bashkim i së majtës korrespondon me zgjedhjet parlamentare, të cilat do fitohen bindshëm.

Pastaj elementët dhe personazhet e veçantë nga pikëpamja e vlerësimit, vijnë si element i dytë dhe jo primar. Por rëndësi ka qënë e majta më 23 qershor shkon më e bashkuar se kurrë, për fitoren e madhe. Gjithkush që kërkon të jetë pjesë e këtij bashkimi nuk ka asnjë pengesë në PS.

Kjo varet nga vullneti e gjithësecilit, pasi PS i ka patur dhe i ka dyert e hapura për gjithkënd që do fitoren e PS, reformimin e PS, për gjithkënd që kërkon të kontribuojë dhe kërkon marrjen e përgjegjësive nga PS për qeverisjen e vendit.

Jemi aq të hapur sa dhe djemurisë që i ka thyer xhamat dikur PS, ne i kemi e hapur dyert dhe e kemi futur brenda për të parë nga brenda partinë, duke u thënë se kjo është një shtëpi për të gjithë, një shtëpi për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Presidenti Begaj mirëpret fëmijët shqiptaro- amerikanë: Ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat

Dita e Pavarësisë, Presidenti Begaj mirëpret fëmijët shqiptaro- amerikanë: Ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat