Doktori i trishtë i Ballkanit
komedia në Teatrin Kombëta

TIRANE-Doktori Shuster (Robert  Ndrenika) dikur ishte një mjek i diplomuar në Vjenë, një kirurg i shkëlqyer, i aftë në profesion. Por vitet e bukura të rinisë dhe të suksesit në karrierë kanë mbetur pas. Doktori në vend të zemrave, ndreq këpucë. I është rikthyer dhuntisë së tij të vjetër, atij zanati prej të cilit ishte rrekur një jetë të tërë që të largohej. fillimisht duke kryer studimet jashtë vendit dhe pastaj duke mohuar këshillën e të atit për tu bërëzot i dyqanit të tij. Por jeta qenka e tillë, plot gabime, sic thotë vetë doktor Shuster, ndëshkimtare e ashpër. Koha e solli që Shuster të flakej nga spitali si një qen dhe pas një përvoje të gjatë pune ku kishte shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish, mes tyre edhe të një krimineli, i ka vënë nga pas sklerozën. Çaste të tëra ku jeta shkëputet si një shirit i dëmtuar filmi! Si të mos mjaftonte kjo, Shusteri jeton me një vajzë që më shumë kohë kalon në redaksi sesa në shtëpi. Nuk kujdeset shumë Ana (Olta Gixhari) për babain e gjetur, ndoshta jo ngaqë është vajzë e një marrdhënie jashtëmartesore, por sepse puna e saj dhe pamundësia për të ndihmuar një plak sklerotik i kanë dhënë zgjidhjen më të lehtë; largimin. Profesioni i saj e ka vënë përballë një krimineli ku nën kërcënimin e armës, i duhet të rishkruajë një artikull përgënjeshtrues. Por jo vetëm. Fillon një marrëdhënie mes saj dhe kriminelit, një histori që vetëm dashuri nuk është. Është krimineli (Artan Imami) të cilit doktor Shuster i ka shpëtuar jetën. Teksa e takon në park ai i tregon kirurgut plumbin e shndërruar në varëse. “Unë do të kisha vdekur po të mos kisha pasur portofolin me dollarë. Të kujtohet si më the doktor? Dhe doktori e ka shumë të mirë kujtesën për këtë histori.”Dollari është rezistent në cdo kohë!”
Dashurinë tjetër e sjell pranë Shusterit, motra e tij Divna, (Flaura Kureta) me të cilën udhëtojnë shpesh nëpër shiritin e dëmtuar të kujtimeve. Edhe ajo një sklerotike, e vrarë nga vdekja e të dashurit të saj, dy vjet më parë. Sergei i saj është një këngëtar lirik që vjen dhe zhduket vazhdimisht, natyrisht në një realitet sklerotikësh. Por Divna është krahu i djathtë i Shusterit, gruaja e fortë që shikon të vëllanë teksa përlotet dhe i jep arsye për të ndalur lotët. Ndonëse vetë përmallet teksa shikon kostumin e tij të shfaqjes.
Në anën tjetër të realitetit janë dy vëllezër kriminelë që nuk e kanë për gjë të vrasin e t’i drejtojnë pistoletën njëri-tjetrit. Jashtë kësaj orbite është këngëtari i operas, i dashuruar me vajzën e doktor Shuster. Ai është një dashnor i pashpresë të cilin as vetvrasja nuk mund ta ndimojë që të tjerët ta marrin seriozisht.
Por edhe pse shfaqja mbart këto linja mes dhimbjes, krimit dhe dashurisë, ajo është një komedi. Të qeshurat e forta shoqërojnë batuta dhe dialogje të tëra. Kryesojnë doktori, motra, dhe thuajse si loloja në shfaqjet mbretërore, këngëtari i operas. Sklerotizmi që ka pushtuar motër e vëlla, jep dorë për humorin, për kalimet në kohë, të cilat rëndom janë ndërtuar mbi vlerën e befasisë. Cilësimi që në poster i shfaqjes si një komedi e trishtë, synon të ngrejë një shfaqje të dyzuar në gjini, një shkartisje të huazuar nga kinemaja, që ia del mbanë edhe në realizmin skenik të veprës. Monologu i këpucarit që pohon se nuk di të bëjë asgjë, është moment i kthjelltësisë së një njeriu që kupton se është i pafuqishëm, dhe se vërtet është katandisur si mos më keq prej pleqërisë dhe sklerozës. Mirazhet e tjera që pësojnë motër e vëlla mbajnë peshën e ngjyrimit të trishtë të komedisë.
Së fundi e gjithë pjesa bie erë Ballkan. Jo vetëm nga ai Ballkani poskomunist, ku këmbët i bien kokës dhe vlerat janë jashtë sistemit, siç e ka cilësuar regjisori Spiro Duni. Por edhe nga mënyra si janë konceptuar personazhet; një doktor i rrënuar, një filozof i shndërruar në një kriminel dhe një gazetare e tipizuar me një karakter që vetëm ballkanasit mund ta ndërtojnë të tillë.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Kumti letrar i Ismail Kadare’, sonte në 22:00 ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca në Report Tv

‘Kumti letrar i Ismail Kadare’, sonte në 22:00 ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca në Report Tv