“Doku TIFF”/ Ndahen 10 çmime në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Dokumentarit

 ATSH / - Në ambientet e amfiteatrit të Universitetit të Arteve u zhvillua mbrëmë ceremonia përmbyllëse e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit "Doku TIFF".
Në 5 ditë (9 deri 13 maj) në sallën e tejmbushur "Black Box" (të Universitetit të Arteve), mjaft studentë, të apasionuarit pas kameras e regjisë, e plot artdashës dhe miq nga vendi dhe bota kanë ndjekur plot 51 dokumentarë prestigjozë dhe tematikë, të cilët ishin një prurje nga rreth 20 vende të botës, nga të cilët 9 prej tyre u vlerësuan mbrëmë edhe me trofe.
I hapur për të gjithë regjizorët nga e gjithë bota, "Docu Tiff"  shfaqi më të mirën e filmit artistik dokumentar, shoqëruar edhe nga mjaft programe e projeksione speciale, seminare dhe masterklasa, retrospektiva, homazhe dhe tribute, të cilat kanë ngjallur kureshtjen dhe kanë marrë edhe vlerësimet e të pranishmëve.
"Në kuadrin e Tirana Open In, "Docu Tiff" prezantoi përgjatë 5 ditëve prodhimet e fundit, dhe solli në Tiranë dokumentarë, të cilët janë vlerësuar edhe në festivale si ai i Kanës" u shpreh Drejtori i Festivalit Agron Domi, në fjalën e hapjes të ceremonisë.
"Docu Tiff" u realizua për herë të parë këtë vit, dhe ai doli si nevojë e prurjeve të mëdha gjatë Tirana Film Festival, dhe ne krijuam këtë sektor të veçantë, i cili nderon sot punën e pakontestueshme të të gjithë prodhimeve të paraqitura në këtë hapësirë mjaft të veçantë të dokumentarit" u shpreh Agron Domi.
Sakaq, ceremonia e ndarjes së çmimeve filloi menjëherë me dhënien e çmimit të parë të ndarë në dy pjesë,  atij të "publikut" në kategorinë "Short" (metrazh të shkurtër) të cilin e fitoi  dokumentari "Hibernation" realizuar nga Tomer Werechson (IZrael), dhe çmimin e "Audiencës" në kategorinë "In Albanian" (në shqip), të cilin e mori Ilir Kaso me "Them".
Një çmim prestigjoz ishte edhe ai i dhënë nga juria e medias, juri kjo e përbërë nga Ben Andoni, Marin Mema dhe Stanela Kostallari, të cilët në kategorinë "Feature" vlerësuan me "Çmimin e Medias" dokumentarin e titulluar "This is my land" nga Tamara Erde (Francë).
Një tjetër juri e përbërë nga Saimir Kumbaro, Edmond Topi dhe Ina Lisi, në seksionin e "Filmit në Shqip"  vlerësuan dokumentarin "There is light inside" realizuar nga Rea Suroi dhe Dardan Selimaj nga Kosova.
Ndërkohë që në kategorinë e metrazhit të shkurtër, "Black sheep" i realizuar nga Christian Cerami (SHBA) fitoi çmimin e kësaj kategorie e dhënë nga një tjetër juri e përbërë nga emra si Eroll Bilibani, Gianluca De Serio dhe Milos Djukelic,
Çmimin e kategorisë së metrazhit të mesëm e fitoi dokumentari "Life is waiting" realizuar nga Western Sahara.
"Best short" shkoi për "Very long play Vinyl" realizuar nga Vladimir Morozov nga Rusia.
Juria e përbërë prej anëtarëve si Don Askarian, Martichka Bozhilova dhe Roland Sejko, çmimin e metrazhit të gjatë në kategorinë "Best Regional Films" ja dha dokumentarit të tiulluar "Europe Endless" realizuar nga Gunther Blauensteiner.
Çmimi përmbyllës i festivalit qe ai i karrierës, që organizatorët dhe drejtori i  "Doku TIFF" Agron Domi ia dha personalisht regjisorit të njohur armen, Don Askarian.
Sakaq, mbrëmja vazhdoi me një projeksion të shfaqur si një homazh i veçantë kushtuar vitit të Pazolinit./k.m//m.m/

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm