DOKUMENTET/ 5 mashtrimet e 'heroit amerikan' të 'Foltores', Mark Crawford

DOKUMENTET/ 5 mashtrimet e 'heroit amerikan' të 'Foltores', Mark Crawford

Mark Crawford

Episodeve të sforcuara me regjisor shqiptar të serialit “MCGonigal” ju shtua së fundi edhe një kolazh mashtrimesh publike të lëshuara nga ish-drejtuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë Mark Crawford. Ky i fundit u përdor nga opozita e “non grates” Sali Berisha në përpjekjen për të rindezur “fitilin” e lagur të “molotovit” me të cilin po përpiqen prej muajsh të godasin qeverinë e Edi Ramës për afera të supozuara me vendburimet e naftës.

Dy fakte do të mjaftonin për të hedhur poshtë gjitha akuzat e Crawford. Së pari, fakti se ai që sot prezantohet si një ish-drejtues i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë nuk tregon se në fakt është krejt në konflikt interesi si i përfshirë drejtpërdrejt në tentativat për “rrëmbimin” e vendburimeve të naftës përmes marrëveshjeve spekulative dhe mashtrimeve financiare.

Së dyti, britmat se pse nuk bie këmbana e kanë vetëm një përgjigje: këmbanë nuk ka fare! Vendburimet Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe Ballsh Hekal për të cilat po gatuhet gjithë kjo gjurulldi publike u dhanë me koncesion nga Sali Berisha dhe u shtetëzuan nga qeveria e Edi Ramës. Sot e kësaj dite ato blloqe janë në pronësi të shtetit dhe prej shtetëzimit nuk i ka administruar për asnjë ditë asnjë kompani private, rrjedhimisht as ruse, as amerikane, as kineze, as shqiptare!

Gënjeshtra Nr.1 e Crawford
Kompania Stream Oil and Gas, regjistruar në ishujt Kaiman, e ish-bashkëjetuesit të Albana Vokshit dhe pranë familjes Berisha mori prej këtij të fundit në vitin 2007 vendburimet e naftës Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvinë. Falë favorizimit të qeverisë Berisha, nga 2007 deri në 2013 ata krijuan 27 milion USD borxhe ndaj shtetit. Me ndryshimin e qeverisë, në fund të vitit 2014, tanimë siç duket qartë edhe nën ndërhyrjen prej sekseri të Mark Crawford, kjo kompani ju shit biznesmenit amerikan Mitchell Malone i cili zotëron kompaninë TransAtlantic Petroleum. Shumë shpejt, biznesmeni do të merrte vesh se ishte mashtruar nga shitësit shqiptarë dhe ndërmjetësi Crawford pasi përveç 27 milion USD ndaj shtetit kishin fshehur 40 milion USD të tjera detyrime që Stream Oil i kthyer tanimë në TransAtlantic Albania kishte ndaj furnitorëve të tjerë privat. Menaxhimi i ri amerikan konstatoi se shumica e këtyre borxheve ishin fatura fiktive të sajuara nga njerëz pranë Berishës për të zhvatur miliarderin amerikan. Në këtë situatë ai vendosi të kalojë aksionet tek një shoqëri tjetër të cilës do t’i vinte kusht parësor shlyerjen e detyrimeve ndaj Albpetrol.

Gënjeshtra Nr.2 e Crawford
Ndryshe nga sa gënjen Crawford, qeveria nuk përzuri miliarderin për tua dhënë blloqet e naftës rusëve por ishte ai që bindi biznesmenin amerikan që pasi kuptoi mashtrimin tua shiste kompaninë një grupi biznesmenësh shqiptarë të drejtuar nga Naim Kasa duke ja prezantuar si biznesmen serioz. Në fakt Naim Kasa kishte marrë nga qeveria Berisha 9 vendburime tjera nafte në muajt e fundit të qeverisjes përmes Phoenix Petroleum, i akuzuar publikisht për vjedhje, falsifikime dhe mashtrime në Shqipëri e Amerike për të cilat dhe është arrestuar në vitin 2020.

Malone ja shiti në fillim të vitit 2016 kompaninë TransAtlantic Albania me vendburimet zotit Crawford dhe miqve të tij shqiptarë. (Shiko faksimile Nr.1 lajmi për transaksionin) Përfaqësuesi direkt i miliarderit Malone, z. Douglas C.Nester në një e-mail dërguar në datën 5 Maj 2016 ministrit të kohës Damian Gjiknuri shprehet “TransAtlantic Petroleum dëshiron të ju shprehë vlerësim për mbështetjen që ju i keni dhënë përpjekjeve tona në Shqipëri”. Në këtë e-mail ai njofton se kompania e miliarderit nuk ka më asnjë lidhje me kompaninë bijë TranAtlantic Albania dhe as nuk përgjigjet për veprimet e mëtejme të Mark Crawford dhe miqve të tij shqiptarë. (Shiko faksimile Nr.2) Kjo rikonfirmohet edhe në Qershor përmes një e-maili drejtuar Albpetrolit. (Shiko faksimile Nr.3).

Gënjeshtra Nr.3 e Crawford
Qartësisht çdokush e ka të kthjellët si kristal faktin se e gjithë kjo nuk ka asnjë lidhje me Charles MCGonigal dhe as vizitat e tij në Shqipëri pasi ato nuk kanë asnjë lidhje me periudhën për të cilën flasim por kanë qenë vite më vonë. Lidhja me MCGonigal bëhet vetëm për qëllime të pastra spekulative. Blloqet e lëshuara nga miliarderi amerikan si TransAtlantic Albania u shndërruan në GBC Oil e cila gjatë vitit 2016, me administrator Mark Crawford dhe pronar Naim Kasën e Kreshnik Grezdan nuk arritën të shlyenin detyrimet që kishin ndaj shtetit shqiptar. (Shiko faksimile Nr.4 ku Crawford figuron administrator)

Gënjeshtra Nr. 4 e Crawford
Albpetrol ndoqi gjithë procedurën ligjore duke i dhënë afat kompanisë për të shlyer detyrimet ndaj shtetit. Në kushtet e mos shlyerjes, në Janar 2017 vendburimet u shtetëzuan duke ju kthyer shtetit shqiptar. GBC Oil e Mark Crawford, Naim Kasës dhe Krezhnik Grezdas, e regjistruar në ishujt Kaiman inicioi një proces në arbitrazh kundër shtetit shqiptar. Arbitrazhin pra, ndryshe nga sa gënjen Crawford nuk e bëri miliarderi amerikan por Marku dhe shokët e tij spekulantë shqiptarë. Ata kërkuan 113,372,000 USD dëmshpërblim dhe fitim të munguar nga prishja e marrëveshjes. Ndryshe nga sa gënjen Crawford, arbitrazhi u fitua nga qeveria shqiptare duke u konsideruar të drejta dhe të ligjshme vendimet për shtetëzimin e vendburimeve. Pretendimi i tyre për dëmshpërblim u rrëzua.

Sipas vendimit i njihej kompanisë vetëm pretendimi për kompensimin e efekteve negative të rentës minerare në vlerën 12.5 milion USD. Para të cilat kompania ja kishte derdhur shtetit shqiptar gjatë viteve 2008-2016 përmes tatimeve si rentë minerare. Në total, GBC Oil i kishte shtetit borxh 27 milion USD dhe pas zbritjes së 12.5 milion USD të rentës, do duhet ti derdhte shtetit shqiptar në arkë një shumë prej 14.5 milion USD.

Gënjeshtra Nr.5 e Crawford
Gënjeshtra e rradhës e Crawford është deklarimi se pas vizitës në vitin 2018 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri Gjiknuri ja dha blloqet e naftës rusëve. Madje spekulimi shkon më tej teksa edhe pjesëmarrjen e Gjiknurit në një aktivitet të organizuar nga Bashkia e Tropojës ku MCGonigal mori një titull mirënjohjeje nga kryebashkiaku e shet sikur ka ndodhur në kohën kur merreshin vendimet për blloqet. Ky episod ka ndodhur shumë vite më vonë, kohë kur as Gjiknuri nuk ishte ministër dhe as MCGonigal nuk ishte më zyrtar i FBI.

Blloqet e naftës Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë, që prej Janarit 2017 kur u morën nga ata që i kishin keqmenaxhuar përfshirë edhe Mark Crawford dhe miqtë e tij të afërt me Sali Berishën vazhdojnë të jenë nën pronësi të shtetit shqiptar dhe nuk kanë kaluar asnjë ditë në duart e privatit.

Për dijeninë e atyre që hiqen si kompetent por janë injorant të dobishëm, sipas ligjit shqiptar Hyrja në Fuqi e Marrëveshjes Hidrokarbure bëhet pas nënshkrimit nga Ministri dhe pasi miratohet në Këshillin e Ministrave. Garat e hapura ndërkombëtare për këto blloqe u përballën me përplasjet e kompanive konkurruese me njëra-tjetrën në gjykatë dhe blloqet i mbetën shtetit shqip. / TemA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ShBA: 27/03/2024 22:03

    Foli gjykata ne ShBA https://storage.courtlistener.com/recap/gov.uscourts.dcd.251257/gov.uscourts.dcd.251257.39.0.pdf

    Përgjigju
  • Jonuz: 19/03/2023 07:07

    Po puntore qe smuaren pagat ne kohen e Neil Kases dhe kjo me dijenin e qeverise si he vini emrin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë