Ambasada e Italisë në Tiranë ka njoftuar se, për t’u ofruar një shërbim më të mirë shtetasve shqiptarë në aspektin ekonomik dhe në lidhje me lehtësimin e procedurave, duke filluar nga data 1 janar 2019, do të vendoset vula Apostile edhe për përkthimet e njohura (sikurse parashikohet në nenin 1 të Konventës së Hagës së datës 05.10.1961, në fuqi mes Italisë dhe Shqipërisë prej datës 01.07.2011).
Për të qenë të vlefshme në Itali, dokumentet e lëshuara nga Autoritetet shqiptare në Shqipëri duhet të jenë të pajisura me vulë Apostile të dyfishtë, të vendosur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë: mbi dokumentin origjinal në gjuhën shqipe dhe mbi përkthimin e njohur në gjuhën italiane.
Pra, nuk do të jetë e nevojshme që të kërkohet legalizimi i përkthimit pranë autoriteteve konsullore italiane në Shqipëri.
Procedura e re që duhet ndjekur për të legalizuar përkthimin e njohur me vulë apostilë për dokumentet shqiptare që do të dorëzohen në Itali do të jetë si më poshtë:
Së pari, përkthimi do të kryhet nga një përkthyes i njohur firma e të cilit eshtë depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Përkthyesi do të vendosë në përkthim këtë diciturë: “Deklarohet se ky përkthim është i njëjtë me tekstin origjinal në gjuhën shqipe dhe se është kryer nga “Emri dhe Mbiemri”, përkthyes i njohur i akredituar pranë Ministrisë së Drejtësisë shqiptare.” Do të vendoset firma dhe vula e përkthyesit të njohur.
Në bazë të nenit 65 të Ligjit nr. 7829 datë 01.06.1994, një noter shqiptar do të deklarojë vërtetësinë e nënshkrimit dhe statusin ligjor të përkthyesit të njohur.
Mbi dokumentin dhe përkthimin do të vendoset vula “Apostile” nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Dokumenti origjinal i pajisur me Apostile dhe i shoqëruar nga përkthimi, po ashtu i pajisur me Apostile, mund të paraqitet pranë Autoriteteve italiane në Itali.
Procedura e re do të ketë kosto më të ulët se shifra 3.030 lekë, që kushton aktualisht, ndërsa koha e marrjes së shërbimit do të jetë më e shkurtër.
Kujtojmë se shtetasit shqiptarë kanë gjithsesi mundësi që të kryejnë përkthimin zyrtar të dokumenteve nga përkthyes të njohur në Itali.