Dokumenti/Deputetët e LSI dhe
PD që votuan pro mbetjeve  

Dokumenti/Deputetët e LSI dhe<br />PD që votuan pro mbetjeve  
Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike, në 22 shtator të 2016, kanë votuar pro projektligjit që lejon importimin e mbetjeve të riciklueshme në Shqipëri. Shqiptarja.com zbardh dy procesverbale, të seancë plenare të Kuvendit si dhe të mbledhjes së Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, ku reflektohet qëndrimi i disa deputetëve të LSI dhe PD pro ligjit të mbetjeve, ligj i cili u kthye më pas për rishqyrtim nga ish-presidenti Bujar Nishani. Madje, kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka propozuar edhe një amendament, i cili parashikon monitorimin e pikave doganore, gjatë zhdoganimit të mbetjeve, nga shoqëria civile.

Amendamenti u votuar bashkë me projektligjin në seancën plenare të Parlamentit, më 22 shtator të 2016. Nga procesverbali i votimit, rezulton se kanë votuar pro ligjit për importimin e mbetjeve 12 deputetët të Lëvizjes Socialiste, konkretisht Petrit Vasili, Luan Rama, Kejdi Mehmetaj, Shkëlqim Selami, Robert Bitri, Spartak Braho, Sivla Caka, Agron çela, Luan Duzha, Edlira Cerkezi, Piro Kapurani dhe Bujar Kllogjeri. Në radhët e deputetët të Partisë Demokratike, rezulton se Genc Pollo ka abstenuar. Në radhët e PS, kundër ligjit ka votuar ish-deputeti Dashamir Peza, ndërsa kanë abstenuar Luljeta Arapi dhe Klodiana Spahiu. Ndërkaq, Partia Demokratike, me qëndrimin e saj në seancë, pavarësisht pozicionit kundra, ka mundësuar kuorumin e nevojshëm dhe për pasojë edhe miratimin e ligjit me 63 vota pro. 25 deputetë të PD kanë votuar kundra, por prezenca e tyre në seancë ka qenë vendimtare për miratimin e projektligjit, pasi 47 deputetë kanë munguar në atë seancë. Megjithatë, disa deputetë të Partisë Demokratike rezultojnë se kanë mbështetur ligjin në komisionet parlamentare.

Deputetët e PD
Deputetët e Partisë Demokratike në legjislaturën e kaluar, Genc Ruli, Gjergji Papa, Helidon Bushati, Mimoza Hajdarmataj, Irma Kopliku dhe Kozma Dashi, kanë mbështetur në parim ligjin për importin e mbetjeve, ndërsa nuk rezulton që të kenë votuar kundër gjatë votimit të ligjit në tërësi. Qëndrimi i deputetëve të PD reflektohet në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në 20.09.2016, ora 10:00. “Atëherë, a jeni dakord me ligjin në parim? Pro? Kundër? Abstenim? 2 abstenime. Miratohet. Kush është dakord në tërësi? Kundër? Abstenim? Miratohet. Faleminderit!”, kështu e ka mbyllur mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, kryetari Eduard Shalësi. Referuar procesverbalit të mbledhjes së Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, rezulton që asnjë nga deputetët e pranishëm nuk kanë votuar kundra. Të pranishëm në mbledhje kanë qenë Eduard Shalsi, Genc Ruli, Robert Bitri, Artan Gaçi, Besnik Baraj, Rakip Suli, Namik Kopliku, Gentian Bejko, Piro Kapurani, Bujar Çela, Gjergji Papa, Helidon Bushati, Mimoza Hajdarnataj, Irma Kopliku, Kozma Dashi, Dashamir Kamberi, Ervin Bushati dhe Fatmir Toçi.

Genc Ruli, PD

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Ruli, sipas procesverbalit të mbledhjes, ka theksuar se çështje e importit të mbetjeve nuk duhet paragjykuar. “Në fakt, po të shohim vendet që kanë, ndoshta, mbrojtjen maksimale të mjedisit, Gjermaninë dhe Zvicrën, që janë edhe vendet më të industrializuara, ato që të kenë mjedis të pastër, nuk i kanë mbyllur industritë, përkundrazi, i kanë shtuar ato dhe i kanë bërë gjithmonë edhe më të padëmshme për mjedisin. Bëj thirrje edhe një herë që këto gjëra të mos i paragjykojmë, se paragjykimet në këtë rast nuk janë vetëm tek ata që kanë frikën se çfarë do të ndodhë në qoftë se ne e lejojmë këtë industri, por janë shakatë dhe humori që bën politika herë pas here me këtë gjë, qëndrimi për ta ndaluar në mënyrë absolute importin e mbetjeve që mund të riciklohen në Shqipëri thjesht për të treguar një mentalitet pragmatik politik vulgar, që ne jemi ndryshe. Jo, more, ishit ndryshe në vitin 2014, po si do t’i bindni shqiptarët që jeni ndryshe sot për një gjë, për të cilën nuk e kuptuat sot që është e drejtë, të lëmë ligjin atje ku ishte, sepse sot vetëm po kthehemi te ligji i vitit 2013?!”, është shprehur Ruli.

Robert Bitri, LSI

Deputeti i LSI, Robert Bitri, ka mbështetur nismën për importin e mbetjeve në Shqipëri. “Doja të përgëzoja komisionin tonë, që më në fund, duke iu larguar politikës po bën një veprim shumë të mirë në drejtim të investitorëve shqiptarë, të cilët kanë investuar shumë lekë, me qindra miliona euro, por edhe dhjetëra miliona euro janë shumë për një vend si i yni, për një individ ose për disa individë të shoqërisë tonë, të cilët morën iniciativën duke parë eksperienca të mira të vendeve perëndimore. Fatmirësisht, komisioni është pjekur deri në atë masë dhe kjo ka ardhur ngaqë ne kemi pyetur ekspertët, kemi pyetur shoqërinë civile, kemi pyetur kompetentët e kësaj fushe, kemi pyetur grupet e interesit, kemi parë gjithë Shqipërinë në të gjithë investimet shqiptare që janë bërë, kemi shkuar jashtë shtetit, dhe sot, ky mendim është shumë i pjekur dhe shumë konkret. Pavarësisht se vështirësia në këtë moment mund të jetë e madhe, sepse dihet niveli i kontrollit, niveli i doganave, niveli i ekzistencës ose i funksionimit të mirë të shtetit në të gjitha aspektet e jetës”, ka pohuar Bitri.

Argumentet e komisionit parlamentar pro mbetjeve
Me anë të një raporti të prezantuar në Parlament, Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, ka parashtruar disa argumente pro lejimit të importimit të mbetjeve në Shqipëri. Raporti mban firmën e deputetëve Eduard Shalsi dhe Besnik Bare. Sipas tyre, do të importohen mbetje jo të rrezikshme, për të plotësuar nevojën e industrisë për lëndë të parë. Krijimi i vendeve të reja të punës është një tjetër argument i deputetëve Shalësi dhe Bare. “Riciklimi gjeneron vende pune. Kjo industri krijon biznese të reja si ato që lidhen me transportin, përpunimin dhe shitjen e materialeve të ricikluara, si dhe kompani që lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të prodhuara me materiale të ricikluara. Si rrjedhim krijohen vende pune dhe shtohen të ardhurat në buxhetin e shtetit. Meqenëse këto mbetje i nënshtrohen analizave specifike në laboratorë tashmë të ngritur, eliminohet rreziku i futjes së mbetjeve të rrezikshme”, thuhet në raport. 

Deputetët e LSI që votuan pro mbetjeve në seancë plenare në 2016
 

Petrit Vasili
Luan Rama
Kejdi Mehmetaj
Shkëlqim Selami
Robert Bitri
Spartak Braho
Sivla Caka
Agron çela
Luan Duzha
Edlira Cerkezi
Piro Kapurani
Bujar Kllogjeri
 

Deputetët e PD që votuan pro në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese

Genc Ruli
Gjergji Papa
Helidon Bushati
Mimoza Hajdarmataj
Irma Kopliku
Kozma Dashi

dokumenti deputet ligji mbetjeve

dokumenti deputet ligji mbetjeve

RedaksiaOnline
e.m/Shqiptarja.com
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!