Në samitin e 14 Shkurtit, Komisioni Europian pritet që të miratojë strategjinë e zgjerimit, ndërsa në 2025 parashikohet që mund të integrohen disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor.  “Partnerët e Ballkanit Perëndimor tani kanë një shans historik. Për herë të parë perspektiva e tyre për integrim është në një interval të favorshëm.

Me një vullnet të fortë politik, me reforma të vërteta dhe me zgjidhje afatgjata për mosmarrëveshjet mes fqinjëve, Mali i Zi dhe Serbia pritet të jenë gati për anëtarësim në vitin 2025” thuhet në shkrimin e Euobserver, qe ka zbuluar pjesë nga strategjia qe do te miratohet nga KE.

Përsa i përket Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Kosovës thuhet se duhet të kenë avancuar në rrugën e tyre drejt BE-së, që nënkuptohet pas negociatave, që pritet të hapen, të pakën për Shqipërinë në qershor.

Në dokumentin e komisionit, shkruan gazeta, theksohet se mosmarrëveshjet mes vendeve në Ballkan mund të frenojnë integrimin.  "BE nuk mund dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje dypalëshe, prandaj të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin mosmarrëveshje të tilla si një çështje urgjente" thuhet në draft.

d.b/shqiptarja.com