AQSH  Fondi 152. d 48, fleta 27. Viti 1927
 
Republika e Shqypnisë
Gjykata e posaçme për faje politike
Shkodër nr 45 i Vendimit
VENDIM

Në gjyqin që rrodhi në mungesë të arratisurve jashtë Republikës Shqyptare
1-Ndokë Gjeloshi prej Shkodre (Shalë )
2-Muho Beqiri prej Kosove
3-Kolë Bibë Miraka prej Puke (Iballe)
4-Spiro Kosova  prej Permeti
5-Dedë Thani prej Shkodre (Dukagjin)
6- Dom Loro Caka
7- Vas Kiri prej Shkodre (Kir Dukagjin)
8- Mark Sadiku prej Shkodre (Shalë)
9-Lush Prela prej Shkodre (Shalë)
10- Seit Meta prej Kosove
11- Dodë Nikolla prej Grude
12- Ndue Sadiku prej Shkodre (Shalë)
13- Kolë Dodë Marashi prej Puke (Iballe )

Këta persona, të derguem përpara gjyqit me vendimin e hetuesit për me u gjykue për faktkrim në pandehtësi për formim bandash te armatosura e luftim kundra fuqisë qeveritare me qellim që të prishin qetësinë e të ndryshojnë formën e regjimit të vendosur nga Asambleja Kombtare.

Zotni prokurori tuj u mbështet të proceset e gjandarmarisë e arratisjes së tyre dhe luftimit të bamë në vise të ndryshme kërkoi fajsimin e këtyre si principjal dhe pezullimin e Gjyqit të arratisunve të tjerë mbasi asht tue mbledhë akte e fakte për to. Pra simbas rrjedhjës së gjyqit, proçes- verbaleve të gjandarmarisë u vertetue se të pandehurit e lartpërmendur kanë formue e komandue banda të armatosura dhe kanë ngritë popullin në luftë kundra fuqisë qeveritare.

Argumentet e dokumentet e lartpërmendura mbasi bindën ndergjegjën e trupit gjykues për guximin e të pandehurve të naltpërmendur, tu tregue edhe pëlqimin e Prokurorisë me zana të përbashkët u vendos fajsia e tyne me krim si formues e komandues bandash. Pra trupi gjykues ne bazë  Art Nr 4 të Ligjës ndeshkimore për faje politike vendosi denimin me vdekje dhe në bazë të nenit 31 të po atij ligji konfiskimin e pasunisë së tundëshme dhe të patundëshme të tyre.

Shkoder,me 19.02.1927

Kryetari
Shefki Shatku
Antar :T.Mifali d.v, SH .Frashri.d.v, XH.Dibra d.v,Gj Deda.d.v