DOKUMENTI/ U burgos nga SPAK, Jamarbër Malltezi humbi edhe gjyqin civil me Ballën për “Partizanin”

Ish-kryetari i grupit të PS, Taulant Balla, sot ministër i Brendshëm është përballur në gjyq për shpifje me Jamarbër Malltezin për shkak të akuzave në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Objekt i padisë, kanë qenë pikërisht akuzat që Balla ka renditur në kallëzimin penal të bërë në SPAK që pasi u hetua nga viti 2020 u bë shkak për vendosjen e masave të sigurisë për Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe biznesmenin Fatmir Bektashi.

Jamarbër Malltezi, si paditës, kërkonte detyrimin e të paditurit Taulant Balla t`i shpërblejë dëmin jopasuror në shumën 2.000.000 (dy milion) lekë. Dhëndri i Sali Berishës, me padinë objekt gjykimi ka pretenduar se, në mënyrë të përsëritur, Taulant Balla ka përhapur shpifje dhe deklarata të rreme.  Për këtë pretendim paditësi i referohet një deklarate për shtyp, të bërë nga paditësi në datë 09.10.2012, nga ambientet e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

 Paditësi ka evidentuar posaçërisht në padi shprehje të tilla si “Jamarbër Malltezi ... po gllabëron pronat e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.  Paditësi parashtron gjithashtu se në këtë deklaratë është thënë se pronarët e truallit, pjesë e të cilëve është edhe ai, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe jo transparente truallin pronë e tyre. Paditësi pretendon gjithashtu se i padituri ka shpifur për gjithë procedurën e ndjekur për privatizimin e ambienteve të Klubit Sportiv “Partizani”.  Me deklaratën e sipërcituar, paditësi pretendon se duke i’u referuar atij si përfitues i paligjshëm i pronës së tij është shpifur, ndërkohë që ka përfituar pronën në mënyrë të ligjshme dhe transparente, së bashku me bashkëpronarët e tjerë. Si rrjedhojë e kësaj deklarate, paditësi ka pretenduar se i padituri ka përmendur fakte të pavërteta dhe se qëllimi i tij ka qenë cenimi i nderit dhe dinjitetit të paditësit, si dhëndër i Kryeministrit të Shqipërisë.  Për sa kohë që deklaratat e të paditurit nuk janë shoqëruar me fakte, paditësi pretendon se ato përbëjnë shpifje publike dhe fyerje për të, duke i cenuar nderin, personalitetin dhe emrin e mirë. Pas shqyrtimit të padisë në gjykatën e Tiranës, në përfundim të gjykimit, me vendimin nr.8144, datë 12.07.2013, është vendosur pranimi i pjesshëm i kërkesëpadisë, detyrimin e të paditurit Taulant Balla ti shpërbleje paditësit Jamarbër Malltezi dëmin jopasuror në shumën 1.000.000 (1 milion) lekë dhe rrëzimi për pjesën tjetër të padisë”.

I paditur Taulant Balla e ka ankimuar këtë vendim në gjykatën e Apelit, duke e cilësuar të paligjshëm dhe të pabazuar në prova. Pasi shqyrtoi apelimin e Ballës dhe çështjen në tërësi, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 3122, datë 16.09.2014 ka vendosur ndryshimin e vendimit nr.8144, datë 12.07.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë së ngritur nga Jamarbër Malltezi”.

Gjykata e Apelit ndër të tjera arsyeton në vendimin e saj se: “…Në cilësimin e veprimeve të të paditurit, gjykata e apelit, ndryshe nga ajo e shkallës së parë gjykon se qëllimi i vërtetë i të paditurit ka qenë shprehja e opinionit të tij dhe partisë që përfaqëson, lidhur me keq qeverisjen dhe posaçërisht mënyrës së administrimit të pasurive në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes në procesin e privatizimit të Kompleksit Sportiv “Partizani”.

Mes të paditurit dhe paditësit Jamarber Malltezi nuk rezulton të ketë një mosmarrëveshje personale dhe përmendja e emrit të këtij të fundit në deklarata, rezulton të jetë rrjedhojë e gjykimit politik se Ministria e Mbrojtjes nuk ka kryer një proces të parregullt, me qëllim favorizimin e paditësit për shkak të lidhjeve familjare.  Ky perceptim i të paditurit dhe forcës politike që ai përfaqëson, nuk lidhet drejtpërdrejtë me paditësin, por me çështjen në interes publik, lidhur me administrimin e pasurive publike dhe në këtë rast kufijtë e kritikës janë më të gjerë përkundrejt qeverisë, se sa një individi apo politikani, duke pasur parasysh pozitën dominuese që zë qeveria në shoqëri.

Kundër vendimit të gjykatës së Apelit, ka paraqitur rekurs pala paditëse Jamarbër Malltezi, i cili kërkoi “ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë”, dhe dënimin e Taulant Ballës me gjobë sipas kërkesës fillestare për akuzën e shpifjes.

Më 8 qershor 2022 Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur nga pala paditëse Jamarbër Malltezi, kundër vendimit nr.3122, datë 16.09.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë, duke e lënë atë në fuqi pasi ka marrë formë të prerë.

S.G/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Varri masiv në Damask, mbi 100 mijë persona të groposur

Varri masiv në Damask, mbi 100 mijë persona të groposur