
Edhe kandidatja për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu u pyet nga anëtarët e SPAK për një vlerësim për punën e Arben Krajës dhe Altin Dumanit. Musabelliu tha se është e vështirë të bëjë krahasimin mes drejtuesve pasi ata e kanë drejtuar SPAK në periudha të ndryshme.
“Të bësh krahasimet mes dy drejtuesve që kanë qenë në periudha të ndryshme është e vështirë. Kraja ka qenë në momentet e fillimit kur gjërat nuk ishin bërë ende funksionale, ne s’kemi pasur as godinë, kaluam deri te gjykata derisa u krijuan kushtet, nuk kishim akoma hetuesit, ishte periudha e COVID. Të bësh krahasim duhet të kesh kushte të njëjta. Për mua nuk ishin kushte të njëjta, secili ka bërë maksimum e vet. I vlerësoj të d y, për kushtet që kanë pasur kanë bërë maksimumin e tyre. Do ishte e padrejtë”, tha Musabelliu.
Më tej ajo iu përgjigj se veten e saj nuk e krahason me askënd tjetër, pasi ka cilësitë e saj dhe bën me të mirën.
“Asnjëherë nuk e krahasoj veten time me një person tjetër. Unë bëj atë që mund të bëj, nëse kjo është më e mirë apo më keqe, unë bëj të mirën time”, vijoi ajo.
Më tej për Dumanin dhe Krajën tha se “kanë pasur komunikim efektiv me stafin, duke i nxitur të ecin para me çështjet që mund të ishin në fazën e përfundimit. Këtë e kanë pasur të dy. Në kohën e Dumanit kishin çështje që ishin pjekur. Çështjet zgjasin shumë, mund të dijë 2 ose 3 vite për tu krijuar të gjitha kushtet dhe të shkosh drejt kualifikimit të veprës penale. Në kohën e Dumanit pati çështje që evoluuan shumë dhe pati guximin ti çonte para”.
Musabelliu tha se pika e fortë e saj është komunikimi me kolegët, ndërsa shtoi se është mësuar ti bëjë ballë presioneve.
“Karakteristika ime nëse do jem drejtuese, jam njeri i pavarur, i vendosur, kam element të fortë komunikimin me kolegët. Cilësi të domosdoshëm prej drejtuesve. Presioneve jam mësuar ti bëj ballë”, theksoi prokurorja e SPAK.
Lajmi kryesor:
KLP në mbledhje për të zgjedhur kreun e ri të SPAK! Pas Xholit dhe Musabelliut, prezanton platformën Gokaj: Do ta udhëheq drejt një faze të re pjekurie











