LUSHNJE- Në fshatin Gjazë të njësisë vendore Krutje, në zemër të zonës bujqësore të Lushnjes, dy fermerë kanë zgjedhur një rrugë ndryshe. Në vend të punës individuale, ata kanë bashkuar forcat.

Prej disa vitesh, Erjon Bufasi dhe Afrim Çela kanë investuar së bashku në ngritjen e rreth tre hektarëve sera diellore, duke krijuar një model bashkëpunimi që sot po jep rezultate konkrete.

Prodhimi shkon për eksport pak mbetet për tregun vend. Prodhimi është i pastër dhe i certifikuar. Domaten e shesim aktualisht me 1.8 euro (me shumicë). Ishte me 2.2 euro deri para disa ditësh por tani sa më shumë shtohet prodhimi aq më shumë ulet edhe çmimi”, tha fermeri Erjon Bufasi për Report TV.

Në këto sera, çdo detaj është i menduar me kujdes. Nga përzgjedhja e farave, tek përdorimi i plehrave të kontrolluara dhe deri tek metodat moderne të mbrojtjes së bimëve. Një rol të veçantë luajnë bletët, të cilat futen në serë gjatë lulëzimit për të mundësuar pllenimin natyral të bimëve.

“Prodhimi është bio! Pllenimi bëhet me bletë. Pjekja është e ngadaltë se nuk përdorim pesticide. Këtu bëhen testime të vazhdueshme nga grumbulluesi që e merr prodhimin për eksport”, tregon fermeri, Afrim Çela për Report TV. 

Në këto tre hektarë sera, prodhimi i domates arrin mesatarisht nga 240 deri në 250 ton në vit, ku pothuajse e gjithë sasia është e destinuar për eksport drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në një kohë kur bujqësia përballet me sfida të shumta, modeli i këtyre dy fermerëve nga Lushnja tregon se bashkimi i forcave dhe rritja e cilësisë janë rruga e duhur për të çuar produketet “made in albania” në tregjet e huaja.