Presidenti Donald Trump ka sulmuar drejtpërdrejt kancelarin gjerman Friedrich Merz, në një dalje të fortë publike në rrjetin e tij social Truth.
“Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore. Nuk di për çfarë flet!”, shkroi Trump.
Deklarata e tij shtrembëron qëndrimin e Berlinit, pasi Merz konsiderohet ndër figurat më të ashpra ndaj Iranit. Megjithatë, reagimi i Trump vjen si përgjigje direkte ndaj fjalëve të kancelarit dy ditë më parë, kur ai u shpreh se “Irani i ka poshtëruar Shtetet e Bashkuara”. Këto deklarata duket se kanë irrituar Shtëpinë e Bardhë. Trump jo vetëm ka reaguar, por edhe ka ashpërsuar tonin:
“Nëse Irani do të kishte armë bërthamore, e gjithë bota do të mbahej peng. Unë po bëj diçka me Iranin, pikërisht tani, që vende të tjera apo presidentë të tjerë duhej ta kishin bërë kohë më parë. Nuk është çudi që Gjermania po shkon kaq keq, si ekonomikisht ashtu edhe në aspekte të tjera" shkroi ai.
A është ky fillimi i një faze të re edhe për Gjermaninë? A kërkon Trump t’i japë të njëjtin trajtim që u ka dhënë aleatëve të tjerë nga të cilët ndihet “i tradhtuar”, pasi Berlini është përpjekur të mbajë kanalet hapur me SHBA duke përdorur gjithmonë një ton të butë me Trump, madje në kurriz të aleatëve, si në rastin e Spanjës? Është ende herët për të thënë nëse jemi përballë një përshkallëzimi diplomatik. Këtë mëngjes kancelari hodhi ujë mbi zjarrin: “Nga këndvështrimi im”, tha ai, “marrëdhëniet me Trump janë të mira dhe të pandryshuara. Thjesht kam pasur dyshime që në fillim për atë që po bëhej me këtë luftë kundër Iranit dhe për këtë arsye i kam shprehur”.
Në fakt, distancimi i Merz ka qenë i qartë, në stilin që e karakterizon, përtej zgjedhjes së atij foljeje. Të dielën ai tha, ndër të tjera: “Iranianët janë padyshim shumë të zotë në negociata, ose më saktë, shumë të zotë në mosnegociim, duke i lënë amerikanët të shkojnë në Islamabad dhe më pas të kthehen pa asnjë rezultat”, prej nga vjen edhe ideja e “poshtërimit”. Ai theksoi se “nuk e sheh se çfarë strategjie daljeje po ndjekin Shtetet e Bashkuara” në luftën me Iranin, duke vënë në dukje përçarje të thella mes Uashingtonit dhe aleatëve europianë të NATO-s. Dhe shtoi se kjo luftë po kushton “shumë para, para të taksapaguesve dhe forcë ekonomike”.
Pyetja tjetër është pse Merz, që sot duket se ka bërë një gjysmë hapi pas, doli hapur kundër Trump, nga i cili në fakt kishte nisur të distancohej që pas javës së parë të luftës. Popullariteti i Trump në Gjermani është shumë i ulët: sipas disa sondazheve nuk pëlqehet nga 90% e gjermanëve. Ta mbrosh, natyrisht, nuk të sjell vota.
E vërteta tjetër është se Merz është një kancelar në vështirësi të mëdha. Ai ndodhet në pikën më të dobët të vitit të parë si lider. Sot janë paraqitur linjat kryesore të buxhetit dhe një reformë e sigurimeve shëndetësore. Por bëhet fjalë për një buxhet të ndërtuar me shumë mund, ku shkurtimet janë minimale. Ndërkohë, ekonomia gjermane është në vendnumëro, me një rritje prej vetëm 0.5% edhe për vitin 2027. Nuk po ringrihet as me “bazukë”.
Por situata është edhe më e keqe për popullaritetin personal të Merz. Dje, “Bild”, në sondazhin e saj shumë të ndjekur dyjavor për popullaritetin e ministrave, publikoi të dhënat e fundit: Merz renditet i fundit, i 20-ti nga 20 politikanë. Javën e kaluar, një tjetër sondazh amerikan e cilësoi si kryeministrin më pak popullor mes të gjitha demokracive në botë: vetëm 27% e mbështesin. Në këtë pikë, Merz është madje më pak popullor sesa ishte paraardhësi i tij, Olaf Scholz.
Jo vetëm kaq, por në Gjermani po rritet Alternative für Deutschland, një parti e ekstremit të djathtë. Dhe po dje, sipas një sondazhi, diferenca mes së djathtës ekstreme dhe CDU-së është rritur në 5 pikë: 27% kundrejt 22% për CDU-në. Për partinë e Friedrich Merz, këto janë nivelet më të ulëta ndonjëherë. Mbi të gjitha, nëse një nga detyrat kryesore të Merz ishte frenimi i së djathtës ekstreme, ai nuk po ia del.
Kur u zgjodh, ai kishte vendosur dy objektiva: të ringrinte rritjen ekonomike dhe të ndalte ekstremizmin e djathtë. Një politikan që nuk ka qenë kurrë shumë popullor, që erdhi në pushtet relativisht vonë, në moshën 70-vjeçare, por që i shihte këto synime si misionin e tij historik, sepse një dështim do të kishte pasoja të rënda për Gjermaninë.
Dje, gazeta gjermane Der Tagesspiegel doli me një pyetje të madhe në faqen e parë: a do t’ia dalë Friedrich Merz?/CorrieredellaSera
Komente










