Donald Trump paraqitet në burgun e Xhorxhias: Jam i pafajshëm

Donald Trump paraqitet në burgun e Xhorxhias: Jam i pafajshëm

Donald Trump

Ish-presidenti Donald Trump, u paraqit të enjten në burgun e Qarkut Fulton të shtetit të Xhorxhias dhe më pas u tha gazetarëve se është i pafajshëm. Aktpadia kundër zotit Trump dhe 18 bashkëpunëtorëve të tij në këtë shtet përmban 41 akuza për pjesëmarrje në skema për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të shtetit 2020.

Ishte hera e parë që një ish-president amerikan fotografohej si i arrestuar. Zoti Trump përballet me 41 akuza sipas së cilave ai mori pjesë në një komplot kriminal për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias.

Zoti Trump u tha gazetarëve më pas se kundërshtarët e tij po përpiqeshin të sabotonin shanset e tij për të fituar emërimin e partisë për zgjedhjet presidenciale.

“Kjo është ndërhyrje në zgjedhje. Nuk ka pasur kurrë më parë diçka të tillë në vendin tonë”, tha ish-presidenti Trump.

Ish-Presidenti Trump, i cili është kandidati kryesor për të fituar emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit 2024, nuk është mbajtur i arrestuar dhe mund të vazhdojë të bëjë fushatë.

“Mund të ketë ndërlikime, veçanërisht pasi mbajtja e proceseve gjyqësore përkon me peridhën e zgjedhjeve”, thotë Elaine Kamarck, studiuese e shkencave politike tek Instituti Brookings.

Zoti Trump përballet me 91 akuza penale në katër raste të ndryshme. Ai akuzohet për mashtrim gjatë fushatës së vitit 2016 në Nju Jork, keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara në Florida dhe akuza se inkurajoi trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol në një gjykatë të Uashingtonit. Por disa analistë thonë se akuzat e Xhorxhias kanë peshën më të madhe.

“Akuza në Xhorxhia është më e rënda për të politikisht. Arsyeja pse e them këtë është sepse e kanë të regjistruar duke folur për mënyrën sesi donte të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve”, thotë Todd Belt, Drejtor i Shkollës së Menaxhimit Politik në Universitetin George Washington.

Në një tubim në Xhorxhia këtë javë, anëtarët e komuniteteve fetare u shprehën kundër thirrjeve për të hequr prokuroren e qarkut Fani Willis nga posti i saj pasi ajo po ndjek penalisht zotin Trump.

“Prokurorja e Qarkut Willis ka treguar guxim, integritet dhe përkushtim të palëkundur për të mbështetur parimet e drejtësisë që qëndrojnë në zemër të sistemit tonë ligjor. Përpjekjet e saj për të hetuar dhe ndjekur penalisht ish-presidentin Donald Trump dërgojnë një mesazh të fuqishëm se përgjegjësia nuk njeh kufij”, thotë Tonya Anderson, kryetare e Grupit Legjislativ të Afrikano-Amerikanëve.

Përballë gjykatës të enjten, dhjetëra mbështetës të ish-presidentit kritikuan akuzat.

“Qeveria jonë, para syve të të gjithëve, e shfrytëzon si armë sistemin e drejtësisë. Kjo është çmenduri”, thotë Anton Williams, mbështetës i ish-presidentit Donald Trump.

Rudy Giuliani, ish-avokati i zotit Trump, i cili është në mesin e 18 të bashkëpandehurve, tha se akuzat ishin të padrejta.

“Ky rast është luftë për të mbrojtur mënyrën tonë të jetesës. Kjo aktakuzë është shtrembërim i drejtësisë”, thotë zoti Giuliani.

Por analistët thonë se numri i madh i të pandehurve mund të jetë një faktor kyç në vërtetimin e çështjes kundër ish presidentit Trump.

“Kur akuzon disa të pandehur në një çështje penale, shumë prej tyre mund të vendosin të bëjnë marrëveshje me një nga prokurorët për të ulur dënimin e tyre që do të merrnin në këtë rast. Duke e bërë këtë, ata do të duhet të bien dakord me prokurorin për të ofruar prova që prokurori nuk i ka tashmë”, thotë Todd Belt, Drejtor i Shkollës së Menaxhimit Politik në Universitetin George Washington.

Prokurorja Willis ka kërkuar nga gjykata që gjyqi kundër zotit Trump të fillojë më 23 tetor të këtij viti. Ish presidenti e kundërshtoi datën e gjyqit në një dosje të dorëzuar të enjten pasdite./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja