Goditje e fortë për Donald Trump nga Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara. Me një vendim që pritet të lërë gjurmë në mandatin e tij të dytë presidencial, gjyqtarët rrëzuan përpjekjen për të shfuqizuar të drejtën e shtetësisë sipas parimit ius soli për fëmijët e emigrantëve pa dokumente ose me vizë të përkohshme, duke e shpallur antikushtetues urdhrin ekzekutiv të firmosur nga presidenti në ditën e parë të rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Po sot Gjykata, ku shumicën e kanë gjyqtarët konservatorë, miratoi ndalimin e pjesëmarrjes së sportistëve transgjinorë në garat sportive për femra dhe hoqi një kufizim historik për financimet e koordinuara mes partive politike dhe kandidatëve, një vendim që pritet të forcojë veçanërisht republikanët në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.

E drejta për nënshtetësinë automatike të fëmijëve të lindur në SHBA

Vendimi për të drejtën e shtetësisë automatike për fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara përbën një nga goditjet më të mëdha që Gjykata Supreme i ka dhënë Donald Trump, pas vendimit të muajit shkurt për tarifat globale.

Me gjashtë vota pro dhe tre kundër, gjyqtarët lanë në fuqi bllokimin e urdhrit ekzekutiv që mohonte shtetësinë automatike për fëmijët e lindur në SHBA, kur asnjëri prej prindërve nuk ishte shtetas amerikan ose rezident i përhershëm.

Vendimi është hartuar nga kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, i cili e cilësoi të pabazë interpretimin që administrata Trump i kishte bërë Amendamentit të 14-të të Kushtetutës. Roberts iu referua precedentit të vitit 1898 (United States kundër Wong Kim Ark), duke kujtuar se prej më shumë se një shekulli Gjykata e interpreton Kushtetutën si garantuese të shtetësisë për këdo që lind në territorin amerikan, me përjashtime shumë të kufizuara, si fëmijët e diplomatëve të huaj. Sipas disa vlerësimeve të përmendura gjatë procesit, urdhri ekzekutiv mund të kishte prekur deri në 250 mijë fëmijë çdo vit.

Roberts shkruan në vendim se “shtetësia ishte, atëherë si edhe sot, e drejta për të pasur të drejta”. “Sot ne e mbajmë atë premtim”, shton ai, duke ritheksuar se prej më shumë se një shekulli Gjykata u njeh shtetësinë të gjithë personave të lindur në territorin amerikan, me përjashtime shumë të kufizuara.

Gjyqtari konservator Brett Kavanaugh ishte dakord me përfundimin e vendimit, por me një arsyetim tjetër. Sipas tij, urdhri ekzekutiv shkelte në radhë të parë ligjin federal për shtetësinë, pa qenë e nevojshme që vendimi të mbështetej te Amendamenti i 14-të.

Vendimi prek një nga premtimet kryesore të fushatës elektorale të Donald Trump. Presidenti argumentonte se dhënia automatike e shtetësisë për fëmijët e lindur në SHBA nxiste të ashtuquajturin “turizëm lindjesh” (birth tourism) dhe u mundësonte fëmijëve të emigrantëve pa dokumente të përfitonin automatikisht shtetësinë amerikane.

Shtëpia e Bardhë kishte argumentuar se Amendamenti i 14-të ishte hartuar vetëm për t'u garantuar shtetësinë ish-skllavëve pas Luftës Civile dhe jo fëmijëve të emigrantëve. Gjykata e hodhi poshtë këtë interpretim, duke theksuar se më shumë se një shekull jurisprudencë kushtetuese mbështet pikërisht të kundërtën.

Vendimi u mirëprit nga prokurorët e përgjithshëm demokratë që kishin ngritur padinë. Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, e cilësoi atë si konfirmim të “një parimi themelor të demokracisë amerikane”, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, e përshkroi të drejtën e shtetësisë automatike për të lindurit në SHBA si “një garanci kushtetuese që ka përcaktuar Shtetet e Bashkuara për breza të tërë”

Sporti i femrave

Po atë ditë, Gjykata Supreme vendosi në favor të shteteve që ndalojnë sportistët transgjinorë të marrin pjesë në garat sportive për femra. Me një votim unanim për çështjen që lidhet me Titullin IX dhe me shumicë 6 me 3 për aspektin kushtetues, gjyqtarët vendosën se Idaho, Virxhinia Perëndimore dhe 25 shtete të tjera që kanë miratuar ligje të ngjashme mund t'i rezervojnë sportet e femrave vetëm për persona të seksit biologjik femër.

Sipas shumicës së gjyqtarëve, të udhëhequr nga Brett Kavanaugh, mbrojtja e barazisë në konkurrim dhe e sigurisë së sportisteve e justifikon këtë dallim.

Ky është një tjetër fitore për Donald Trump, i cili kufizimin e të drejtave të personave transgjinorë e ka pasur një nga temat kryesore të administratës së tij. Presidenti e përshëndeti vendimin në rrjetet sociale, duke e cilësuar atë “një fitore të madhe” dhe duke deklaruar se Gjykata ka vendosur përfundimisht se “burrat nuk mund të garojnë në sportet e femrave”.

Më shumë para për politikën

Vendimi i fundit ka të bëjë me financimin e fushatave elektorale. Me një tjetër shumicë prej 6 votash me 3, Gjykata Supreme hoqi kufizimet federale për shpenzimet e koordinuara mes partive politike dhe kandidatëve, duke i konsideruar ato në kundërshtim me lirinë e shprehjes të garantuar nga Amendamenti i Parë.

Padia ishte ngritur, mes të tjerëve, edhe nga zëvendëspresidenti aktual, JD Vance, kur ai ishte kandidat për Senatin. Vendimi mund të rrisë edhe më tej ndikimin financiar të partive të mëdha në fushatat elektorale dhe vjen në një kohë kur komitetet republikane kanë tashmë burime financiare dukshëm më të mëdha se demokratët.

Vendimi rrëzon gjithashtu një precedent të vetë Gjykatës Supreme të vitit 2001, duke vazhduar lehtësimin e rregullave për financimin e politikës të ndjekur nga jurisprudenca konservatore në vitet e fundit.

Në Truth Social, Trump e cilësoi vendimin “një fitore të madhe për republikanët dhe, mbi të gjitha, për Amendamentin e Parë”./CorrieredellaSera