TIRANE - Deputetja e PS, Mimi Kodheli ka deklaruar se Shqipëria e meritonte dorëheqjen e Sali Berishës si kryetar i Partisë Demokratike. PD tha ajo, duhet të rihapet ashtu siç ka bërë Rama vite më parë. "Unë mendoj se Shqipëria e meritonte një sjellje të tillë politike nga politikanët më të lartë të vendit.

E meritonte pranimin e rezultatit të zgjedhjeve nga Berisha, i cili në këto vite midis kontestimesh, pranimesh, luftrash elektorale me vështirësi ka mundur të japë një mesazh pozitiv, tamam në momentin kur Shqipëria kalonte nga një pushtet në një pushtet tjetër.

Por mesa duket kemi qenë të gatshëm vetëm në këtë moment ta bëjmë këtë. PD sigurisht që është një vlerë e shoqërisë kombëtare, ashtu siç është dhe një vlerë e pamohueshme e shoqërisë shqiptare Partia Socialiste me gjithë anëtarësinë e saj.

Dëgjova me vëmendjen Berishën në ato ç`ka tha, është në të drejtën e tij të sillet me partinë e tij dhe të japë dorëheqjen nga të gjitha funksionet sipas asaj që statuti i PD-së shkruan, përcakton dhe uroj shumë që zgjedhjet në këtë parti të jenë realisht demokratike

Sepse PD sipas opinionit time duhet të rihapet, ridemokratizohet dhe të bëhet pjesë aktive e lojës politike shqiptare, ashtu siç ka tentuar ta bëjë këtë vite më parë me Edi Ramën PS”, u shpreh deputetja e Qarkut të Lezhës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)