TIRANE- Urdhri i kreut të PD ende në detyrë, Sali Berishës për dorëheqjen e të gjithë anëtarëve të PD në postet drejtuese nëse do mbështesin kandidatët në garë për kreun e PD, duket se ka prekur dhe krerët e grupseksioneve të Forumit Rinor të PD, ndonëse FRPD nuk është pjesë e strukturave të PD.

Dje kanë dhënë dorëheqjen 2 prej krerëve të grupseksioneve të kësaj organizate në degën e PD në Korçë. Bëhet fjalë për Ilia Bellon si dhe Genci Shehaj. Kur mbeten edhe 10 ditë nga zgjedhja e kryetarit të ri të PD, duket gara mesa Olldashit dhe Bashës po tërheq pas vetes shumë drejtues të strukturave të partisë apo dhe të administratës, të cilët po japin dorëheqjen në mbështetje të shefave të tyre apo dhe të preferuave në këtë garë. Nëpërmjet një letre drejtuar kryetarit të FRPD në Qarkun e Korçës, Shpendi Dragollit si dhe kreut të PD-së Gjergji Papa edhe pse jo në strukturat e larta drejtuese të këtij forumi në PD, kreu i grup seksionit të FRPD, Ilia Bello ka dhënë dorëheqjen.

Ai ka dalë hapur në mbështetje të fushatës për kreun e PD për kandidaturën e Sokol Olldashit. “Nisur nga rrethanat e fundit të krijuara në garën për kryetarin e PD dhe duke u bazuar në udhëzimin më të fundit të kryetarit në detyrë të PD, Z.Sali Berisha për mospërfshirjen në fushatë të asnjë kandidati të çdo anëtari të PD që mban një post politik në strukturat e PD.

Nga sa më sipër pavarësisht se FRPD është organizatë partnere e e PD dhe jo pjesë strukturore e saj, duke marrë parasysh peshën e FRPD Korçë në 2 fushatat e fundit elektorale, kam marrë vendimin të dorëhiqem edhe nga strukturat e FRPD pasi unë jam një përkrahës i hapur i z.Sokol Olldashi në garën për kryetarin e PD-së. Dorëheqja ime është e vlefshme si për postin e kryetarit të grupseksionit 3 të FRPD Korçë, ashtu dhe për postin e anëtarit të Kryesisë së FRPD dega Korçë”, thuhet në letrën e Bellos. E njëta letër i është drejtuar kreut të PD dhe FRPD edhe nga Genci Shehaj, kreu i grupseksionit 3 dhe anëtar i i Kryesisë së FRPD. Ndërkohë në statusin në Facebook të këtij të fundit, Shehaj sqaron se kjo nuk është një braktisje e partisë, por thjesht një zbatim urdhri. “Që ta kuptoni, se shumë veta po më keqkuptojnë,unë nuk braktis PD. Kurrë. Është urdhër i Berishës, përderisa unë ju them miqve votoni Olldashin, edhe përderisa unë ju them anëtarëve të FRPD që shumica janë edhe anëtarë të PD argumenta pse duhet të votojnë Sokol Olldashin, atëherë do ja u them në të njëjtën hierarki, s`mund t`ua them si kryetar i tyre”, shprehet Shehaj.  

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)