Mbas luftimeve të gjata midis forcave turke dhe forcave të ushtrisë greke në Greqinë e Veriut u arrit armëpushimi. Gjenerali turk me kombësi shqiptare Hasan Tahsin Pasha, në 26 tetor 1912 kishte firmosur dorëzimin e qytetit grekëve dhe po përgatitej të largohej bashkë me ushtrinë për në Turqi. Më 27 tetor të dërguarit e krye-gjeneralit të ushtrisë bullgare Teodorov, duke mbajtur flamurin e bardhë u takuan me gjeneral Hasan Tahsin. Bullgarët përfaqësoheshin nga një kolonel, dy oficerë dhe kapiteni Standov që më pas u bë ambasador i Bullgarisë në Paris.

Gjatë bisedës kapiten Standovi shprehu befasinë dhe pakënaqësinë për dorëzimin e Selanikut grekëve, pasi siç tha ai ushtria bullgare kishte hyrë duke luftuar disa herë në Selanik. Prandaj gëzonte të drejtën që të marrë në dorëzim në emër të naltmadhnisë së tij Carit të Bullgarisë. Por gjeneral Hasan Tahsini u kujtoi bullgarëve që ushtria turke kishte pasur kundërshtar lufte për Selanikun vetëm ushtrinë greke. Koloneli kryetar i përfaqësueses bullgare mbas këtyre fjalëve u përgjigj me tërbim se para pak orëve ushtria bullgare kishte luftuar kundra ushtrisë turke në rrethinat e Selanikut.

Prandaj duhej të përgatitej menjëherë një shkresë e posaçme, sipas të cilës qyteti i Selanikut u dorëzohej ushtrisë bullgare. Ndonëse tashmë i mundur, gjenerali Hasan Tahsin Pasha me kryelartësi tha - JO. Atëherë me diplomaci ndërhyri kapiten Standovi për të qetësuar përshtypjen e keqe që kishte lënë koloneli bullgar duke thënë që mbas një përgjigje pozitive për bullgarët Hasan Tahsin Pasha do të vlerësohej nga krye-gjenerali Todorov dhe ushtria e tij. Pas dy orë bisedime pa bindur gjeneral Tahsinin, kapiten Standovi shprehu dëshirë të bisedonte vetëm për vetëm me djalin e gjeneralit, adjutantin Qenan Mesareja.

Pasi kaluan në një sallë veçmas zoti Standovi nxori nga çanta e tij një çek të një banke Londineze me një shumë marramendëse, që ia dha adjutant Mesareas duke pëshpëritur se çeku ishte shpërblimi për një firmë të thjeshtë të babait të tij. Në atë çast Qenan Mesareja mbeti i hutuar dhe u kthye në zyrë duke refuzuar shpërblimin. Pasi dështuan kërcënimet dhe shpërblimet e ndryshme, përfaqësuesit bullgarë kërkuan që gjeneral Hasan Tahsin Pasha t’u jepte një kopje të protokollit të dorëzimit të Selanikut forcave të ushtrisë greke. Pasi morën kopjen e protokollit të dorëzimit të qytetit të Selanikut forcave greke, përfaqësuesit e ushtrisë bullgare u larguan për të mos u kthyer më kurrë.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)