Dorëheqja e kreut të SHISH 
Basha: Pati presione për drogën

Dorëheqja e kreut të SHISH <br />Basha: Pati presione për drogën<br>
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi dorëheqjen e ish-kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika. Gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Basha u shpreh se kreu i SHISH pati presione pas raporteve për implikimin e punonjësve të policisë në kultivimin dhe trafikun e drogës. 

"Kam konstatuar presione ndaj kreut të SHISH. Por një gjë është e sigurt se, një SHISH që harton raporte për përfshirjen e policëve në trafikun e drogës, është halë në sytë e narkoshtetit dhe të Edi Ramës. Kjo do të thotë se narkoshteti po përdor gjithçka për të mbyllur aferën e Tahiri por e kundërta do të ndodhë. Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Bota perëndimore nuk do lejojë që Shqipëria të kthehet në narkoshtet, në shtet të dështuar dhe të sunduar nga bandat. Kjo çështje nuk do mbyllet por të tjera do hapen në vijim", u shpreh Basha.  

Kreu demokrat iu rikthye edhe njëherë çështjes Tahiri, duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të mos i bëjë presion Prokurorisë, por të lejojë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. "Edi Rama të mos i bëjë presion prokurorisë. Saimir Tahiri duhet të arrestohet. Përdorimi i imunitetit parlament bëhet për të mbrojtur atë dhe Tahirin", tha Basha. 

Prononcimi i plotë i Bashës

VIDEO/ Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Pyetje: Z.Basha çfarë vendosi Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sot?
Basha: Në qendër të aksionit politik të opozitës, të Partisë Demokratike dhe të grupit parlamentar do të mbetet skandali Tahiri-Rama-Habilaj. Qëndrimet që ne nuk patëm mundësi t’i mbajmë​ të mërkurën e kaluar, në raport me këtë çështje, do të vazhdojnë të shpalosen në çdo fragment të hapësirës parlamentare, në komisione dhe në seancë plenare. Kërkesa jonë e pandryshuar, e cila sot ka mbështetjen e gjithë botës perëndimore është  që Edi Rama të mos ushtrojë presion ndaj Prokurorisë dhe të mos përdorë imunitetin parlamentar për të mbrojtur Tahirin nga kërkesat e drejta të Prokurorisë.
Saimir Tahiri duhet të arrestohet. Përdorimi i imunitetit parlamentar për të ndalur arrestin e Saimir Tahirit bëhet vetëm për të mbrojtur atë dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë Edi Ramën.
 
Pyetje: Z.Basha sot është dorëhequr një zyrtar mjaft i lartë dhe i rëndësishëm për sa i përket hetimeve, kryetari i SHISH. Keni informacion nëse është vendim personal apo ka patur presione? 
Basha: Edhe unë kam konstatuar të njëjtën gjë, mundësinë e presioneve ndaj kreut të dorëhequr të SHISH-it. Natyrisht nuk kam informacione konkrete. Por një gjë është e sigurt; një Shërbim Informativ i cili harton raporte për përfshirjen e Policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, siç ka bërë SHISH prej dy vitesh, është halë në sytë e narko-shtetit dhe të Edi Ramës.Ndaj nuk mund të ketë konkluzion tjetër përveçse presionit politik.
Kjo tregon që narko-shteti është  në panik total dhe po bën gjithçka për të mbyllur aferën e Samir Tahirit. Por e kundërta do të ndodhë. Kësaj afere do t’i shkohet deri në fund. Saimir Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Kjo është e sigurt. Bota perëndimore nuk do ta lerë Shqipërinë vetëm në këtë betejë jetike për të përmbysur kupolën mafioze në pushtet. Nuk do të lejojë që Shqipëria në zemër të Europës  të kthehet në një narko-shtet, në një shtet të dështuar të drejtuar dhe sunduar, nga bandat me lidhje direkte politike me Kryeministrin dhe politikanët e tjerë të korruptuar. Ndaj jo vetëm kjo çështje nuk do të mbyllet, por të tjera do të hapen në ditët në vijim.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë