Gjyqtari nuk e dorëzoi formularin e pasurisë në ILDKPI duke paraqitur argument pragun e pensionit, por de fakto ai është vetëpërjashtuar nga procesi i vettingut.
Pas lajmeve në media, Gjykata Kushtetuese ka reaguar në një deklaratë për mediat duke u shprehur se Vladimir Kristo nuk ka paraqitur dorëheqjen nga detyra.
Gjykata Kushtetuese thekson se Vladimir Kristos i ka mbaruar mandati dhe është në detyrë në pritje të anëtarit të ri që do të zgjidhet duke lënë të kuptohet se pas zgjedhjes së zëvendësuesit nuk do të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë.
Institucioni deklaron se pas hedhjes së shortit për anëtarët e KED, automatikisht fillojnë procedurat edhe për zëvendësimin e gjyqtarit Vladimir Kristo.
Deklarata e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese vëren se në kronikat televizive të datës 31.01.2017 është njoftuar dorëheqja nga detyra e gjyqtarit Vladimir Kristo. Ky lajm është reflektuar më tej edhe në gazetat dhe portalet on line.
Në këtë situatë Gjykata Kushtetuese vlerëson të informojë si më poshtë vijon:
Gjyqtari Kushtetues Vladimir Kristo nuk ka paraqitur doreheqjen nga detyra.
Sipas nenit 127 të Kushtetutës një nga rastet e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues është përfundimi i mandatit 9-vjeçar.
Mandati 9–vjeçar i gjyqtarit Vladimir Kristo, sipas nenit të lartpërmendur, ka përfunduar në datën 25 prill 2016.
Ndërkohë sipas nenit 125, pika 7, të Kushtetutës, gjyqtari i kësaj Gjykate është i detyruar të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit së tij. Gjykata në jurisprudencën e saj ka vlerësuar (vendimi nr.24/2011) se rregulli i vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të gjyqtarit kushtetues është parashikuar për të garantuar, mbi të gjitha, funksionimin normal të Gjykatës në rast të krijimit të vendeve vakante si pasojë e mosveprimit të ndonjërit prej organeve, të cilave Kushtetuta u njeh një rol të veçantë në këtë moment për zëvendësimin e gjyqtarëve të vjetër me gjyqtarë të rinj. Nisur edhe nga natyra kolegjiale e këtij organi të pavarur kushtetues, çdo mosveprim do të kishte pasoja në funksionimin e Gjykatës.
Këto parashikime janë reflektuar edhe në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, më konkretisht në nenin 179/1, sipas të cilit anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese sipas mandatit të mëparshëm.
Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, pra zëvendësimin e gjyqtarëve të cilëve u ka mbaruar mandati kushtetues, bazuar në nenet 149/d dhe 179/11 të Kushtetutës, në datën 27.01.2017 janë zgjedhur me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të thotë se automatikisht fillojnë procedurat edhe për zëvendësimin e gjyqtarit Vladimir Kristo.
Bazuar në sa sipër, gjyqtari Vladimir Kristo vazhdon të qëndrojë në detyrë në përputhje me parashikimet kushtetuese.
dy.b/shqiptarja.com