Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, do të largohet nga detyra në fund të gushtit, tha të mërkurën presidenti Donald Trump.
Largimi i Leavitt u njoftua më pak se një muaj pasi ajo u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, pas lejes së lindjes dhe ardhjes në jetë të vajzës së saj, tashmë 1 vjeçe.
28-vjeçarja po jep dorëheqjen “në mënyrë që të mund të kalojë më shumë kohë me fëmijët e saj të vegjël dhe të bukur dhe familjen, një vendim që e kuptoj dhe e respektoj plotësisht!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social, ku njoftoi largimin e saj.
Presidenti tha se Leavitt do të bëhet “një nga këshilltaret e mia kryesore të jashtme” dhe do të punojë me Partinë Republikane për të fituar zgjedhjet e ndërmjetme në nëntor.
Leavitt, e cila ka shërbyer si Sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, ka dy fëmijë të vegjël me bashkëshortin e saj, ndërmarrësin e pasurive të paluajtshme Nicholas Riccio.
Leavitt u rikthye në Shtëpinë e Bardhë për një konferencë me gazetarët më 16 korrik, pas përfundimit të lejes së lindjes.
Në një postim në X të mërkurën, Leavitt shkroi: “Të qenit nënë dhe mirëpritja e një foshnjeje të re, ndërkohë që punoja në një nga detyrat më kërkuese në botë, ka qenë, për të thënë më të paktën, ka qenë periudha më shpërblyese, por njëkohësisht edhe më sfiduese e jetës sime.”
“E vërteta është se, që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë pas lindjes së vajzës sime, kam ndier në zemër se nuk mund të jem nëna më e mirë që dy fëmijët e mi të vegjël meritojnë, ndërkohë që i kushtoj kohën, energjinë dhe vëmendjen e vazhdueshme që kërkon detyra e Sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë dhe kjo është arsyeja pse, në fund, mora vendimin e vështirë, me ndjenja të përziera, për t’u larguar nga Shtëpia e Bardhë dhe për të nisur një kapitull të ri në jetën time”, shkroi ajo.
Leavitt është sekretarja më e re në moshë e shtypit e Shtëpisë së Bardhë në histori.
Gjatë mandatit të tij të parë, nga janari 2017 deri në janar 2021, Trump pati katër sekretarë të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.








Komente
Komento