SHBA - Shefi i CIA-s David Petraeus ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, duke pranuar se kishte një marrëdhënie jashtëmartesore.

Në një deklaratë, zoti Petraeus tha se ai kishte dorëzuar dorëheqjen e tij tek Presidenti Barack Obama dhe se ai kishte treguar “një gjykim jashtëzakonisht të dobët”.

"Duke qenë i martuar prej 37 vjetësh, u tregova shumë i dobët dhe nisa një lidhje jashtëmartesore. E di që një sjellje e tillë është e papranueshme, për një burrë, aq më pak për një udhëheqës të një organizate të tillë si e jona", shkruante Petraeus në deklaratën e tij për kolegët. Petraeus e përshkroi sjelljen e tij si "të papranueshme" për kreun e agjencisë kryesore të inteligjencës të vendit.

“Sot, drejtori i CIA-s, David Petraeus i dorëzoi Presidentit Obama letrën e dorëheqjes së tij. Vendimi i tij për t’u tërhequr përfaqëson një humbje të një figure me respekt publik, një shërbëtor i publikut dhe Shteteve të Bashkuara, si në karrierën ushtarake, ashtu edhe në krye të CIA-s. David është shembulli më i mirë i sakrificës dhe shërbimit për të mirën e vendit”, thuhet në deklaratën e James Clapper.

Petraeus u bë shefi i CIA-s në shtatorin e vitit 2011 duke zëvendësuar në këtë post, Leon Panneta-n dhe para marrjes së kësaj detyre së rëndësishme në Washington, ishte kreu i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan.

Dorëheqja e zotit Petraeus erdhi vetëm tre ditë pas rizgjedhjes së Presidentit Barack Obama dhe shkaktoi një stuhi deklaratash që nga Shtëpia e Bardhë, komuniteti i inteligjencës dhe nga vetë zoti Petraeus.

Pas dorëheqjes së shefit të CIA-s, reagoi Presidenti i SHBA-së, Barack Obama duke thënë: “ Pa asnjë mëdyshje, gjatë jetës dhe shërbimit të tij David Petraeus e ka bërë vendin tonë më të sigurt dhe më të fortë”.

(eç/shqiptarja.com)