Bota përjetoi një rritje të sinkronizuar në vitin 2011, por tashmë duket se po shkon drejt fillimit të rënies. Në të kaluarën, qeveritë mbështeteshin tek bankat qendrore për të zbutur rënien dhe për të minimizuar dëmin nëpërmjet stimulimit të rritjes. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se këtë radhë, bankat qendrore nuk do të munden të bëjnë sa ç’duhet.
Ekonomistët nuk shpresojnë se mund të bëhet mjaftueshëm përmes politikave monetare për të shmangur rënien. Ndërkohë që normat e interesit janë tashmë në nivele të ulëta, bankat qendrore nuk kanë fuqinë që dispononin dikur për të rikthyer në brazdë ekonominë. Ndërsa shtohen sfidat ekonomike, që nga lufta tregtare SHBA – Kinë dhe deri tek saga pafund e Brexit-it, besimi tek biznesi dhe investimet është duke rënë.
Konsumatorët janë tashmë nxitësit kryesorë të rritjes globale. Kjo rritje në shpenzimet e konsumit është ndoshta falë tregjeve kompakte të punës. Por, prodhuesit ka gjasa të ulin sërish ritmin e punësimeve, duke ulur kështu rrjedhimisht edhe shpenzimet e njësive familjare.
Ekonomitë që udhëhiqen nga eksportet po e ndjejnë shtrëngimin. Franca, e cila eksporton më pak se Gjermania, duket ende në formë të mirë, ndërsa po rritet aktiviteti i prodhimit. Por, punësimi po bie tashmë në Gjermani, fuqinë më të madhe ekonomike të Evropës, ndërsa aktiviteti prodhues në Bashkimin Evropian në tërësi vazhdoi të tkurret për të shtatin muaj rrjesht.
Në Britaninë e bllokuar nga Brexit-i, prodhimi ra muajin e kaluar me ritmin më të shpejtë të shtatë viteve të fundit. Në Shtetet e Bashkuara, indeksi për prodhimin i Institutit për Menaxhimin e Prurjeve sugjeron se prodhuesit po fillojnë të shkurtojnë vendet e punës, për t’i paraprirë ngadalësimit ekonomik. “Nuk ka gjasa për një rimëkëmbje domethënëse, për shkak të vështirësive që po përjeton prodhimi global”, thotë Andrew Wishart, ekonomist tek “Capital Economics”.
Presidenti amerikan Donald Trump shpreson se banka qendrore mund të ndërmarrë ndonjë veprim parandalues. Ai ka shkruar mbi 30 mesazhe në Twitter gjatë javëve të fundit, duke kërkuar që Rezerva Federale të bëjë shkurtime domethënëse të nivelit të fondeve efektive. Por, disa ekonomistë dhe drejtues të bankave qendrore kanë shqetësimin se instrumentet e politikës monetare nuk do të mjaftojnë këtë radhë, pasi u përdor pjesa më e madhe e potencialit të tyre për të shpëtuar botën nga kolapsi financiar i vitit 2018.