Eurodeputetja Doris Pack është shprehur se politika shqiptare nëse ka vullnetin e duhur ia del që të realizojë tre kushtet e vëna për një dhjetor të këtij viti. Ajo tha se nuk ka hapje të negociatave me BE, pa realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 2013. Në një intervistë për DW eurodeputetja gjermane, Doris Pack, ka folur për 21 janarin, statusin, zgjedhjet e 2013 dhe grevën e urisë.

Në cilat pika duhet të japë rezultate Shqipëria deri në dhjetor?
Ata mund t'ia dalin. Më në fund duhet të arrijnë forma të tjera, ligje në sektorin e drejtësisë në sektorin e administratës dhe në sektorin e punës parlamentare. Këto janë parakushte dhe njihen prej tyre me kohë. Për fat të keq muajt e fundit opozita ka refuzuar bashkëpunimin në këto çështje. Por fitimi i statusit të kandidatit nuk do thotë se fillojnë negociatat. Ato do të nisin në rast se vitin e ardhshëm zgjedhjet shkojnë mirë, kur të jetë vërtetuar se ka vullnet politik për të folur njëri me tjetrin, sepse ajo që na konstatojmë në Shqipëri të gjithë si negative dhe që na tremb është sjellja njëri me tjetrin, edhe në parlament e jashtë tij. Mendoj se në këtë pikë ata kanë shumë gjëra për të mësuar, mungon pjekuria politike.

Dhe për sa i përket KE-së a shihni atje ende pengesa?

Po, pa e përmendur fola për të. Natyrisht, Këshilli ka për ta ndjekur propozimin e Komisionit vetëm në qoftë se plotësohet ajo çka tha Komisioni. Dhe në qoftë se mbërrijmë te dhënia e statusit kandidat, në qoftë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet që sapo përmenda, atëherë do ketë zgjedhje vitin e ardhshëm dhe pastaj do shohim sesi ka ndryshuar apo s'ka ndryshuar klima politike, dhe vetëm atëherë do ta formojë opinionin Këshilli, nëse ky vend është i pjekur sa duhet për të nisur negociatat. Pra, zgjat ca.

E kisha më shumë fjalën te ajo që ndonjë anëtar të bllokojë duke mos iu referuar pikave të renditura nga BE-ja?

Ne dimë që [vendimi] në Këshill duhet të jetë njëzëri. Prandaj, sapo e thash, shihet konkretisht te Maqedonia: një vend është prej shumë vitesh kundër. Unë nuk e kam përshtypjen që në rastin e Shqipërisë të ketë vështirësi fqinjësore të veçanta, por as mund të përjashtoj mundësinë që paraqitja e ofruar nga Shqipëria vitet e fundit pikërisht për arsye të mungesës së dialogut politik midis opozitës dhe qeverisë, të bëjë që ndonjë vend të thotë: Le të presim edhe pak. Këtë s'e përjashtoj dot, por mendoj se Komisioni veproi mirë duke dhënë këtë sinjal.

Si shihet këtu në Perëndim fakti që pikërisht në këtë moment në Shqipëri, ish-të burgosur politikë i vënë flakën vetes?

Natyrisht, ky është edhe sinjal që tregon se jo gjithçka shkon mirë në Shqipëri. Por duhet ditur se sa e vështirë ka qenë rruga e saj. Ajo erdhi, gati brenda natës, nga një vend i qeverisur vërtet në mënyrë tejet komuniste në situatën ku duhej praktikuar demokracia. Dhe shumë prej gabimeve dhe padrejtësive të kryera më parë në kohën komuniste nuk janë mënjanuar ende plotësisht. Kjo është realisht e vërtetë, por për këtë arsye s'duhet mbivlerësuar situata aktuale.

Dhe për sa i takon zbardhjes së ngjarjeve të 21 janarit 2001, si gjykoni, a avancon siç duhet puna e gjykatave dhe e prokurorisë?

Qysh atëherë ajo po zvarritet, por unë jam e sigurt që në fund çështja do të zbardhet. Problemi është që situata ishte shumë e acaruar, që shumë muaj pas zgjedhjeve opozita nuk mori pjesë në qeverisje dhe organizonte vazhdimisht protesta.

Në lidhje me zgjedhjet e radhës, a do të jetë ky një test real?

Unë nuk e kam parë asnjëherë që pas zgjedhjeve pala humbëse të pranojë se ka humbur. Herën e fundit ato u bënë sipas një ligji zgjedhor të mbështetur në pajtim të gjerë midis partisë qeveritare e partisë më të madhe opozitare. Këtë gjë ne e përshëndetëm shumë, realizimin e një konsensusi të tillë.
(sg/shqiptarja.com)