Doshi ka hedhur hije dyshimi duke u shprehur se gjatë hetimeve po përdoren dy standarde.
Sipas Doshit, Durim Bami po mbahet në burg, ndërkohë që nga ana tjetër, personi që e kontaktoi atë për vrasjen e Doshit, Fatjon Skënderi, është lënë i lirë e madje po vazhdon punën me porositësit e vrasjes së tij.
Nëpërmjet një shkrimi të postuar në rrjetin social “facebook” ai ka bërë edhe një herë me dije mungesën e tij të besimit ndaj Prokurorisë duke shtuar se autori që do kryente vrasjen me pagesë të tij është duke u mbajtur nën terror psikologjik dhe se ndërmjetësi tjetër Fatjon Skënderi nuk i thotë të vërtetën Prokurorisë.
Reagimi i plotë i Doshit në Facebook
Të nderuar qytetare,
Ju falënderoj për mbështetjen dhe interesimin Tuaj të vazhdueshëm për çështjen që kam denoncuar ditë më pare.
Kam bërë publike mungesën e besimit ndaj institucionit të Prokurorisë, çështje për të cilën në mënyrë të arsyetuar i jam drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm.
Kam rezerva të arsyeshme në lidhje me hetimin, të cilat në respekt të insitucionit dhe të funksionit që mbaj si pjesë e legjislativit, i kam bërë e do i bëj prezent konform ligjit. Pavarësisht kësaj në respekt edhe të opinionit publik, jam i detyruar të jap vlerësime në lidhje me proçesin, për aq të vërteta sa dihen publikisht.
Deklarimet e mia kanë qenë publike dhe me emra dhe ngjarje specifike: konkretisht kam bërë publike skemën e ngjarjes së përgatitur kundër meje dhe emrat e përfshirë në të si porositës, ndërmjetës dhe ekzekutor.
Konstatoj se hetimet në kuadër të kësaj deklarate kanë qenë me dy standarte:
Nga njëra anë personi që ka hequr dorë vullnetarisht nga krimi, Durim Bami, mbahet i arrestuar dhe nën terror psikologjik, madje qëllimisht gjoja për masa sigurie vazhdon akoma të qëndrojë nën mbikqyrje të Policisë së Shtetit e jo nën mbikqyrje të organeve të specializuara sikurse janë burgjet që monitorohen nga Prokuroria dhe standartet dhe ruajtja kryhet nga Policia e Burgeve (e papërfshirë në këtë proçes)
Nga ana tjetër, ndërmjetësi i krimit (Fatjon Skënderi) pasi thirret me ndërmjetësim të dyshimtë nga Gjermania, i jepen garanci se nuk do ketë asnjë masë shtrenguese ndaj tij -dhe nuk ka në fakt.
Dallimi mes tyre është se:
Durim Bami - ka hequr dorë vullnetarisht nga krimi dhe më ka vënë në dijeni në lidhje me të - për pasojë është i arrestuar e nën presion e terror policor që të detyrohet të deformojë të vërtetën e pranuar më parë prej tij
Fatjon Skënderi - nuk ka hequr dorë vetë nga krimi por thjesht ju dekonspirua skema, ndërsa ndryshe nga i pari vijon bashkëpunimin me porositësin e vrasjes edhe për dështimin e proçesit hetimor - për pasojë është i privilegjuar duke mos u marrë asnjë masë shtrenguese ndaj tij që të vijojë të mos thotë të vërtetën
Në dukje hetimi nga prokuroria e kësaj çështje në të cilën autor është edhe numri 2 i shtetit, ngjan mision i pamundur por Ju garantoj se jam besimplotë që me prova te pakundeshtueshme dhe ndihmën e ndërkombëtarëve kjo do të bëhet e mundur shpjet.
Natyrisht per keto diferencime ne hetim do njoftoj te te gjitha institucionet pergjegjese por edhe perfaqesuesit ndekombetare te akredituar ne Republiken e Shqiperise.
Sinqerisht
Tom Doshi
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)