Dosier, Zoi Xoxa: Çfarë i tha
deputetëve Zogu më 26 mars

Dosier, Zoi Xoxa: Çfarë i tha<br />deputetëve Zogu më 26 mars
TIRANE- Gojë më gojë nisi të pëshpëritej që Italia po kërkonte ta pushtonte Shqipërinë. Njerëzit dukeshin të shqetësuar. Rinia filloi të lëvizë dhe të shfaqë tërë afshin e saj patriotik. Mihal Sherko më tregoi një “përgënjeshtrim” të thashethemeve, që ishin përhapur në popull, nga disa të pakënaqur dhe armiq të regjimit, që kërkojnë të “helmatisin” miqësinë midis Shqipërisë dhe Italisë....

...Atmosfera po nxehej. Rinia filloi të grumbullohej dhe të organizonte demonstrata. Demonstrata më e madhe ndodhi darkën e 25 marsit, kur po shfaqej në Kino-Teatrin e rrugës së Kavajës programi i përgatitur për atë rast. Kino-teatri ishte mbushur sa s’kishte ku të hidhje kokrrën e mollës: rinia kish sulmuar dhe kish hyrë jo vetëm nga dera, por edhe nga dritaret. Nuk kishte as polici, as xhandarmëri për të mbajtur rregullin.

Lajmërova me telefon komandantin e xhandarmërisë, Shefki Shatkun, duke i thënë që të dërgonte ca xhandarë për të mbajtur rregullin dhe qetësinë, por ai m’u përgjigj që s’ishte nevoja pse populli ynë është i urtë dhe s’e prish rregullin dhe qetësinë. U vura vetë pranë skenës dhe u përpoqa ta drejtoj mbledhjen. Kur u shfaq pjesa e Vinçenc Prenushit “Ka ra rrezja ndër bajama”, entuziazmi patriotik arriti kulmin. Të gjithë, në këmbë, brohorisnin, “Rroftë Shqipëria” Rroftë Shqipëria e lirë!”, po askush nuk bërtiti “Poshtë Italia!” Kjo tregonte maturi politike.

Me të mbaruar shfaqja, të tërë shikuesit, të mëdhenj e të vegjël, burra e gra, pleq e të rinj, u derdhën në rrugë dhe demonstruan përpara Legatave të huaja, gjithnjë duke bërtitur: “Rroftë Shqipëria e lirë”, pa bërtitur: “Poshtë Italia!” - për mos të provokuar. Organet e qeverisë – policia dhe xhandarmëria – ishin të pranishëm, pa i penguar aspak këto demonstrata.

Që prej asaj darke, demonstratat filluan të jenë më të shpeshta, tani në mes të ditës dhe një herë, nuk mbaj mend datën, demonstruan edhe përpara Pallatit, duke kërkuar që të dilte mbreti personalisht dhe t’u fliste. Mbreti doli, u tha që të mbanin rregull dhe disiplinë. Populli shqiptar, ky popull i vogël por hero, do të dinte të mbronte me gjak pavarësinë e tij dhe ai vetë nuk e quante veten më mbret, po një bir të popullit, që do të derdhte edhe pikën e fundit të gjakut të tij.
Populli, i entuziazmuar, bërtiste: Rroftë Shqipëria! Rroftë mbreti! Armë! Armë! Na jepni armë!
 
Gjendje tepër kritike
Të nesërmen mbreti thirri në Pallat një Komision parlamentar: dy për çdo prefekturë. Nga Prefektura e Beratit u caktua Hysen Vrioni dhe unë; nga Prefektura e Korçës: Vasil Avrami dhe Thoma Orollogai: nga Prefektura e Gjirokastrës Fejzi Alizoti dhe Hiqmet Delvina; nga Prefektura e Dibrës: Hafëz Xhemali dhe Fiqri Rusi etj.
Mbreti na priti në studion e tij: ishte një sallë e madhe, me një tryezë shkrimi në krye dhe me kolltukë anës mureve. Na priti në këmbë, na shtrëngoi dorën dhe na bëri shenjë të ulemi. Edhe ai vetë shkoi dhe u ul në tryezën e tij. Unë, si më i riu, zura vend në fund fare.

Për disa minuta mbretëroi një heshtje e madhe. Mbreti ishte i zymtë në fytyrë dhe i menduar. Të gjithë sytë tanë ishin ngulur tek ai me aq vëmendje, sa na dëgjohej edhe frymëmarrja. Të gjithë ishim të ndërgjegjshëm se ishim thirrur për një punë me rëndësi shumë të madhe kombëtare. Në këtë mbledhje asistonin kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Eqrem Libohova.
Mbreti e theu i pari heshtjen dhe, me një zë të dridhur, të tronditur dhe të mallëngjyer, nisi të fliste aq ngadalë sa unë, që isha nga fundi, zgjata kokën dhe mpreha veshët për të dëgjuar:
“Zotërinj deputetë, Shqipëria është në rrezik! Ka disa kohë që Italia na ka dërguar një ultimatum, të cilit i erdhi koha që ta shpallim.

Të parët duhet të merrni dijeni ju, përfaqësuesit e popullit. Gjer më sot e kemi mbajtur të fshehur, se kemi shpresuar se mund ta zbusim atmosferën me demarshe diplomatike. Por Italia duket e patundshme në pretendimet e saj. Për të mos acaruar gjendjen, duke shpresuar akoma gjer në fund, edhe tani menduam të mos e shpallim këtë memorandum në një mbledhje të hapur të Parlamentit dhe të shkaktonim një debat publik. Kjo do të thoshte prerja e marrëdhënieve diplomatike me Italinë dhe prerja e marrëdhënieve, në këto rrethana, do të thotë luftë. Ne përpiqemi, me urtësinë më të madhe, ta largojmë sa më shumë këtë çast tragjik. Megjithatë, erdhi koha që ju të thoni fjalën tuaj dhe të merrni përgjegjësinë tuaj karshi kombit. Ju do ta dëgjoni tani memorandumin tekstualisht dhe do të shfaqni lirisht mendimin tuaj, pa druajtjen më të vogël, duke më konsideruar edhe mua, në këtë çast, vetëm një shokun tuaj.

Dhe i bëri shenjë Eqrem Libohovës ta lexonte. Eqrem Libohova e nxori nga xhepi dhe filloi ta lexojë përkthimin në shqip, duke belbëzuar, qoftë nga emocioni, qoftë sepse kishte një shqiptim jo të përkryer. Në shumë vende disa qenë të detyruar ta ndërprisnin dhe t’i luteshin që ta përsëriste fjalën, sepse s’e kishin dëgjuar mirë.
Në të tjera fjalë, memorandumi bënte një përshkrim të gjatë të gjendjes ndërkombëtare dhe e binte shumë të afërme dhe të pashmangshme një luftë të dytë botërore. Bota  kapitaliste po bënte përgatitje të zjarrta luftarake për të zhdukur fashizmin, që ishte vendosur ngadhënjimisht në Itali, në Gjermani, në Japoni dhe po përhapej në shumë vende të tjera të botës. Italia s’kishte asnjë rrezik nga Shqipëria mike dhe aleate, por duhej të mbrohej nga fqinjët e kësaj, që anonin nga shtetet kapitaliste.

Vetëm për këtë arsye Italia detyrohej të merrte disa masa, që nuk duhej në asnjë mënyrë të interpretoheshin si një cenim i sovranitetit dhe pavarësisë së Shqipërisë. Këtë sovranitet dhe pavarësi Shqipëria e vogël nuk ishte në gjendje ta mbronte dhe ta siguronte nga fqinjët e saj grabitqarë; prandaj Italia e madhe fashiste duhej të përdorte gjithë autoritetin dhe peshën e saj ushtarake. Këto dhe vetëm këto ishin arsyet që e detyronin Italinë të merrte në dorë ekonominë shqiptare dhe përgatitjet ushtarake. Për zbatimin e këtij programi strategjik duheshin njerëz kompetentë, të aftë dhe të zgjuar në punët e ushtrisë dhe të ekonomisë, prandaj paraqitet e domosdoshme që pranë ministrave shqiptarë, të ndodhen edhe nënministra italianë, të cilët do të jenë ekspertët dhe këshilltarët e Qeverisë Shqiptare, etj.

Ta pret mendja që të gjithë ne e dëgjuam me vërejtjen më të madhe. Askush nuk pipëtinte. Vetëm nja dy a tri herë Hafëz Xhemali e kishte ndërprerë leximin e Eqrem Libohovës, pse s’i kishte marrë vesh disa fjalë.
Me të mbaruar leximi, pllakosi një heshtje e rëndë. Të gjithë mbetën të dalldisur në mendime: situata ishte tragjike, memorandumi ishte i prerë.
Këtë heshtje i pari e prishi mbreti, i cili tha me një zë që mezi dëgjohej:
“Zotërinj deputetë,
Ju thashë që rreziku që na kërcënohet është shumë i madh nga ç’mund të mendohet dhe ne jemi përpjekur diplomatikisht se mos gjejmë ndonjë rrugëdalje, që të pajtohej me pavarësinë dhe me dinjitetin tonë kombëtar. Nuk ia arritëm dot këtij qëllimi. Ç’duhet bërë? Ju lutem ta shfaqni lirisht mendimin tuaj”.
Menjëherë e mori fjalën Hafëz Xhemali, i cili pyeti:
-A janë vënë në dijeni Shtetet e mëdha dhe fqinjët tanë mbi rrezikun që na kërcënon?
-Le të përgjigjet ministri i Jashtëm, z.Eqrem Libohova, - tha mbreti dhe mbështeti kokën në pëllëmbën e dorës së djathtë.

Dhe Eqrem Libohova zuri të thoshte se interpeluan të gjitha Shtetet e mëdha, si dhe fqinjët tanë, po të gjithë, mjerisht, na kanë lënë në mëshirën tonë.
E mori fjalën, menjëherë pas tij, Fejzi Alizoti dhe tha se Italia nuk kishte asnjë interes që të shkelte independencën tonë; se “edhe ne duhet t’i kuptojmë nevojat e saj ekonomike e strategjike”. Në këtë drejtim ai foli për një kohë të gjatë. Por, megjithëse bënte çmos që të mos e zbulonte shkoqur mendimin, të gjithë e nuhatën se ai mbronte më shumë interesin e Italisë sesa pavarësinë e Shqipërisë.
 
Orollogai elektrizoi të pranishmit
Edhe disa të tjerë, që folën pas tij, këtë udhë ndoqën, udhën e kapitullimit.
Po, pas tyre, e mori fjalën Thoma Orollagaj, të cilin atë ditë e admirova më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër, për ndjenjat e tij të zjarrta patriotike. Ai foli me një guxim dhe me një gojtari, që i shpërthyen nga shpirti i tij i lënduar. Dhe iu drejtua drejtpërdrejt mbretit, pothuaj pa na përfillur fare neve të tjerëve. I tha që memorandumi nuk linte as dyshimin më të vogël mbi qëllimet satanike dhe gjakatare të Italisë. “Konditat e vëna në atë memorandum ishin një cenim flagrant i sovranitetit dhe i pavarësisë së Atdheut tonë. Që edhe Shtetet e mëdha, siç na tha Eqrem beu, po na lënë në mëshirën tonë; kjo do të thotë që Musolini ka marrë pëlqimin e tyre, të shprehur apo të heshtur, për zaptimin e Shqipërisë.

Tani, ç’duhet të bëni ju, Lartmadhëri, përpara kësaj situate kritike dhe tragjike? Juve populli ju ka proklamuar mbret, statuti ju ka dhënë të drejtat e komandantit suprem të të gjitha forcave të armatosura dhe populli për vite me radhë ju ka kënduar himne dhe ju mbiquajtur Skënderbe të dytë. Jam i mendjes që ju të tregoheni në lartësinë e këtij misioni të lartë dhe të shenjtë dhe të përmbushni dëshirat dhe aspiratat e një populli të tërë, që është xheloz për independencën e vendit të vet dhe, nën udhëheqjen tuaj, do të dijë ta derdhë gjakun, ashtu siç diti ta derdhë, për 25 vjet me radhë, edhe nën udhëheqjen e Skënderbeut të parë”.

Të gjithë po e dëgjonin pothuaj pa marrë fryme. Mbreti kish mbështetur të dy bërrylat në tryezë dhe, me grushtet në tëmthat, ia kish ngulur aq shumë sytë, sikur donte ta përpinte. Unë isha ulur pranë tij dhe e pashë se po dihaste, i nxehur dhe i skuqur në fytyrë. Pa marrë leje, siç e donte protokolli, nxori kutinë nga xhepi dhe ndezi një cigare. Askush nuk e vuri re këtë shkelje protokollare.
Si thithi nja dy herë cigaren me një afsh të thellë, ai vazhdoi më i qetësuar:
“Mbase do të thoni se unë flas si nga stratosfera, si të jem një idealist i krisur dhe jo një diplomat i matur.

Dhe mund të më pyesni: - “A mund të luftojë dot një milion popull kundër 45 milionëve dhe, sidomos, kundër një Italie, e armatosur gjer në dhëmbë me mjetet më moderne?” Dhe unë ju përgjigjem: - A më i fortë ishte Skënderbeu nga Sulltanët e Perandorisë otomane? A më e fortë ishte Vlora e 1920-s nga Italia e atëhershme? Fundi i fundit, a më të fortë qenë të 300 vetat e Leonidhës kundër ordhisë së panumërt persiane? Po do të thoni se Leonidha vdiq me të 300 ushtarët e tij! Bukur! Le të vdesim edhe ne si Leonidha! Sigurisht, nuk do vdesim që të një milionët dhe do të mbeten aq shqiptarë që të mburren me këtë fletë të ndritur që shkruan prindërit dhe gjyshërit e tyre, me Skënderbeun e dytë në krye.

Po në këtë çast tragjik unë nuk dua të më merrni as për të krisur, as për poet, as për ëndërrimtar. Dua të jem njeri realist e pozitiv. Me argumente dhe me gjakftohtësinë më të madhe, dua t’ju bind se kjo është rruga që duhet të ndjekim – rruga e pushkës dhe e gjakut – dhe ja sepse:
Unë jam më tepër se i bindur që okupacionin e Shqipërisë nga ana e Italisë, në shpirtin e tyre, nuk e dëshirojnë as Shtetet e mëdha – as Anglia dhe Franca – as fqinjët tanë-: Shtetet e mëdha nuk e dëshirojnë, sepse nuk ua do interesi që Italia të shtojë influencën e saj ndërkombëtare, duke u zgjeruar edhe mbi popuj të tjerë; nuk mund ta duan medoemos edhe fqinjët tanë.

Sepse ata e kuptojnë fare mirë që Italia në Shqipëri është një kërcënim i përhershëm edhe për pavarësinë e tyre. Si pasojë, sado që ata nuk na inkurajojnë dot haptazi, sepse Italia ka veshur lëkurën e luanit dhe ka ngritur shpatën duke bërtitur për çdo hap cesus belli, prapëseprapë ato do ta shihnin me sy të mirë një qëndresë të vendosur nga ana jonë. Dhe unë mendoj se, po të jemi të zotët të rezistojmë edhe për një kohë të shkurtër, keni për të parë se nga çdo anë do të kemi ndihmë, më parë tërthorazi dhe fshehurazi, por më vonë edhe haptazi. Unë jam i bindur se qëndrimi ynë i vendosur do të ndërrojë faqen e historisë dhe populli dhe mbreti ynë do të shkruajnë një faqe të lavdishme të historisë sonë kombëtare.

Unë jam pro për luftë, luftë të pamëshirshme dhe gjer në largimin e plotë të kërcënimit kundër pavarësisë kombëtare. I bëni një thirrje të nxehtë popullit dhe vihuni në krye të tij. I madh e i vogël do t’ju ndjekin besnikërisht, duke mos e kursyer jetën e tyre. Do ketë ndonjë Ballaban pashë edhe ndër ne. Por ju do jepni urdhër ta pushkatojnë në vend. Shpallni menjëherë mobilizimin e përgjithshëm dhe kanë për të parë italianët dhe bota mbarë se ne jemi gjithnjë të bijtë e Skënderbeut dhe dimë të luftojmë nën udhëheqjen e Skënderbeut II, siç luftuan stërgjyshërit tanë, nën udhëheqjen e Skënderbeut I”.
Sot, kur po shkruaj këto fjalë, jemi më 1967, domethënë kanë kaluar 28 vjet. Dhe unë s’mund t’i mbaj mend fjalët e tij tekstualisht. Po biseda, ju siguroj, është ajo që solla më sipër; se brendia e atyre fjalëve ishte e tillë, me një rëndësi aq të madhe historike, sa na la një mbresë, që s’mund të harrohej kurrë nga të gjithë ata që e dëgjuan.

Fjala e Thomait i shtangu të gjithë. Mbreti thirri Sotir Martinin, i dha paketën e tij dhe i tha t’u jepte të gjithëve ta ndiznin. Ajo mbledhje me nerva aq të tendosura kërkonte një farë pushimi për të mbledhur veten.
Pas një heshtjeje të gjatë, mbreti ma dha fjalën mua, që isha i fundit, si më i riu i gjithë deputetëve.
Unë s’vonova t’i përgjigjem shkurt:
“-Në këto çaste shumë tragjike, por edhe historike, për vendin tonë, unë duhej të flisja gjatë, po z. Thoma Orollogai ma lehtësoi barrën dhe, për mos të përsëritur fjalët e tij, unë bashkohem plotësisht me ato mendime, që ai i shprehu me aq elokuencë dhe afsh patriotik. Kjo është detyra jonë e madhe dhe e shenjtë: të luftojmë gjer në pikën e fundit të gjakut. Pra, që nga ky çast, të gjithë ne, i madh e i vogël, duhet ta quajmë veten ushtarë të Atdheut dhe të mbretit tonë. Presim urdhrat tuaja që të marshojmë ku të jetë nevoja”.

Askush tjetër s’e mori më fjalën. Mbreti qëndronte gjithnjë i heshtur, i pavendosur. Kur të gjithë ishim duke pritur me ankth fjalën e tij, pamë të ngrihet dora e Hafëz Xhemalit, i cili u ngrit e tha:
-“Lartmadhëri, ne të gjithë fatin e shtetit tonë, për 15 vjet me radhë, e kemi pasë lënë në dorën e Lartmadhërisë suaj, me besimin më të plotë se e kishim lënë në duar shumë të sigurta për interesat e Atdheut. Edhe tani, përpara këtij rreziku të madh që i kërcënohet Atdheut, unë jam i mendimit t’ia lëmë në dorë mbretit që të veprojë si ta kërkojnë interesat e larta të Kombit”.
Duket se mbreti priste një fjalë të tillë, se na falënderoi për besimin që po tregonim karshi tij dhe për jetën e Atdheut tonë dhe na siguroi se do bënte të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar popullin tonë të dashur nga ky rrezik i madh që po na kërcënohej.

U ngrit në këmbë dhe, pas tij, u ngritëm edhe ne të gjithë. I shtrënguam dorën dhe dolëm.
Ndërkaq demonstratat po vazhdonin dhe të gjithë sekretin që donte të mbante Qeveria dhe me gjithë përgënjeshtrimin e Zyrës së Shtypit, tanimë i tërë populli e kishte marrë vesh ultimatumin e Italisë. Dhe tërë mërinë e saj, sidomos rinia, po e shprehte në demonstrata.

Shkrimi u publikua sot (27.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë