Pazari për vendimin në Gjykatën e Lartë midis bashkëshortit të gjyqtares Majlinda Andrea dhe Petraq Dashit në rolin e sekserit është zhvilluar fillimisht në një lokal në Rrogozhinë.
 
Kjo rezulton nga raport vëzhgimi i oficerëve të policisë ku Odhise Andrea e Dashi kanë diskutuar për çmimin me të cilin do të blihej vendimi dhe nga 60 mijë euro është lënë 50 mijë euro.

Pas këtij pazari me Andrean Dashi është përgjuar teksa fliste me Eleni Linon e Ilia Çabirin dy trashëgimtarët e pronares Gjerorgjia Gjoka.
 
Në këto përgjime Dashi është shprehur se kjo punë në Gjykatën e Lartë do “graso, Lino e Çabiri i tregohen të gatshëm t'i falin tokë gjyqtares, por Dashi këmbëngul se i duan para të thata.
 
Të pakënaqur nga shuma e madhe prej 50 mijë euro, Ilia Çabiri e Eleni Lino në pamundësi për të konvertuar blerjen e vendimit me tokë, detyrohen të pranojnë për të paguar paratë dhe një ditë më pas tërheqin paratë në zyrën e këmbimit valutor në Fier dhe ja dorëzojnë Petraq Dashit. 

Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12 korrik 2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

Odhise Andrea, bashkëshorti i gjyqtares, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, ndërsa gjykata ka vendosur edhe sekuestron e një llogarie bankare në emër të tij prej 50 mijë euro. 

Ai akuzohet se përmes sekserit Petraq Dashi ka marrë 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të Ilia Çabirit dhe Eleni Linos për njohjen e pronësisë mbi një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë në zonën e Butrintit.

Odhise Andrea së bashku me gruan, Majlinda Andrea u larguan nga Shqipëria një ditë para vendimit për arrestimin. E ndërsa gjyqtarja e pezulluar Majlinda Andrea u rikthye në Shqipëri, burri është në kërkim. 

Për personat e përfshirë në korrupsion gjykata vendosi pak ditë më parë që vetëm Eleni Lino të hetohet në masën arrest shtëpie, ndërsa Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi u lanë në arrest me burg.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com