TIRANE- Ngjarja e 21 janarit 2011 dhe zbardhja e kësaj tragjedie që mori jetën e 4 protestuesve të pafajshëm në Bulevardin “Dëshmorët” e Kombit përballë kryeministrisë pritet të marrë një drejtim të ri. Teksa 21 janari pritet të rihapet si çështje, duke zënë fill te zbardhja e rrethanave të vrasjes së protestuesit Aleks Nika ende pa autor, organi i prokurorisë tashmë po shkon drejt qëndrimit në unison për thirrjen dhe të ish-kryeministrit Sali Berisha për të dëshmuar me cilësinë e personit dëshmitar e personit që ka dijeni për ngjarjen.

Duke qënë se ish-kryeministri, më 21 janar 2011 ka qënë brenda selisë së kryeministrisë nga ku është qëlluar mbi turmën nga Garda, duke qënë se mëse njëherë ai ka deklaruar se e ka parë lëvizjen e kësaj turme po brenda Godinës pa lëvizur nga vendi, për më tepër që ka deklaruar se si janë vrarë personat, si janë plagosur efektivët e policisë dhe Gardës, Prokuroria është duke e menduar seriozisht thirrjen e ish-kryeministrit për të dëshmuar përpara organit të akuzës në lidhje me këtë ngjarje të dhimbshme dhe për të cilën është spekuluar shumë në lidhje me autorët e vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm, ndonëse ka pasur një dënim prej 1 viti burg për ish-kreun e Gardës Ndre Prendi dhe 3 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo.

Ndërkohë po përgatitet dosja e plotë për 21 janarin ku pritet të dalin fakte të rënda të implikimit të krerëve të lartë të rrjetit komandues të shtetit, që dhanë urdhër e qëlluan mbi protestuesit. Kjo dosje pritet të formatohet plotësisht dhe me dëshminë e Berishës në Prokurori, për të kaluar më pas e plotë në Gjykatë, duke risjellë në këtë mënyrë një rikthim të bujshëm të çështjes së 21 janarit para drejtësisë dhe zbardhjen e saj, një kërkesë e familjarëve, qytetarëve, ndërkombëtarëve por dhe një premtim elektoral i së majtës tashmë në pushtet.

Burimet brenda prokurorisë thanë se Berisha s’do thirret për t’u pyetur me cilësinë e të pandehurit, por vetëm me cilësinë e dëshmitarit dhe të personit që ka dijeni për ngjarjen, ku më pas në varësi të dëshmisë e ballafaqimit të fakteve do të përcaktohen dhe hapat e mëtejshëm. Ish-kryeministri është shprehur i gatshëm që për gjithë veprimet që janë kryer nga qeverisja e kaluar të shkojë e të japë shpjegime para drejtësisë, pasi për të, si për suksesin ashtu dhe për problemet që kanë ndodhur përgjegjës është vetëm një: Sali Berisha. Koha kur do thirret për të dëshmuar ende nuk është përcaktuar duke qënë se janë në kushtet e formulimit të një qëndrimi të qartë për këtë qëllim.

Por përtej deklaratave Berisha ka treguar ndër vite se s’preferon shumë të shkojë para gjykatës. Pasi dhe për rastin e vrasjes së Azem Hajdarit, megjithëse ishte dëshmitar, megjithëse pak minuta pas atentatit kishte dhënë tërë skemën e vrasjes së liderit të dhjetorit si dhe autorët e vrasjes, s’është paraqitur asnjëherë para drejtësisë. Pa llogaritur rastet e tjera kur ka qënë si i akuzuar, duke dëshmuar se s’njeh as prokurorinë as gjykatën dhe që marrëdhëniet me institucionet ligjore i ka zero.
 
Shkrimi u publikua sot (14.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)