Ish bashkëshortja e themeluesit të Microsoft-it, Melinda Gates, nuk i gëlltit aspak historitë e rënda që kanë dalë nga disa dokumente pjesë në vorbullën e dosjes Epstein, sipas së cilës, në vitin 2013, Bill Gates kishte marrë një sëmundje seksualisht të transmetueshme nga disa vajza ruse “të takuara” në shtëpinë e mikut pedofil, dhe më pas kishte tentuar t’i jepte fshehurazi bashkëshortes antibiotikët për kurim.

“Duhet drejtësi për viktimat. Edhe unë kam pasur moshën e tyre, edhe unë kam pasur vajza të asaj moshe”, tha për radion NPR gruaja me të cilën “nërdi” që u bë miliarder pati tre fëmijë, gjatë 27 viteve martesë. Intervistuesit ajo i rrëfeu shqetësimin e saj të madh pas publikimit të dokumenteve në dosjen skandaloze:

“Kur dalin në dritë këto detaje – dhe sapo kemi filluar t’i zbulojmë – rikthehem në momente shumë të dhimbshme të martesës sime. Për mua është shumë e vështirë. Jam e lumtur që jam jashtë atij bataku”.

Ajo bëri të qartë gjithashtu se prej tij është shkëputur me divorcin e bujshëm të vitit 2021 dhe nuk pranon të mbahet përgjegjëse:

“Çdo pyetje duhet t’u drejtohet atyre njerëzve dhe ish-burrit tim. Ata duhet të përgjigjen, jo unë”, tha ajo, e cila mbetet ende një nga gratë më të pasura në botë dhe që gjatë karrierës së saj filantropike është konsideruar gjithmonë një kampione e fuqizimit të grave. “Kur i jep krahë një gruaje, i jep krahë gjithë njerëzimit”, thoshte ajo, derisa më pas, në vitin 2024, u largua edhe nga Fondacioni që mbante emrin e të dyve, i konsideruar organizata humanitare private më e madhe në botë, e krijuar falë pasurisë së jashtëzakonshme të grumbulluar nga suksesi i Microsoft-it.

Që Gates nuk ishte shenjtor, kjo tashmë dihej: në kohën e ndarjes në vitin 2021, New York Times kishte zbuluar disa lidhje jashtëmartesore të ish-kreut të gjigantit të Redmond-it. Ai, që kishte joshur bashkëshorten – kurrë shumë të dashur (Melinda e kishte surprizuar teksa shkruante në një tabelë pro dhe kundrat e martesës) dhe që e përshkruante gjithmonë vetëm si “partnere stimuluese” – i kishte propozuar martesë në një parking, kur ajo ishte ende punonjëse e tij. Gjatë atij viti fatkeq 2021, Bill kishte mohuar publikisht disa herë miqësinë me financierin që u vetëvra në burg në gusht 2019:

“Të shoqërohesha me Jeffrey Epstein ka qenë një gabim i madh”, kishte thënë për CNN. Megjithatë, ai këmbëngulte se e kishte takuar vetëm sepse shpresonte të siguronte më shumë fonde për kauzat e tij filantropike. “Kam darkuar disa herë me të, duke shpresuar se do të dilte diçka reale nga ajo që thoshte për mënyrën si mund të mblidheshin miliarda për filantropinë në shëndetin global, përmes kontakteve që kishte. Kur u bë e qartë se nuk ishte reale, marrëdhënia përfundoi”, kishte treguar ai atëherë. Duke pranuar se “ishte një gabim i madh të kaloja kohë me të, t’i jepja atij kredibilitet… kishte edhe shumë të tjerë në të njëjtën situatë, por unë kam gabuar”.

Pikërisht kjo shoqëri ishte një nga arsyet që e shtyu bashkëshorten Melinda të kërkonte divorcin. Sipas Ëall Street Journal, ajo kishte nisur madje të konsultohej me avokatë që në tetor 2019, i njëjti muaj kur Neë York Times zbuloi për herë të parë takimet e shpeshta të bashkëshortit me financierin kontrovers, i cili u vetëvra në burg disa muaj më vonë, pasi ishte arrestuar për trafik seksual të të miturve.

Gates refuzoi të komentonte pretendimet e ËSJ, por sipas zbulimeve të bëra në muajt pasues nga një ish-punonjës i Bill & Melinda Gates Foundation, burimi kryesor i shqetësimit për Melindën ishin pikërisht marrëdhëniet e bashkëshortit me Epstein.

Në të njëjtën periudhë, Daily Beast shkroi se ajo u zemërua shumë kur në vitin 2013, së bashku me të shoqin, takoi ish-financierin në rezidencën e tij në Manhattan: ajo i tha Bill-it se nuk ndihej rehat dhe u rrëfye miqve se nuk donte të kishte asgjë të bënte me Epstein, tashmë i përfolur për akuzat e shfrytëzimit seksual të të miturve. Ai, megjithatë, vazhdoi ta frekuentonte, duke pranuar madje edhe një udhëtim me “Lolita”, avionin privat të përdorur për të transportuar vajzat e reja drejt rezidencave të tij luksoze.

Dhe të mendosh se, duke rrëfyer se si në fund të viteve ’70, vetëm 23 vjeç, fitonte tashmë 2.5 milionë dollarë në vit, gjeniu i algoritmeve e kishte përshkruar veten para një klase në Harvard (universitetin që e kishte lënë pa u diplomuar për të themeluar kompaninë e tij) si një fanatik të punës: “Nuk ndalesha kurrë, nuk bëja kurrë pushime. Më vjen keq që nuk i kam kushtuar më shumë kohë vajzave dhe ndeshjeve të futbollit amerikan”. Me kalimin e viteve, duket se e ka rikuperuar kohën e humbur.

//La Repubblica