I rritur «në një familje me dhunë në shtëpi», Bill Clinton e mbrojti veten fillimisht me një argument personal, përpara atij politik: «Nëse do të kisha pasur edhe dyshimin më të vogël, jo vetëm që nuk do të hipja në atë avion, por do ta kisha denoncuar vetë».

Ish-presidenti ka treguar disa herë se njerku i tij, bixhozçi dhe alkoolist, ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj familjes. Sipas tij, dhuna fizike ndaloi vetëm kur ai ishte 14 vjeç dhe e sfidoi drejtpërdrejt; ndërsa ofendimet dhe presionet verbale vazhduan deri në vdekjen e njerkut, të cilin më pas Clinton ka thënë se e ka falur.

Para Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, Clinton mohoi çdo lidhje apo bashkëpunim me Jeffrey Epstein. «Në vend që të kërkoja favore për të, do të kisha kërkuar drejtësi për krimet e tij», deklaroi ai.

«Nuk kam parë asgjë dhe nuk kam bërë asgjë të gabuar», theksoi presidenti i 42-të i SHBA-së. «Nuk dija asgjë për krimet që po kryente Epstein. Mund të më tregoni sa fotografi të doni: në fund të ditës ka dy gjëra që vlejnë më shumë se interpretimi juaj i atyre fotove të para 20 viteve. E di çfarë kam parë — dhe, më e rëndësishmja, çfarë nuk kam parë. E di çfarë kam bërë — dhe, mbi të gjitha, çfarë nuk kam bërë».

Në deklaratën hyrëse ai shtoi: «Vajzat dhe gratë, jetët e të cilave u shkatërruan nga Jeffrey Epstein, meritojnë jo vetëm drejtësi, por edhe mundësinë për t’u shëruar. Kanë pritur shumë gjatë për të dyja».

Clinton theksoi se njohja e tij me Epstein kishte qenë e shkurtër dhe kishte përfunduar vite para se krimet të bëheshin publike, si dhe se nuk kishte parë asnjë shenjë të paligjshmërive. Ai u paraqit para komisionit, tha ai, «për të ndarë aq sa di, në mënyrë që diçka e tillë të mos ndodhë më kurrë». «Do të më dëgjoni shpesh të them se nuk mbaj mend. Mund të mos ju pëlqejë kjo përgjigje, por nuk do të them diçka për të cilën nuk jam i sigurt», sqaroi ai. Me ironi, përfundoi: «Meqë jam nën betim, nuk do të them se jam i paduruar për pyetjet tuaja. Por jam gati të përgjigjem sa më saktë që mundem, bazuar në faktet që njoh — qoftë ato të zakonshme apo të pazakonta».

Dëshmia e tij erdhi një ditë pasi dëshmoi edhe Hillary Clinton, e cila tha se nuk mban mend ta ketë takuar ndonjëherë Epsteinin dhe akuzoi republikanët për një hetim të njëanshëm.

Edhe pse në sallë nuk u lejuan kamerat, Hillary Clinton publikoi në rrjetet sociale deklaratën e saj të plotë hyrëse.

Në të, ajo mohoi të ketë pasur dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein-it dhe sfidoi Komitetin që të thërrasë në dëshmi Presidentin Donald Trump.

Ajo theksoi se nuk ka asnjë informacion lidhur me hetimet për aktivitetet kriminale të Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell. Hillary Clinton kërkoi që presidenti Donald Trump të dëshmojë para komitetit që po heton çështjen Epstein.

Clintonët kanë denoncuar një fushatë hakmarrjeje politike ndaj tyre, të orkestruar nga ish-presidenti Donald Trump.