Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë vijon të reagojë për çështjen e Autoritetit të Dosjeve ku rezulton se ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit. Në një postim në Facebook, ka publikuar foto nga revista ‘Në shërbim të popullit’ të vitit 1983. Aty duket një karikaturë që mban autorësinë e kryeministrit Edi Rama.

Sipas Metës, Rama ishte karikaturisti i preferuar i Partisë së Punës për shkrimet propagandistike kushtuar Sigurimit dhe spiunazhit. Më tej e akuzon si kreun e bandës së inceneratorëve duke iu referuar aferave korruptive me tenderat. Ndonëse ka deklaruar më parë se nuk ka pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit dhe njeh rreth 40-50 persona me identitetin Ilir Metaj, duket se i jep rëndësi kësaj çështje me reagimet që bën.

“Partia e Punës e kishte Edi Ramën karikaturistin e preferuar të shkrimeve propagandistike kushtuar Sigurimit dhe spiunazhit. Ndërsa Partia Socialiste e ka Edi Ramën, Kryetarin e bandës së inceneratorëve.

Pikërisht këtu do të fokusohemi dhe ne për të zbardhur grabitjet e tij galopante dhe për t'i dhënë ndëshkimin e merituar. Në foto: 📷(Karikatura e Edi Ramës në revistën "Në shërbim të popullit", 10 tetor 1983)”, shkroi Meta.

 

Postimi i Ilir Metes