Në kohën kur drejtonte Policinë e Vlorës, Rezart Kuçi ishte “i punësuar” dhe pranë grupit kriminal të Inez Hajrullës. Emri i tij figuron nëpër biseda të zhvilluara të aplikacionet e ekriptuara Sky Ecc ku mbante të informuar shokët e grupit për lëvizjet e strukturave policore, operacioneve si dhe të tjera favore, rimbushje telefoni apo zhdukje të provave.
Rezart Kuçi akuzohet për veprat penale “shpërdorim detyre” në disa episode, “trafikim të narkotikëve” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” si dhe është i vetmi që ra në prangat e policisë në mars kur u godit grupi i Hajrullës ndërsa ishte transferuar me detyrë në Kukës.
Për Rezart Kuçin në dosjen hetimore që Report Tv disponon, është një fragment i trafikimit të hashashit (rreth 4 tonë) nga Maroku në drejtim të Spanjës. Ish-shefi i policisë së Vlorës udhëtoi drejt gadishullit Iberik me qëllim organizimin logjistik të “një pune shumë serioze”. Kuçi ftoi në biznes Arben Memishajn dhe RL*** (i paidentifikuar) për tu bërë pjesë.
I gjithë organizimi është i ndarë në role. Në dosje flitet për sigurimin e një gomoneje rreth 14 metra si dhe sigurimi i 3 motorëve të fuqishëm ‘Yamaha 300’. “Investova ça kisha e jam në pritje”, është mesazhi që ish-polici i ka dërguar një bashkëpunëtori.
Në atë çka Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dokumentuar, Rezart Kuçi ka ndihmuar grupin e Inez Hajrullës t’i shmangen drejtësisë.
Teksa ndodhej në një operacion për kontroll banese të një personi të shpallur në kërkim, Kuçi gjen një telefon ku kishte fotografi të një gomoneje që do të përdorej për trafik kokaine. Krahu i djathtë i Hajrullës, Ervis Matodashaj i tha se mjeti i lundrimit i përkiste një mikut të tij. Kaq iu desh Kuçit që ta zhdukte si provë “Ok, po ja heq fotot vk”.

Një episod lidhet me Flodian Plaku në vitin 2020, të cilin e këshillon të mos shkojë në shtëpi pasi forcat e Antidrogës i kana rrethuar banesën.
“Pastro shpinë… vetë mos rri atje… lër veç plakun… sa ta marrim vesh fiks,” i shkruante ai Plakut, ndërsa kolegët e tij prisnin urdhrin për ndërhyrje. Kur Plaku e pyeti nëse mund të pyeste dikë te Antidroga, Kuçi u përgjigj me një siguri që dëshmon kompromentimin e të tjerëve kolegë: “Pyes njëherë nga ne… do pyes… ja të mundohem të marr vesh sa më shpejt”.
Në vijim ai përdor aksesin që ka në sistemet e policisë për të ndihmuar grupin të mbledhë borxhet e narkotrafikut. Në vendimin e gjykatës gjendet biseda mes Kuçit dhe një kontakti të lënë pa emër, i cili i kërkoi ndihmë për të gjetur dy borxhlinj që i kishin 40 mijë euro për një dërgesë “çokollate” (hashashi). Oficeri i krimeve hyri në sistemin shtetëror TIMS dhe dërgoi jo vetëm të dhënat, por edhe fotot e tyre personale, duke i udhëzuar kriminelët.

Përveç Rezart Kuçit, SPAK thotë se ka e të tjerë funksionarë publike që “dyshohet se janë të angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e aktivitetit kriminal të korrupsionit dhe në aktivitete të tjera të kundërligjshme që kryhen nga ky grup kriminal”.
SPAK e goditi grupin e Hajrullës në mars të këtij viti pas zbardhjes së dy atentateve, atë të Gentjan Qarrit dhe Bledar Birçajt, me porositës Inez Hajrullën dhe krahun e tij të djathtë Ervis Matodashaj. Askush prej grupit nuk u arrestua, përveç Kuçit, as vetë Hajrulla. Masat e vetme të ekzekutuara është ajo e Flodian Plaku, i cili ndodhej në burg për një tjetër çështje penale dhe Hamëz Demushi i kapur në Zvicër.
Komente










