Të gjitha aktet hetimore që Prokuroria e Durrësit kishte në dosje mbi vjedhjen e mbi 700 mijë eurove në Postë, Gjykata e qytetit bregdetar ia kaloi SPAK-ut, që të enjten mori në dorë hetimin e çështjes. Prokurori i Durrësit shpalli moskompetencë dhe, pas verifikimeve, SPAK regjistroi procedimin penal.
Në seancën në Durrës, mbrojtja e ish-drejtueses së Postës, Elisabeta Mataj, kishte kërkuar informacion dymujor për hetimet dhe zbutje të masës së arrestit në shtëpi, kërkesa që nuk u shqyrtuan, pasi dosja u transferua zyrtarisht në SPAK.
Vjedhja përfundoi në SPAK pas dyshimeve se paratë e destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak, të cilat akuzohej se i ka përvetësuar Elisabeta Mataj, mund të jenë përvetësuar nga një grup i strukturuar kriminal. E përfshirë dyshohet edhe deputetja socialiste Etleva Budini, e cila më herët ka qenë drejtuese në Postën e Durrësit, por ende nuk dihet nëse emri i saj është zyrtarisht në hetim.
Vjedhja në Postën e Durrësit shpërtheu korrikun e kaluar me drejtuesen e kohës në arrest.
Avokati i Elisabeta Matajt thotë se është e pafajshme dhe e futur në kurth nga persona me mbështetje politike, pasi, sipas tij, denoncoi e para vjedhjen.
“Merita i shkon klientes sime që e denoncoi. Kontrolli i Shtetit ka kontrolluar Bashkinë Durrës, ka gjetur shkelje. Lekët e tërmetit kanë kaluar në Postë. Është ai grup. Kur erdhi Elisabeta jashtë dëshirës së tyre, e implikuan. Prokuroria e Durrësit ndoqi rrjedhën e grupit kriminal.
Është e provuar që vjedhja ka shkuar mbi 3.6 miliardë dhe grupi ka vepruar prej vitesh. ASHK, Tatime dhe shumë të tjera që mund të ketë evidentuar revizioni i Postës. Grupi që drejtonte vjedhjet me mbështetje politike”, tha Ilia Ilia, avokat i Elisabeta Matajt.
Për vjedhjen akuzohen dhe dy vartëse të saj si bashkëpunëtore, por edhe ato avokati i akuzon se fshihen pas implikimit për shantazh ndaj punonjësve në Postë dhe arrestimit të bashkëshortit të Elisabeta Matajt.
“Nuk u mjaftua vetëm me puçin e Matajt, denoncues, duke e futur në burg, ku për turp të të gjithëve, nënë e 6 fëmijëve në burg, të tjerët arrest shtëpie që përpunonin provat, që u arrestua Fetah Mataj”, tha Ilia Ilia, avokat i Elisabeta Matajt.
Në arrest shtëpie janë ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana.







Komente
Komento