Zbardhet dosja e Durrësit/ Vrau të atin e hodhi në pus! Nga sherri, tek futja në lojë e grave të të atit, e përgjimi ambiental që e nxori zbuluar! Esmeraldi-Brahajt: Mos i ha provokimet!

Shqiptarja.com dhe Report Tv siguron dosjen  e vrasjes së Enver Ballës më 13 gusht të këtij viti, ndërsa trupi i tij u zbulua 21 ditë më pas.  Policia ka pasur dyshime të arsyeshme që prej denoncimit të humbjes së Enver Ballës më 13 Gusht të këtij viti, që i biri Esmerald Balla e deklaroi si largim nga banesa me një femër të panjohur, si dhe zhdukjen e 75 mijë eurove nga kasaforta e familjes. Pas shoqërimit të tij në polici dhe më tej të Edison Brahajt, është kryer edhe përgjimi ambiental nga ana e Komisariatit Durrës për të gjetur detaje shtesë që do shërbenin për interes hetimor.

Po si nisi? 15 gusht denoncimi në polici
Më 15 gusht Esmerald Balla ka shkuar në polici për të denoncuar zhdukjen e të atit.  Sipas tij, i ati ishte larguar nga ora 09:00 e 13 gushtit, me një grua të panjohur. Gjatë inskenimit ka treguar sikur ai (Enver Balla) e kishte marrë më 15 Gusht, me një numër telefoni të fshehur dhe ndër të tjera i ka thënë se “paratë që kanë qenë në kasafortë bashkë me kasafortën i ka marrë, pasi dëshironte të jetonte më vete tani e tutje”.

Pas bisedës, Esmeraldi gjoja ka verifikuar në banesë dhe kasaforta nuk ishte te dollapi ku ishte lënë.

Më tej ka dërguar mesazh te telefoni i të vëllait, Andi Balla, djali tjetër i viktimës, nga një profil i rremë në Instagram me emrin Entila, ku në të citohet ndër të tjera që “familjarët të mos e kërkonin Enverin, pasi ishte larguar me pushime dhe me Enverin priste një fëmijë”.

Kasaforta u gjet më pas në rrugë, në afërsi të portës së hyrjes së stallave të bagëtive, në njëfarë distancë nga banesa. Kasaforta ishte e dëmtuar e prerë me mjet prerës në anën e pasme, dhe në të nuk kishte para.

Partnerja e viktimës: Djemtë e tij më akuzuan për kasafortën dhe se isha me Enverin
Por duket se gjithçka u çmontua më pas. Enver Balla kishte lidhje intime me një shtetase të quajtur Lindita. Kjo e fundit ka rrëfyer për hetuesit dinamikën, duke thënë se një ditë para humbjes (12 Gusht), kishte qenë në prani të viktimës bashkë me vajzën dhe dhëndrin e saj, duke darkuar së bashku.

Të nesërmen Lindita ka pohuar se është interesuar për Enverin, pasi nuk po lidheshin dot me të dhe ka telefonuar djalin e tij, Esmeraldin, ku i ka kërkuar informacion se ku mund të jetë.

“Por dy djemtë e Enverit kanë shprehur akuza se mos babai i tyre ishte fshehur me shtetasen Lindita dhe bashkë me paratë që kishte marrë në kasafortë. Që në momentin që djali i Enverit i ka sharë në telefon duke i akuzuar që ata kishin dorë në zhdukjen e babait të tyre, ata nuk janë interesuar më për Enverin”, theksohet në dosje, referuar dëshmisë së kësaj shtetaseje.

Esmerald Balla: U zumë për delet dhe kasafortën
Kurse vetë Esmerald Balla, pas pranimit të krimit, ka rrëfyer dinamikën e krimit teksa u dorëzua para hetuesve dhe pasi dështoi në përpjekjen e inskenimit.
Ai ka thënë se më 13 Gusht kanë qenë rrugës për në fermën e tyre të quajtur “Ferma Balla”, pasi do shkonin te delet dhe kur arritën afër stallave, i ati sipas tij ka filluar ta fyejë për faktin që tek kopeja e deleve nuk kishte bari dhe delet ishin vetëm.

“Pasi kanë zbritur nga makina dhe siç ishte i acaruar pas fyerjeve që vazhdonte t’i bënte babai, e ka pyetur nëse e kishte parë kasafortën. I ka thënë që nuk e ka parë dhe se kasaforta ishte te dhoma”, vijon dëshmia. Por më tej, sipas Esmeraldit, “babai më tha se kasafortën e kishte marrë dhe e kishte hapur tek Lida (Lindita, gruaja me të cilën kishte lidhje), i ka marrë lekët dhe kasafortën e ka lënë te kodra”.

I dyshuari vijon se “pasi u trondit për këtë fakt, u acarua duke i thënë se çfarë kishte bërë kështu, por duke ju afruar ka parë që babi ka nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe e mbajti në dorë duke e mbushur”.

I riu është mbrojtur duke thënë se në ato momente paniku ka mundur t’i kapi dorën dhe ja ka kthyer pas, “e në këto momente pistoleta është shkrepur dhe babai ka rënë në tokë”.

“Pasi ja mora armën i tronditur, e ngaqë nuk dija çfarë të bëja, e qëllova dhe një herë tjetër me sa kujtoj. Babai ra në tokë dhe nuk kishte më shenja jete”, thuhet në dëshminë e dosjes ndaj 30-vjeçarit.

Plani për të inskenuar zhdukjen: Entila shkruajti se priste një fëmijë me babanë
Më tej ka ngritur planin e inskenimit dhe denoncimit të rremë, teksa i ka dërguar mesazh vëllait në Itali nga telefoni i tij, për humbjen. Për ta bërë të besueshme ka dërguar edhe një mesazh nga Instagrami në emër të një femre, Entila, sikur Enver Balla ishte larguar me të dhe të mos e kërkonin, pasi ajo “po priste një fëmijë me Enverin”.

“Gjithashtu ai deklaron se s’ka pasur ndihmë nga person tjetër”, thuhet në dosje, gjë që rrëzohet sipas Prokurorisë nga dëshmia e parë e Edison Brahajt, që rrëfeu se ka qenë në makinë në momentin e krimit.

Vrasja, me pistoletë dhe hedhja në kanal
Në dosjen që siguroi “Shqiptarja.com”, shoku i tij Brahaj rrëfen dinamikën e plotë të ditës së ngjarjes dhe skenës së krimit. I riu që punonte shpesh edhe në fermën e familjes Balla, ka treguar se Esmeraldi e kishte telefonuar për humbjen e të atit dhe që të shkonte ta ndihmonte për qumështin.

“Por kur hyra në makinë atë ditë (13 Gusht), pashë që Esmeraldi ishte me Enverin. Esmeraldi ishte shofer dhe babai i tij ishte pasagjer në vendin e parë, kurse unë u futa pas. Kur shkuam te stallat ndaluam pak dhe u nisëm për në Shënavlash, por rrugës babë e bir nisën nisën debatin dhe filluan të kapen me duar edhe pasi kishin zbritur nga makina”, ka dëshmuar Brahaj.

“Në atë moment, pasi u rrahën me grushte, Esmeraldi nxori një pistoletë të bardhë dhe i gjuajti Enverit, i cili u rrëzua në tokë dhe më pas të dy e shtymë në kanal, pasi Esmeraldi më kërkoi ndihmë dhe më tej ikëm në shtëpi”, ka vijuar i dyshuari si bashkëpunëtor.

Esmeraldi i ka thënë që mos të tregonte për këtë ngjarje, duke i dhënë 200 mijë lekë. Prokuroria e mbështet këtë detaj edhe me faktin e përgjimeve ambientale, ku Esmeraldi i thotë Edisonit të mos provokohej dhe të mbante qëndrimin siç e kishin biseduar.

Pas krimit kanë bërë punë së bashku duke shpërndarë qumështin në Durrës me furgon dhe pasi kanë mbaruar me shpërndarjen në orët e vona, Esmeraldi e ka dërguar në shtëpi (13 Gusht).

Hedhja në pus
Dëshmitë janë kontradiktore dhe sa i takon kohës se kur e kanë hedhur trupin e pajetë në pus. Edison Brahaj thotë se trupi u hodh disa ditë më pas. Kurse Esmeraldi dëshmoi se e hodhi atë ditë pas krimit, teksa fshehu dhe armën.

“Mbas disa ditësh Esmeraldi më mori në telefon dhe më tha t’i shkoja te puna. Pasi shkova në këmbë te stalla e takova dhe nuk ka pasur njeri tjetër, teksa më tha ta ndihmoja me trupin që kishin hedhur në ferra, për ta kaluar në pus”, vijon dëshmia.

Dhe më tej të dy, me makinën tip “Ford” të Ballës, “e morën trupin i cili ishte aty ku e kishin lënë, e futën brenda dhe e çuan tek pusi tek toka me kumbulla, afër me stanin”. Kur shkuan atje, “Esmeraldi e hodhi brenda dhe për shkak të errësirës nuk pa shumë, teksa u larguan”.

Kurse kasafortën që u bë shkak i ngjarjes, Edisoni ka dëshmuar se e ka parë më pas kur po kthente lopët për tek stalla, në rimorkion e zetorit të Esmeraldit, e cila ishte në oborrin e banesës, anash. Ndërkohë që Esmeraldi kishte dëshmuar në fillim se kasaforta ishte marrë nga i ati, bashkë me 75 mijë euro.

Ndërkohë djali, Esmeraldi ka thënë se e kishin hedhur trupin në pus po atë ditë.

“Më pas e ka hedhur pistoletën dhe ka marrë kufomën e babait dhe e ka vendosur në furgonin “Ford” mbrapa dhe ka lëvizur me të rreth një kilometër, ku gjatë lëvizjes i shkoi mendja ta fshehi kufomën tek një pus që ndodhej tek ara dhe stallat e një bashkëfshatari, shtetasit Musa Gashit”, thuhet në dosje.

Mos ha provokimet
Pas shoqërimit të tij në polici dhe më tej të Edison Brahajt, është kryer edhe përgjimi ambiental nga ana e Komisariatit Durrës për të gjetur detaje shtesë që do shërbenin për interes hetimor.
Dhe duket se kanë zbuluar elementë me rëndësi. Në dosjen e masës, që ka siguruar edhe "Shqiptarja.com", theksohet nga prokuroria se gjatë përgjimit në paraburgim, Esmeraldi i ka thënë Edisonit që të “mos i ha provokimet” nga Policia. Më tej i ka thënë se “mos kishte treguar për pistoletën e fshehur”, si dhe për faktin se “ishin marrë vesh shumë mirë me njëri-tjetrin”.

Kurse Brahaj i është kthyer duke i kujtuar çështjen e lekëve, me idenë se “përse s’mi le lekët te bunkeri, por më detyrove të vij deri këtu”.

Prokuroria thotë në aktet e dosjes se të dy kanë biseduar edhe për ato që kishin folur pas ngjarjes dhe se “ishin marrë vesh shumë mirë mes tyre”. Gjatë kontrollit të banesës së Brahajt policia gjeti edhe 145 mijë lekë, që dyshohet se i përkasin pagesës për bashkëpunimin në fshehjen e ngjarjes dhe ndihmës për fshehjen e kufomës së 62-vjeçarit në pus.

Mbledhja e provave
Policia më tej ka nisur me mbledhjen e provave më të rëndësishme. Përveç kasafortës së shqyer dhe bosh janë sekuestruar telefonat e të dyshuarve për ekspertim dhe zbërthim nëpërmjet tabulateve. Gjithashtu edhe profili i remë në rrjetin Instagram me emrin Entila që përdori Esmerald Balla për të dërguar mesazhin se i ati ishte larguar me një femër.

 U sekuestrua arma pistoletë tip “Ekol Special”, 3 fishekë, gëzhojat, sende personale të viktimës dhe madje 145 mijë lekë që iu gjetën Edison Brahajt si pagesë nga 200 mijë lekëshi i dyshuar për ndihmën e dhënë dhe që të mos tregonte.

Provë u mor edhe makina, në xhamat e të cilës u gjetën njolla të ngjashme me të gjakut, teksa u dërguan edhe kampione për analizë në laborator.

Nga këqyrja e trupit u konstatua se kishte dy plagë hyrëse-dalëse nga plumbat, në kokë dhe në gjoks, që i shkaktuan vdekjen. Për shkak të kohës, 23 ditë, trupi kishte nisur dekompozimin në pus, edhe për shkak të ujit.

Esmerald Balla u arrestua më 4 shtator 2024 ndërsa na pranga ka rënë dhe shoku i tij Edison Brahaj një ditë më pas.

Për çfarë akuzohen Balla dhe Brahaj, nga 3 vepra penale për secilin

Esmerald Balla gjatë masës së sigurisë ditën e sotme (7 Shtator) në Gjykatën e Durrësit, shprehu pendesë dhe tha se veproi për vetëmbrojtje, teksa “ajo që u bë nuk kthehet më pas”.

Ai akuzpohet për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/C i Kodit Penal, “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” në Nenin 278/3 dhe “fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, Neni 303 i Kodit Penal.

Edison Brahja akuzohet për veprat penale “moskallëzim krimi”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, të parashikuara nga Nenet 300, 301 dhe 303 të Kodit Penal.

 

Pjesë nga dosja, përgjimi ambiental

Shenim: Dosja u sigurua nga gazetari Artur Korriku

A.Q/S.Dh/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja